Lorik Cana: Kam pozuar nudo per bamiresi – Video

May 29, 2010   | Lajmet / Vijesti

Lorik Cana nudoLorik Cana është padyshim një nga ambasadorët më të denjë të shqiptarëve në botë. Futbollisti i shkëlqyer i “Sunderland” me një karrierë për t’u pasur zili, ndodhet këto ditë pranë Kombëtares shqiptare, ku do të luajë në ndeshjen miqësore me Malin e Zi ditën e martë. E kemi takuar pikërisht pas stërvitjes së ditës së djeshme, ku me mjaft dëshirë ka ndarë me lexuesit e “Bluetooth” disa nga çastet më të bukura të jetës së tij si futbollist profesionist, pse jo edhe të jetës së tij private, për të cilën përpiqet pafund që ta ketë vërtet të tillë. Megjithatë, disa detaje na i ka rrëfyer në këtë intervistë ekskluzive. Le të ecim së bashku në të…
Lorik, prej 7 vitesh luani me ekipin kombëtar, si e shihni Kombëtaren sot?
Gjithmonë me nder dhe kënaqësi. Janë bërë tashmë 7 vite, mund të them 7 vite të bukura të mbushura me shumë kujtime, disa janë me momente të vështira, sepse me një kombëtare si jona nuk është gjithmonë e lehtë, sidomos nga aspekti i rezultateve. Por çdo herë kur jemi të grumbulluar këtu në vendin tonë me lojtarët, me njerëz të vendit tonë kalojmë momente shumë të bukura dhe emocionet janë gjithmonë të jashtëzakonshme.
Cili është sadisfaksioni më i madh që keni marrë gjatë kësaj kohe?
Është sadisfaksion personal. Unë gjithmonë kam pasur ëndrrën dhe dëshirën t’i mbroj ngjyrat e fanellës së vendit tim dhe patjetër për ne si kosovarë është një nder i madh që të përfaqësojmë Shqipërinë dhe përfaqësimi i kësaj fanelle nuk është vetëm për në Shqipëri, është për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë dhe për të gjitha trojet shqiptare dhe kemi jashtëzakonisht shumë kujtime të mira nga aspekti sportiv. Patjetër që ndeshja me Greqinë ka qenë diçka e veçantë sepse nuk ishte thjesht vetëm një ndeshje sporti, por gjithë kombi ishte pas nesh dhe ishte diçka shumë e bukur.
Së fundmi jeni shpallur në Angli, “Ambasadori i shqiptarëve në botë”, çfarë është për ju ky vlerësim?
Është gjithmonë diçka jashtëzakonisht e mirë, sepse është diçka që të dhurohet nga njerëzit e tu, nga populli dhe nga bashkëkombësit tanë që jetojnë në Britaninë e Madhe. Unë thjesht di shumë mirë që me futbollin mund të përfaqësoj një vend të tërë, kështu që mundohem gjithmonë që të jap një imazh të mirë dhe që të jap maksimumin në fushë, mandej të jap një imazh të mirë të vendit tim, të popullit tonë dhe që vetë këta njerëz që të japin një shpërblim të tillë, të krenohen dhe ajo është dhurata më e madhe.
Latë Francën për Anglinë. Si ju duket jeta angleze?
Nga aspekti sportiv jam jashtëzakonisht i kënaqur, sepse është vendi ku është krijuar futbolli dhe është një pasion i jashtëzakonshëm. Për çdo futbollist është diçka e veçantë ta përjetojë atë kampionat. E shijoj çdo ditë, çdo stërvitje, çdo ndeshje sidomos. Pastaj nga pikëpamja jetësore është një vend ndryshe, patjetër që për vete, Franca është një ndër vendet më të mira për të jetuar dhe Anglia nuk krahasohet fare me Francën, por për momentin jemi futbollistë dhe një ndër gjërat më të rëndësishme kemi futbollin dhe aty jam jashtëzakonisht i kënaqur.
Ju mungon miqësia me futbollistët francezë, ju keni pasur mik të ngushtë Ribery-n, apo jo?
Po, tani kam ndërruar disa ekipe dhe patjetër që kam miqësi me shumë futbollistë, disa janë më të afërt se të tjerët, por kam lidhur edhe miqësi në klubin e ri dhe ia kaloj shumë mirë.
Po kur keni lexuar për mikun tuaj Ribery që pati një skandal seksual, si jeni ndjerë dhe, a keni folur me të për këtë gjë?
Nuk është gjë e këndshme për asnjërin, sidomos për të, sepse më pas ky fakt ndikon edhe në familje. Pastaj ia thashë edhe vetë atij, që vetë i ka fajet. Asnjë futbollist nuk mund të thotë që nuk më ndodh, shumica e futbollistëve në fakt bëjnë gjëra, por nuk shfaqen në publik. Kështu që atij i ndodhi dhe fatkeqësisht iu krijua shumë vështirësi sidomos në aspektin e familjes, por është njeri i fortë dhe besoj që do ta kalojë këtë sfidë.
Duke qenë futbollist me famë, ndonjëherë privoheni nga gjërat personale, ju vjen keq që duhet të hiqni dorë nga shumë gjëra për të pasur një imazh sa më të pastër?
Po, po neve dhe mua personalisht futbolli më sjell kënaqësi dhe nder dhe mundohem që t’i bëj të gjitha gjërat që të jem sa më performant dhe që të kem lojën më të mirë në futboll dhe ajo na bën që jeta jonë të rregullohet mbas futbollit, nga aspekti i pushimit, nga aspekti i ushqimit, nga aspekti i udhëtimeve, nga aspekti i kohës, pasi gjithçka është e lidhur me futbollin. Kjo është gjëja më e rëndësishme për neve, kjo është gjëja që familja jonë jeton pas futbollit, jeton për futbollin dhe gjithashtu dhe ne. Për ne nuk ka ndonjë gjë më të rëndësishme në aspektin profesional, kështu që duhet t’i kushtojmë shumë rëndësi dhe shumë kohë.
Kur keni ikur fillimisht në Zvicër keni ikur si emigrant, si e kujtoni atë kohë dhe e keni menduar ndonjëherë që do të arrinit sot këtu ku jeni?
Kanë kaluar rreth 20 vjet që jam larguar nga Kosova dhe kam kujtime patjetër edhe në Kosovë, andej kam shumë kujtime në Zvicër, kam kaluar rreth 10 vjet dhe patjetër që nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Sigurisht që jeta e një emigranti është e vështirë, sidomos njerëzit e vendit tim e dinë shumë mirë këtë punë. Kemi shumë njerëz që jetojnë jashtë vendit tonë për të cilët ka qenë gjithashtu e vështirë. Sidomos gjëja më e vështirë është që kur nuk ke mundësi për t’u kthyer për ta takuar familjen. Patjetër që prindërit e mi dhe motrën e kisha me vete, por që mundësia për t’u kthyer në Kosovë për t’i takuar të afërmit ishte e vështirë dhe nuk kisha mundësi. Kur u ktheva pas 10 vitesh në Kosovë ka qenë emocionuese. Por Zvicra më ka dhënë mundësinë që të kem një arsimim të mirë, që të kem mundësi për të arritur në futboll dhe patjetër që kam kujtime të mira dhe sigurisht që pa këtë, ndoshta edhe nuk kisha arritur të jem futbollist profesionist.
E cilësoni veten tuaj me fat?
Patjetër! Fatin duhet edhe ta krijosh, por patjetër jam me fat sepse një herë kam pasur një familje që më ka dashur shumë dhe më ka mbështetur gjithmonë, më ka shtyrë përpara dhe ajo ka qenë forca ime për të arritur. Kam pasur një baba, që ka qenë për mua edhe si këshilltar i madh dhe sigurisht duhet jashtëzakonisht shumë punë për të arritur në këtë nivel. Por sigurisht që jam me fat.
Sa ka ndikuar jeta juaj private në futboll?
Nuk është folur jashtëzakonisht shumë për mua, nëse jam gabim mund të më thuash…
Sepse jeni hermetik?
Jo, thjesht që jetoj jashtë.
Po ja, lidhja me Zana Krasniqin është zbuluar?
Mirë, po ajo nuk ka qenë ndonjë gjë e fshehur, sepse po deshe me fsheh ndonjë gjë nuk del nëpër kalendarë apo nëpër fotografi dhe lidhje apo jo lidhje, njerëzit nuk mund ta dinë. Njerëzit munden të lexojnë se çfarë shkruan shtypi. Është shkruar disa herë për shumë marrëdhënie të tjera, por ajo që është e vërtetë dhe ajo që është e gënjeshtërt më intereson vetëm mua.
Siç është lidhja e fundit me një vajzë angleze?
Siç e thashë njerëzit shkruajnë, disa besojnë – disa nuk besojnë, por mua nuk më duket gjë e rëndësishme, mua më shumë më pëlqen ta kaloj kohën dhe të flas për futbollin, për angazhimet e mia sesa të flas për marrëdhëniet e mia, sepse deri në momentin që nuk e kam gjetur personin që dua të kaloj jetën time, nuk më duket e rëndësishme që të flas.
Keni menduar për ta gjetur personin që do të kaloni jetën?
Patjetër, patjetër! Asnjëherë nuk ka një moshë kur thotë njeriu që duhet të martohem, duhet të krijoj një relacion më serioz, por patjetër që dëshira është. Por pastaj ju siguroj që është vështirë për jetën tonë që të gjesh një njeri, sepse lëvizim shumë, por nuk duhet të nxitohemi, duhet t’ia lëmë kohës të bëjë punën e vet.
Mendoni që duhet të jetë patjetër shqiptare, apo nuk keni preferenca?
Shpresoj, shpresoj! Ashtu e kam dëshirën, por sa më shumë vitet kalojnë, aq më shumë e shoh që është e vështirë, sepse jetoj jashtë vendit dhe nuk takoj as shumë goca shqiptare, kështu që është e vështirë, jashtëzakonisht e vështirë.
Çfarë është për ju paraja? E konsideroni veten një njeri të pasur?
Për mua, paraja është gjë jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse po munde ta shikosh një njeri që nuk ka shumë para dhe që vuan për ta fituar bukën e gojës në fund të muajit, sigurisht që paraja është një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme. Ai njeri që thotë se nuk është e rëndësishme, ai njeri gënjen ose nuk ka qenë asnjëherë në nevojë, por mund të them se e ndjej veten të pasur sepse kam pasuri në çdo anë, kam pasuri në jetën time, që kam dashuri shumë të madhe, sidomos familjen time! Kam pasuri shëndetin, besoj që jap shumë nga vetja dhe besoj që kjo është një lloj pasurie. Pastaj pasuria ekonomike dhe pasuria materiale është një gjë tjetër, patjetër që kam disa dëshira dhe disa pasione që me pasurinë ose paranë mund t’i realizosh, megjithatë nuk kemi edhe aq shumë kohë për t’i shfrytëzuar.
Dikur keni pozuar nudo, do të pozonit sërish nëse do t’ju propozonin dhe do të kishit një ofertë vërtet të mirë?
E kam bërë me Parisin, tani, nuk kam qenë komplet nudo. Kam qenë nudo, por organet intime i kam mbuluar e atëherë kam qenë i ri, kam qenë 20 vjeç.
Po sot do ta bënit?
Pfff, në qoftë se mban një lloj intimiteti po, por kështu komplet nudo jo, mund të jesh nudo, por të mbash një intimitet. Në qoftë se është për një gjë të rëndësishme. Në atë kohë ka qenë për bamirësi dhe e kam bërë.
Ju jeni shfaqur si një njeri bamirës edhe në Shqipëri. Kujtoj këtu ndihmën për të përmbyturit në Shkodër…
Po, ai ka qenë një veprim instiktiv i imi. Unë me të vërtetë mundohem që me profesionin tim që më jep shumë shikueshmëri dhe dëgjueshmëri në arenën ndërkombëtare, mundohem ta përdor këtë për të dhënë një imazh të mirë të vendit tim, por gjithmonë jam shumë afër vendit dhe popullit tim. E di që një njeri i vetëm nuk mund të ndryshojë asgjë dhe nuk pretendoj që të mund të ndryshoj, por vetë si njeri unë e ndjej që të jem sa më afër popullit tim dhe në disa raste që edhe t’i ndihmoj. E kam bërë në disa raste në Kosovë, sepse është vendi ku kam lindur dhe jam shumë afër kosovarëve, por nuk bëj asnjë ndarje, asnjë dallim mes kosovarëve dhe shqiptarëve sepse për mua janë një popull dhe patjetër që kur Shkodra ka qenë në nevojë, jam përgjigjur. Më shumë ka qenë një gjë simbolike për të ndërgjegjësuar dhe opinionin dhe njerëzit e tjerë që kanë mundësi për të ndihmuar se sa për të treguar që ja, unë po ndihmoj. Kam disa operacione të tjera, besoj do bashkëpunoj edhe me fondacionin e fëmijëve shqiptarë, do bashkëpunoj edhe me UNICEF-in. Sot do ikim të vizitojmë fëmijët që janë në shtëpi riedukimi, në burgun e Kavajës. Do iki të kaloj pak kohë me ta, do iki gjithashtu me UNICEF-in të vizitoj edhe fëmijët e dhunuar. Janë gjëra që nuk më marrin shumë kohë dhe më duken shumë të rëndësishme.
Çdo vit vini për pushime në Shqipëri, keni bërë këtë vit një plan të tillë?
Besoj që po. Nuk e di akoma në çfarë momenti, por sigurisht unë e kaloj kohën në Kosovë me familjen, në Francë, do iki diku për të pushuar. Gjithmonë e kam një destinacion të ri, çdo vit udhëtoj rreth botës për të parë një vend të ri dhe sigurisht besoj se do t’i kaloj disa ditë edhe në Shqipëri, patjetër.

Revista Bluetooth

YouTube Preview Image