Ende s’dihet se kush do ta udhëheqë Ulqinin

May 26, 2010   | Lajmet / Vijesti

Ende s'dihet se kush do ta udhëheqë UlqininKrijimi i shumicës parlamentare në Ulqin, duke u mbështetur në deklaratat e dy ditëve të fundit pas zgjedhjeve lokale të së dielës, nuk do të jetë i lehtë. Prandaj ende nuk dihet se kush do të qeverisë Ulqinin, sado që është e qartë se kjo do të jetë bashkëqeverisje.
Bartësi i listës “Për Ulqinin evropian”, Gëzim Hajdinaga, kryetar aktual i Komunës së Ulqinit, siç raporton KosovaLive, ka paralajmëruar nënshkrimin e një marrëveshjeje me partnerin e këtij grupimi politik, Partinë Demokratike të Socialistëve, që ka siguruar 14 këshilltarë. Kjo përbërje edhe në mandatin e kaluar ka ushtruar pushtetin vendor, duke përfshirë këtu edhe Partinë e Prosperitetit Demokratik dhe Partinë Socialdemokratike.
Por, shefi i Socialdemokratëve të Ulqinit, Selim Resulbegu thotë se përkrahja jonë në Ulqin e Anë të Malit është rritur më shumë se 100 për qind. Ai shton se ky kapacitet yni do të integrohet në koalicion që siguron zhvillim dhe rregullimin e planimetrisë së Ulqinit, që në mandatin e kaluar, sipas tij, ka munguar në masën e duhur.
Karshi tyre, lideri i i Forcës së Re Demokratike, partisë më të madhe shqiptare në Ulqin e Mal të Zi, Nazif Cungu thotë se mbi 60 % e popullatës së Komunës së Ulqinit janë shprehur për ndryshim të pushtetit aktual. Për këtë arsye, krerët e partive që e kanë marrë besimin e votuesve dhe janë për ndryshime, obligohen të respektojnë dëshirën e popullit.
FORCA, thekson Cungu, merr obligim që këtë dëshirë të votuesve ta konkretizojë me një marrëveshje për qeverisje të ndershme në interes të gjithë qytetarëve të Komunës së Ulqinit.
“Ne iu bëjmë ofertë të gjithëve për një bashkëqeverisje dhe deklarojmë se nuk kemi pretendime për poste të caktuara dhe do bëjmë gjithçka që të formohet koalicion për pushtet të ardhshëm funksional, i cili do të përfaqësojë dëshirën e popullit për ndryshime dhe për fillim të një periudhe të zhvillimit të Komunës së Ulqinit”, ka theksuar Cungu.
Ndërkaq, bartësi i listës së Lidhjes Demokratike dhe Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve, inxhenieri Saubih Mehmeti, fushatën paraelektorale dhe rezultatet e shënuara i quan “invazion shtetëror mbi trupin votues nacional shqiptar”. Ai u bën apel partive nacionale shqiptare që të bashkohen për të ruajtur identitetin kombëtar shqiptar, që, me këto zgjedhje, “pa dyshim është luhatur shumë nga partitë në pushtet”.

Koha Net

REZULTATET DEFINITIVE MUND TI SHIKONI NE PDF “KLIKO”
ose kliko në Fotografi

30