Ulqini ende pa qeverisje të re vendore

June 11, 2010   | Politika
Partit udheheqse te ulqinit_UDSH_PSD_PDS_PPD

Foto nga Arkivi

Ulqin, 10 qershor – Ulqini vazhdon të jetë pa qeverisje të re lokale mbi bazat e rezultateve të zgjedhjeve vendore të datës 23 maj.
Koalicioni “Për Ulqinin evropian”, të cilin e përbëjnë Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH) dhe Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) e Milo Gjukanoviqit, që ka marrë më shumë mandate – 14 këshilltarë, të pamjaftueshëm për të themeluar pushtetin, ende nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje bashkëqeverisjeje.
Vazhdimisht, pas zbardhjes së rezultateve, bartësi i listës zgjedhore të këtij koalicioni, Gëzim Hajdinaga, kryetar aktual i Komunës së Ulqinit, ka deklaruar se shumicën do ta formojnë edhe me këshilltarët e Partisë së Prosperitetit Demokratik dhe ata të Partisë Socialisdemokratike (PSD), të cilat kanë siguruar nga dy këshilltarë.
Zyrtarizimi i kësaj bashkërenditjeje të këtyre katër partive, të cilat edhe në mandatin e kaluar kanë ushtruar në koalicion pushtetin lokal të Ulqinit, nuk ka ndodhur.
“Është e vërtetë se pas zgjedhjeve kemi biseduar, por nuk kemi bërë asnjë marrëveshje, ofertën e duam vetëm me shkrim,” është shprehur kryesocialdemokrati i Ulqinit, Selim Resulbegu.
Por, kryetari i Këshillit Komunal të Partisë Demokratike të Socialistëve të Milo Gjukanoviqit, Luigj Shkreli, në fillim të kësaj jave deklaroi se ende nuk është arritur asnjë ujdi, dhe se për këtë vendoset në selitë qendrore të dy partive kryesore, PDS dhe PSD në Podgoricë.
Ndonëse koalicioni i deritashëm “Për Ulqinin evropian” funksionon normalisht në ushtrimin e pushtetit vendor, meqë jemi në vigjilien e sezonit turistik, prej nga Ulqini ekziston, është çështje thelbësore konstituimi i garniturës së re udhëheqëse lokale. Është shumë e qartë se “PSD nuk do të jetë partnerja e mandatit të kaluar, e anashkaluar”.
Sipas burimeve të informuara mirë të KosovaLive, PSD kërkon Drejtorinë e urbanizmit, sektorin e buxhetit dhe financave, ndërmarrjen komunale dhe postin e nënkryetarit të Komunës.
Mbase derisa të vendos Podgorica, në Ulqin vështirë se se do të themelohet qeveria e re komunale.


KOHA NET

15