Ulqini nuk u rindërtua si qytetet tjera të prekura nga tërmeti i vitit 1979

April 15, 2010   | Shoqëria / Društvo

Ulqin, 15 prill – Ulqini dhe qytetet tjera bregdetare në Mal të Zi, 31 vjet më parë u goditën nga një termet katastrofal, i një intensiteti prej 7 ballësh sipas shkallës Merkel, nga i cili humbën jetën 102 persona si dhe u shndërruan në gërmadha 250 vendbanime.
Jusuf Lika, drejtor i Shkollës së muzikës në Ulqin kujton kohën e para 31 vitesh, i cili atëkohë ishte student në Prishtinë.
“Atëherë isha student në Prishtinë, kur dëgjuam lajmin trishtues për tërmetin katastrofal. Menjëherë jemi nisur nga Prishtina me një autobus të mbushur përplot ulqinakë, të brengosur me fatin e prindërve, të afërmve tonë dhe Ulqinit në përgjithësi”, shprehet për Kosovalive Lika.
Ai theksoi se për ta regjistruar gjendjen atëkohë, kishte marrë një aparat fotografik dhe një kamerë amatore, me ç’rast është regjistruar Ulqini i 16 prillit të vitit 1979, i shndërruar në rrënoja.
“Me vështirësi të shumta kam arritur të ruaj ato fotografi e filmime, shumë të rëndësishme për historinë e këtij qyteti. Ulqini, konkretisht Kalaja nuk është rindërtuar as sot e kësaj dite, sikur qytetet tjera të bregdetit të Malit të Zi”, theksoi Lika.
Ismet KaramanagaNë këtë drejtim, Ismet Karamanaga kryetar i Shoqatës “Miqtë e Kalasë”, shprehet se në Kalanë e Ulqinit ende nuk janë evituar pasojat e tërmetit katastrofal.
“Dihet mirëfilli se ky është objekt i klasit të parë të trashëgimisë sonë kulturore, 2500 vjeçare… Ndonëse kanë kaluar kaq shumë vite, ne banorët e Kalasë dhe vizituesit e shumtë të saj janë të rrezikuar nga muret e shtëpive gërmadha. Ne, si shoqatë, më kot tash një dekadë e gjysmë, vazhdimisht kërkojmë përkrahje të rehabilitimit dhe radhitjes së Kalasë në familjen UNESCO, duke e ditur vlerën e saj historike, kulturore, urbanistike, muzeale dhe turistike”, potencoi Karamanaga.

Koha Net
YouTube Preview Image