Shaban Peraj: Fajin nuk e ka votuesi

May 5, 2010   | Shtypi / Mediji

Në këto vite të demokracisë patëm rastin të provojmë të gjitha kombinatorikat për mënyrë se si mund të bëhet më mirë në favor të atyre që votojnë për njërin apo tjetrin subjekt politik. Vitet kaluan dhe mbërritëm këtu ku jemi pa bërë asnjë përparim, përveçse premtime boshe duke lënë në ankth votuesit se si do të jetë e nesërmja. Në raste të tilla është e dukshme se nuk ka rregulla loje, nuk ka parime, nuk ka kritere, por kush arrinë të mbledhë më shumë votues atij i jepet rasti të hyjë në lojë. Tani është ai, apo janë ata që nuk zbatojnë parimet partiake, nuk zbatojnë kriteret, me të vetmen arsye se në politikë mund të bashkohen edhe ata që deri dje ishin armiq e sot bëhen miq, që sillen vërdallë nga patia në parti duket mos llogaritur dëmet që u shkaktohen votuesve me lojë pa rregulla e parime. Pra, këta që i kanë dalur zot kësaj loje të mbrapshtë nuk zgjedhin mjete, pavarësisht se të gjithë deklarohen demokratë, gjë që në raste të tilla janë njësoj sikur ata të monizmit, por që tani me fanela të reja.

Tani kur çdo gjë u bë e qartë rreth asaj se kush me ke do të dalë në zgjedhjet lokale të 23 Majit -(Forca e Re Demokratike-Forca, Iniciativa qytetare-Perspektiva, Ulqini më i mirë- Mali i Zi më i mirë- Partia Socialiste Popullore, Lëvizja për ndryshime, Qendra e djathtë, etj. Për Ulqinin Evropian ( PSD. UDSH.), Për të mirën e Ulqinit- Dr. Jakupi,  PPD, LD. në MZ-BDSH , Partia boshnjake, PSD. është i dukshëm rezultati i kësaj çmendurie politike, dhe duke qenë të mësuar me kombinime të tillë, kjo në këto momente nuk lë shumë mbresë te votuesit. Listat u dorëzuan dhe dikush mund të ketë vërejtje për ndonjë emër të vendosur në këtë apo atë listë, se në lista nuk janë përfshi filani e fisteku, por ajo që ka rëndësi tani për votuesin është reflektimi që mund të bëhet përmes votës së lirë. Nuk është e lehtë edhe për vetë ata që janë përfshi në lista për të dëshmuar vetën se vërtetë duan të dëshmohen se qajnë hallin e popullit, se gjithë këtë shërbim e bëjnë për ta, gjë që tani është momenti e koha të dëshmohen me votën e lirë për të arsyetuar turpin e ndarjes në nëntë subjekte politike, koalicione e kandidatë të pavarur! Kjo që u prezantua në Ulqin nga Komisioni Zgjedhor Komunal, dëshmon për të satën herë se kjo ndodh këtu dhe në asnjë komunë tjetër në Mal të Zi. A nuk është shembull i mirë se si u paraqiten subektet politike shqiptare në Komunën Urbane të Tuzit. Atyre u lumtë për reflektimin që bënë para zgjedhjeve, por për këta këtu në Ulqin çfarë të thuhet, vetëm më shumë zi kundër popullit të vet! Votuesit janë mësuar me provokime të atyre që për momentin premtojnë, veprojnë, provokojnë po edhe i kërcënojnë qoftë për një vend pune, qoftë për ndonjë veprimtari tjetër kinëse jemi bashkë, gjë që nuk përkon me realitetin. A nuk është shembulli më i freskët mbajtja e koncertit për nder të 1 Majit, në Katërkollë ku e gjithë politika defiloi për t’u prezantuar para anamalasve gjoja se u qajnë hallet e se janë të interesuar për atë komunitet, në fakt kjo ndodh aty vetëm për të vjelur vota, ndryshe edhe më heret kishte festa të tilla por askujt nuk i ra ndërmend për ta. Për këtë dihet kush e ka fajin.

Zotërinjtë që u prinë votuesve janë të bindur se në karrige mund të vihet vetëm me votën e popullit dhe atyre u premtojnë pallate e kopshte lulesh, po edhe ndonjë pendesë gjatë mandatit të kaluar kinëse jemi bashkë, por veprojmë kundër.Kjo politikë shpërfillëse të aktorëve politik nuk guxohet të reflektohet te publiku, atë duhet lënë të qetë për të logjikuar fundin e kësaj katrahure, sepse e drejta vonon por nuk harron. Nëse aktorët politik nuk janë në gjendje të pastrojnë hallet e popullit, këtë do ta bëjë populli vet duke eliminuar fjalët boshe të përdorura me fjalorin e urrejtjes. Deri këtu votuesit patën mirëkuptim, treguan pjekuri e maturi, por si duket kësaj i ka ardhur fundi dhe pavarësisht asaj popullores : “ mos të raftë hasmi i ligë në derë” , populli do të japë verdiktin në zgjedhjet e 23 Majit. Ai i fyer nga ajo që ndodhi, i fyer për çdo ditë nga përçarjet, nga hasmëria e krijuar do të pastrojë oborrin e vet dhe do të fillojë një jetë të re.

Nga të gjithë subjektet politike e koalicionet konkurues për zgjedhjet lokale të 23 Majit duket haptas se të gjithë preokupim kryesor  kanë marrjen e pushtetit pa ndonjë alternativë të denjë, e disa nga këta në programet e veta nuk kanë strategji afatgjate pë menaxhim të kërkesave politike të shqiptarëve në Mal të Zi, siç mund ta hetojë edhe opinioni. Kjo nuk është gjë tjetër vetëm ndjenj e komoditetit për ata që për të gjitha këto vite nuk bënë gjë tjetër, përveçse mbajtën pozita dhe nuk zgjodhën mjete për të degraduar të tjerët, për t’i shkatërruar ata, për t’i përçarë, bile edhe atje ku u duartrokitën, ku u thurën këngë, ku i bënë funksionar e u mundësuan për të gëzuar të gjitha privilegjat karrieriste për të mos e udhëhequr popullin të bashkuar.

Pra, këta që dhanë “kontributin” e tyre për prishje të balancave harruan se ishte populli ai i cili i rriti këta që dikur nuk i njihte mirë as lagja e tyre, ndaj si duket po ky popull bujar e i manipuluar do t’i ndëshkojë në këto zgjedhje duke u dhënë një JO të madhe, JO për ndarje, JO për poste, JO të luhet me dinjitetin e popullit kur dihet për një standard të ulët në këto anë. Këta mund të bëjnë çdo gjë, por nuk mund të nënshtrojnë dinjitetin e popullit, nuk mund ta përplasin ate për tokë, pavarëisht pretendimeve. Nëse nuk mbrohen interesat tona nga ata që kërkojnë votën e qytetarit, atëherë mos të marrin guximin për ta kërkuar ate. Këtu si duket nuk janë bërë llogaritë mirë falë interesave që ushqejnë për njëri-tjetrin, prandaj duhet të digjen një herë për të kuptuar se kështu nuk shkon më, se kështu me veprime apo mosveprime janë pëgjegjës kryesor për situatën e krijuar.

Shaban Peraj
Zemrashqiptare

14