Lidhja Demokratike në Mal të Zi fton për koalicion në Malësi

April 16, 2010   | Politika

lidhja-demokratike-ne-mal-te-zi (2)Tuz, 16 prill   – Partitë shqiptare në Mal të Zi, me përjashtim të Forcës së Re Demokratike dhe Partisë së Prosperitetit Demokratik, selitë e të cilave janë në Ulqin, të cilat kanë deklaruar se në zgjedhje dalin vetë, të tjerat ende nuk kanë konfirmuar koalicione të mundshme për zgjedhjet lokale të 23 majit në Ulqin, Tivar, Tuz dhe Plavë.
Vërehet se secila prej tyre preferon të jetë “nikoqire”, e jo të “trokasë” në dyert e të tjerave.
Por, Lidhja Demokratike në Mal të Zi, Dega në Malësi, subjekteve politike shqiptare që veprojnë në këtë mjedis u është drejtuar me një ftesë për të “vlerësuar zgjedhjet lokale si rast të mirë për bashkim të spektrit politik shqiptar këtu në Malësi, duke parë se, për sa i përket statusit të kësaj treve, përcaktim i të gjithëve është Komuna e plotë, si zgjidhje e vetme që garanton zhvillim”, deklaroi për KosovaLive ditën e premte Nikollë Camaj, kryetar i kësaj dege në Malësi.
Ai nënvizon se Malësisë më së miri mund t’i shërbejmë të bashkuar.
“Lidhja Demokratike në Mal të Zi, si subjekti më i vjetër shqiptar, merr iniciativën për të organizuar takimin e parë në këtë nivel, në mënyrë që, së bashku, të kërkojmë ofertë sa më të përshtatshme për votuesit tonë dhe perspektivë sa më të mirë për trevën e Malësisë”, shprehet Camaj.
Në Alternativën shqiptare na konfirmuan se e kanë marrë këtë ftesë, të cilën e quajnë si hap pozitiv edhe konstruktiv në këtë periudhë shumë të rëndësishme të jetës dhe zhvillimit të Malësisë.
Lideri i kësaj partie parlamentare shqiptare, Gjergj Camaj, thotë se pret që në këto negociata të marrë pjesë edhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve.
Kryetari i kësaj partie shqiptare, Ferhat Dinosha, ka thënë se këtë fundjavë do të finalizohet marrëveshja e koalicionit me socialistët e Gjukanoviqit.
Por, kryetari i Alternativës Shqiptare, Gjergj Camaj, e sheh shumë të nevojshme pjesëmarrjen e UDSH-së në negociata me partitë e tjera shqiptare në Malësi. Ai, madje, shton se duhet qenë më ekspeditiv për të finalizuar kompozimin e subjekteve politike shqiptare në Malësi, të cilat do të dalin në këto zgjedhje lokale.
Camaj mendon se fundja nëse tri partitë shqiptare, Iniciativa Qytetare, LD në MZ dhe Alternativa Shqiptare, formojnë koalicion, do të mund ta merrnin përkrahjen e duhur të votuesve për të ushtruar pushtetin në mandatin e ardhshëm në Malësi.

Koha Net
http://forca.me/images/stories/videos/shqip_1.flv

2