Elita: Në skenë, për të trashëguar famën e babait tim

June 7, 2010   | Lajmet / Vijesti

Elita Ziberi & Arif Ziberi.1Ka lindur me fat pasi emri i saj ka famën e “Elita 5”, grupit të njohur tetovar të viteve ’90-të. E në natën finale të “Top Fest 7”  kupën “Artisti më i mirë i ri” ia dorëzoi vokalisti i grupit, Arif Ziberi. Ndoshta ishte e para artiste që kupën e mori nga babai i saj, njësoj sikur të kishte marrë një stafetë. Por jo pa qëllim, pasi ajo dhe djemtë e grupit tetovar  “XXL” pas suksesit me këngën “Adrenalina” tani ëndërrojnë të trashëgojnë famën e “Elita 5”. Vokalistja 17-vjeçare rrëfen më shumë për familjen vetëm me muzikantë, dy motrat të vogla dhe nënën profesoreshë, babain e njohur dhe ambiciet e saj:
Grupi “Elita 5” ku vokalisti është babai juaj është krijuar në fillim të viteve ’90-të. Ka lindur më parë “Elita 5” apo Elita Ziberi?
Unë kam lindur pasi grupi “Elita 5” ishte krijuar dhe ka qenë Virusi (Nexhat Mujovi) që ka vendosur që unë të quhesha Elita, për të përjetëuar emrin e këtij grupi.

Cila është kënga që ju pëlqen më shumë nga repertori i tyre?

Kënga ime e preferuar është “Harroje vetminë” që e këndoj me shpirt gjithmonë.

Gjatë natës finale në “Top Fest 7” kamera fokusohej tek Arifi, babai juaj i cili ju shoqëronte duke kënduar. Cili është komunikimi që keni bashkë në jetë?

Po më treguan mikeshat që kanë parë Arifin me sytë të përlotur duke më parë mua dhe duke kënduar. Në jetë jëmi të lidhur po ashtu. Ai gjithmonë më këshillon që të mbaroj shkollën pastaj të merrem me gjërat e tjera. Të jem një vajzë e fortë e të mos dorëzohem kurrë. Në muzikë vendimin për të qenë pjesë e grupit e kam marrë vetë, por im atë më ka përkrahur gjithmonë.

Si u ndihet që kupën j’ua dorëzoi babai juaj, ishte një ide e mirë sipas jush?

Ishte një ndjenjë që s’mundem ta përshkruj pasi e dija që babai im do ngjitej në skenë për të dhënë çmim, po nuk e kisha idenë që atë çmim do ma jepte mua. U emocionova më shumë se në momentet kur performova në skenë.

Çfarë babai është Arifi, pasi dihet që gjatë gjithë karrierës së tij ai zgjimin e bën pasdreke. Ju mungon në përditshmërinë tuaj?

Po të gjithë anëtarët e grupit “Elita 5” përfshirë dhe babain tim zgjohen pasdreke, pasi puna i pret natën dhe janë shumë të lodhur. Por nuk besoj se Arifi ndryshon nga njerëzit e thjeshtë, është një baba shumë i mirë që çdo herë na përkrah dhe kujdeset për ne.

Kthehemi te konkurrimi në “Top Fest 7”, kishte ndonjë këngëtar që do të kishit dëshirë të fitonte çmimin e madh?

Personalisht jam shumë e kënaqur me çmimin, sepse është hera e parë që marr pjesë në një festival të madh dhe për ne është sukses shumë i madh. Them se Eneda Tarifa e meritonte çmimin e madh, kishte një këngë jashtëzakonisht të bukur dhe unë u ndjeva shumë e privilegjuar kur më dha mikrofonin të këndoja një pjesë të këngës së saj. Më erdhi keq që nuk mori çmim Vedat Ademi sepse “Koha s’kthehet” ishte kënga ime e preferuar, që nuk nisesha asnjëherë në shkollë pa e dëgjuar çdo mëngjez.

Ndërkohë jeni vokalistja e grupit “XXL”, me pesë anëtarë njësoj si “Elita 5”. Është bërë me qëllim për të qenë sa më afër fizionomisë së grupit me famë?

Në fakt grupi “XXL” ka qenë i krijuar më parë por i mungonte një vokalist. Unë vazhdoj shkollën e muzikës me një anëtar të grupit Leutrimin, dhe ishte ai që ma bëri ftesën. Përsa u përket pesë anëtarëve, që kanë të dy grupet është thjesht një rastësi.

A do të jeni ju këngëtarët e bandës “XXL”, trashëguesit e famës së grupit “Elita 5”?

Shpresoj se po, atë ëndërr kemi.

Fansat e kanë komentuar perfomancën tuaj duke thënë se më në fund një zë femëror shpërthyes nga Maqedonia. Në fakt ju si ndiheni në konkurrencën e zërave femërore?

Normal në Maqedoni në Tetovë nuk është ndonjë femër që këndon me një grup dhe për ne është plus shumë i madh. Unë ende e re jam, vetëm 17 vjeç, dhe s’mund të flas për konkurrencën. Shpresoj se më tutje nëse do të kem sukses do flas ashtu siç duhet.

Në skenë dilni e rrethuar nga djem, në jetë jeni duke jetuar ndonjë lidhje me ndonjë djalë?

Unë për dy muaj mbush 18 vjeçe. Jam duke u rritur dhe normal që kemi simpati. Pse jo në të ardhmen të kem një lidhje të mirë siç do të më pëlqente për ta jetuar gjithë jetën time.

Shqipmedia