Urën mbi Port Milenë në Ulqin do ta ndërtojnë Sllovenët
Ulqin, 12 maj – Kompania sllovene “Primorje” nga Ajdovshçina e Sllovenisë, është fituesja e tenderit për ndërtimin e Urës mbi Portmilenë në Ulqin, ndërsa ofertën e kompanisë “Arda Rei” nga Prishtina Komisioni i tenderit e ka vlerësuar të pakompletuar.
Nga shtatë ofertat për ndërtimin e kësaj ure, ajo e sllovenëve, prej 13.9 milionë euro, ishte më e favorshme, tha për Kosovalive të mërkurën kryebashkiaku i Ulqinit, Gëzim Hajdinaga.
Ura mbi Portmilenë është shumë e përfolur, madje edhe e politizuar që nga viti 2006, kur në fushatën parazgjedhore u premtua nga Koalicioni “Për Ulqinin evropian”, i cili mbi këtë premtim edhe mori përkrahjen e ulqinakëve.
Ura parashihet të ketë një gjatësi prej 600 metrash me katër korsi. Ajo lidh Ulqinin me Plazhin e madh dhe vlerësohet se do të jetë ura më e bukur dhe më funksionale jo vetëm në Mal të Zi.
Hajdinaga thotë se afati i ndërtimit të urës është 18 muaj.
Kompania ndërtimore sllovene është e njohur në Mal të Zi, e cila më parë ka ndërtuar tunelin Sozina, që lidh bregdetin malazias me pjesën kontinentale të këtij shteti, si dhe urën mbi lumin Moraça në Podgoricë.
Ura e Portmilenës do të ketë mundësi të hapet në mes, meqë me Planin e përgjithshëm urbanistik të Ulqinit në afërsi të saj, parashihet ndërtimi i një marine të vogël.
Opozita, në fushatën e tashme paraelektorale për zgjedhjet vendore të 23 majit, i është vërsulur koalicionit “Për Ulqinin evropian” dhe vetë kryebashkiakut Gëzim Hajdinaga për mosrealizimin e projekteve të premtuara, duke potencuar investimin më kryesor pikërisht urën mbi Portmilenë, pengesë kyçe e investimeve ndërkombëtare në këtë qytet të njohur të turizmit tradicional.
Koha Net
Reklam: Spoti i koalcionit ”Per Ulqinin Evropian”





