Tre deputetë shqiptarë amendamentojnë në favor të Malësisë – Video

April 11, 2010   | Rajoni / Region

Tuz, 9 prill – Tre deputetët shqiptarë, Mehmet Bardhi, nga Lidhja Demokratike në Malin e Zi, Genci Nimanbegu – Forca e Re Demokratike dhe Amir Hollaj – “Perspektiva”, i kanë deponuar Parlamentit të Malit të Zi amendamente në Propozimligjin mbi organizimin territorial të Malit të Zi.
Amendamentet kanë të bëjnë me vendbanimet e banuara historikisht nga shqiptarët, të cilat propozuesi i këtij ligji i ka vendosur në kuadër të territorit të kryeqytetit, Podgoricës. Ndërkaq, ligjvënësit nga partitë nacionale shqiptare argumentojnë se ato duhet të jenë pjesë e Komunës së Malësisë me qendër në Tuz.
“Kushtetuta e Malit të Zi përcakton se komuna është forma themelore e qeverisjes vendore edhe mbi këto baza konsiderojmë se malësorëve, por as qeverisjes lokale,
nën-komuna nuk u siguron të drejtën dhe mundësinë e vendimmarrjes si dhe realizimin e planifikimit të nevojave të veta zhvillimore”, deklaroi ditën e premte për KosovaLive Amir Hollaj, njëri nga tre deputetët që kanë dorëzuar amendamentet.
“Mendojmë se Malësia i plotëson të gjitha kushtet që të jetë komunë, edhe nga ky aspekt vlerësojmë se këto vendbanime nuk mund të jenë pjesë e kryeqytetit, Podgoricës”, thekson Hollaj. Sipas tij, këtë e dëshmon edhe përvoja jo e mirë katërvjeçare, pra Tuzi si komunë urbane e Podgoricës.
“Themelimi i Komunës së Malësisë, karshi efektit zhvillimor, ka edhe një rëndësi të posaçme për realizimin e të drejtave të shqiptarëve. Sepse, dihet mirëfilli, shqiptarët si pakicë kombëtare specifike në Malin e Zi, edhe përkundër faktit se asnjëherë nuk i kanë realizuar të drejtat e definuara me Kushtetutë, u kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm proceseve demokratike në Malin e Zi”, thekson Hollaj.
Edhe Partia Popullore Socialiste opozitare i ka paraqitur Kuvendit të Malit të Zi kërkesën për status të komunës së plotë të Gollubovcit, komunë fqinje me Tuzin.

Koha Net
Tuz_Mali i Zi

http://forca.me/images/stories/videos/shqip_1.flv