Vedat Ademi: Fansja ime me e çmendur eshte bashkeshortja

May 24, 2010   | Lajmet / Vijesti

Vedat AdemiDo të jetë më ne sot në “Bluetooth”, edhe një nga pretendentët kryesor për çmimin e madh në ‘Top Fest 7’. Këngëtari Vedat Ademi, që me të kënduarin e tij “live” kënaq gjithë dëgjuesit, rrëfen sot shumë nga prapaskenat e këtij konkurrimi. Ndërkaq, ai tregon edhe për bashkëshorten e tij, e cila është fansja më e çmendur e Vedatit. Mendon që në verë të realizojë një tur koncertor në të gjitha trojet shqipfolëse për të promovuar albumin e tij të parë, të cilin tashmë e ka mbaruar… Këto dhe të tjera detaje nga jetesa aktuale e këngëtarit Ademi, ua përcjellim sot në këtë intervistë…
Ku jeni në këto momente, dhe me çfarë jeni duke u marrë?
Jam aktiv me muzikën live në “pub-et” e Tiranës, marr pjesë në ‘Top Fest 7’ me këngën “Koha s’kthehet”, kompozitor i së cilës është Kledi Bahiti. Tani për momentin jam duke u marrë me provat e ‘Top Festit’ për natën finale.
Si ndiheni dhe cila është arsyeja që ju ka bërë të riktheheni në këtë festival?
Emocionet e ‘Top Festit’ janë të shumta. Marrëdhënia e parë në Shqipëri për mua ka qenë me këtë festival. ‘Top Fest’ është një festival modern, që i jep mundësinë gjithë artistëve për të promovuar këngët e tyre. Jam ndierë shumë mirë, kjo ka qenë arsyeja që kam marr pjesë.
Duke qenë se këtë vit ‘Top Fest’ do të jetë ‘live’, mendon se kjo do të ndikojë pozitivisht në vlerësimin sa më të plotë të këngës dhe interpretimit tuaj?
Këtë vit është shumë pozitive që Festivali është ‘live’. Një këngëtar duhet të këndojë këngën e vet, ndryshe nuk është këngëtar. Është iniciativë shumë e madhe, është shumë e vlerësuar nga ana ime dhe e artistëve që këndojnë ‘live’.
Nga se përbëhet grupi juaj?
Grupi përbëhet nga 4 persona; unë, Julian Koçaj (guitar), Kledi Bahiti (Vokali), Erion Medha (Drums).
Keni pasur ndonjëherë keqkuptime mes grupit tuaj?
Ne kemi gjetur mirëkuptimin në grup. Fakti që kemi 4 vjet bashkë, tregon që jemi shumë mirë.
Po bën një vit që jeni martuar, çfarë mendimi ka gruaja juaj për muzikën tuaj?
Gruaja ime vjen nga një familje muzikantësh, vjehrri është kompozitor, kunati është kitarist, pra lidhjet që ajo ka me muzikën i kanë rrënjët që në vogëlinë e saj. Është një mbështetje shumë e madhe për mua, ka shkruar disa tekste të këngëve të mia dhe është fansja ime më e çmendur. Pëlqen gjithë këngët e mia, një ndër këngët më të pëlqyera të saj është kënga e ‘Top Festit’.
Ju keni marrë pjesë në shumë festivale, keni realizuar disa videoklipe, keni në repertorin tuaj këngë shumë të bukura, përfshirë këtu dhe një prej këngëve më të mira dedikuar dashurisë (‘Më mashtruan sytë’). Përse nuk keni publikuar ende një album, kur do të kemi një album prej Vedat Ademit?
Më bëhet qejfi që kënga ime klasifikohet si ndër këngët më të bukura të dashurisë, sa i përket albumit, si material është gati. Ideja është që mund të bëj një tip turneu që ta promovoj vetë. Shpresoj dhe besoj shumë që do dalë këtë verë, normalisht pjesë e albumit do jenë 1 ose 2 videoklipe, që do t’i paraprijnë albumit.
Pretendoni çmimin e madh në ‘Top Fest 7’?
Vlerësoj anën e vlerësimit, në radhë të parë, më bëhet qejfi që kënga është pritur mirë nga publiku, është këngë moderne e realizuar shumë mirë. Shpresoj të vlerësohet. Sigurisht, për artistin është shtysë. Gara është shumë e fortë, ka këngë shumë të bukura, më e rëndësishme është që performanca të dalë mirë.


Revista Bluetooth
YouTube Preview Image