Haziri i premton Ulqinit turistë dhe kulturë kosovare – Video

June 20, 2010   | Lajmet / Vijesti, Rajoni / Region

Lutfi HaziriMinistri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Lutfi Haziri, duke u kthyer nga një vizitë zyrtare në Romë të Italisë, të premten pasdite vizitoi edhe Ulqinin, ku u prit nga kryetari i kësaj komune Gëzim Hajdinaga.
Ministri Haziri tha se turistët kosovarë i njohin mirë bukuritë dhe kushtet e pushimit në këtë qytet të mrekullueshëm dhe, sipas tij, ata kurrë nuk e anashkalojnë Ulqinin.
“Po shoh angazhimin e madh të pushtetit lokal në përgatitjen e të gjitha segmenteve të qytetit dhe rrethinës, duke e shndërruar Ulqinin në një ambient vërtetë evropian turistik”, u shpreh ministri Haziri.
Haziri mirëpriti ftesën e kryetarit të Ulqinit që krijuesit dhe artistët kosovarë të jenë të pranishëm në Panairin tradicional të librit shqip, i cili mbahet në fund të korrikut dhe në Festivalin kulturor “Skena verore Ulqini 2010”.
I pyetur nga KosovaLive se a mund t’i përkrah Qeveria e Republikës së Kosovës projektet kulturore të shqiptarëve në Malin e Zi ashtu si vepron Qeveria e Republikës së Kroacisë, e cila përkrah të gjitha projektet e identitetit kulturor të pakicës kroate në rajonin e Bokës së Kotorrit në Malin e Zi, ministri kosovar i Kulturës, Lutfi Haziri, pohoi se edhe Qeveria e Republikës së Kosovës mund t’i përkrahë projektet kulturore të shqiptarëve në Malin e Zi.
“Deri në fund të këtij muaji parashihet një takim me kolegun tim malazias, Branislav Miçunoviq, me të cilin do të nënshkruajmë një protokoll bashkëpunimi ndërmjet dy ministrive dhe shpresoj se në aneksin e atij dokumenti do ta definojmë edhe përkrahjen e projekteve të kulturës së shqiptarëve në Malin e Zi”, premtoi ministri Haziri.

KOHA NET
YouTube Preview Image

1