UDSH: Janë avancuar të drejtat e shqiptarëve në Malin e Zi

May 18, 2010   | Shtypi / Mediji

Koalicioni Për Ulqinin evropian UDSH - PDSUlqin, 18 maj – Partneriteti i Unionit Demokratik të Shqiptarëve (UDSH) me Partinë Demokratike të Socialistëve (PDS) është dëshmuar dhe po dëshmohet si një veprim i qëlluar që ka avancuar realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Malin e Zi, kanë deklaruar të martën zyrtarët e lartë të UDSH-së.
Në një prononcim për KosovaLive, Mehmet Zenka, nënkryetar i UDSH dhe deputet i kësaj partie në Parlamentin malazias, ka thënë se kjo vërehet sidomos në bashkëpunimin 12–vjeçar në nivel qeveritar, e mbi të gjitha në ushtrimin e pushtetit lokal në Ulqin në mandatin që po lihet pas.
Duke i komentuar zërat nga subjektet tjera nacionale shqiptare në tubimet e tyre paraelektorale për zgjedhjet lokale të 23 majit, se, kinse “UDSH e ka humbur identitetin e vet shqiptar”, Zenka përgjigjet se pikërisht , fal UDSH, e në saje të projekteve që ka realizuar, ka avancuar të drejtat e shqiptarëve në Malin e Zi.
“UDSH, që në vitin 2000 ka miratuar Platformën mbi zgjidhjen e statusit të shqiptarëve në Malin e Zi, e cila është shpërndarë në adresat relevante kombëtare dhe ndërkombëtare. Simotrat tona këtu, ne si parti më e madhe nacionale shqiptare në Mal të Zi, nuk na dërguan asnjë përgjigje. E kemi thënë atëherë, e themi edhe sot, UDSH është e hapur për plotësimin e propozimeve të këtij dokumenti”, nënvizon ai.
I pyetur se përse kuadrot e reja nga Ulqini nuk janë të punësuara në mekanizmat qeveritare malazeze, porsi kolegët e tyre nga Malësia, anëtarë të UDSH, Zenka thotë se vështirësi kyçe është distanca gjeografike mes Ulqinit e Podgoricës, pastaj edhe të ardhurat e vogla”. Por, shton ai, edhe të rinjtë tanë nga Ulqini i kanë dyert e hapura të punësohen edhe në Podgoricë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, dega e Malësisë Nikollë Camaj, ka akuzuar koalicionin UDSH-PDS dhe Partinë Boshnjake, se “po rrezikojnë asimilimin e Malësisë”. Ai shembull merr promovimin e këtij koalicioni për zgjedhjet lokale të 23 majit në Tuz, ku “valonin nja 100 flamuj malazias, mbi 20 boshnjakë edhe vetëm një flamur shqiptar ?!”

Koha Net
YouTube Preview Image

6