Kufiri i dikurshëm administrativ Kosovë-Mali i Zi do të bëhet shtetëror

June 21, 2010   | Rajoni / Region

Ivan Brajoviq _Bajram RexhepiPodgoricë, 21 qershor – Demarkacioni i kufirit të Malit të Zi dhe Kosovës do të duhej të përfundojë deri në fund të vitit, kanë deklaruar të hënën, në Podgoricë, ministrat e Punëve të Brendshme, Ivan Brajoviq dhe Bajram Rexhepi.
Duke folur në një konferencë shtypi pas takimit, Rexhepi tha se Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë pretendime për asnjë metër katror të territorit të vendit tjetër dhe se shpresohet se deri në fund të këtij, ose vitin e ardhshëm do të ketë demarkacion, njofton nga Podgorica KosovaLive.
Homologu i tij, Ivan Brajoviq nënvizoi se nuk ka asnjë dilemë, as nga ana e tyre, as nga pala kosovare, që kufijtë administrativë, të cilët kanë qenë kufij në ish-Jugosllavi, të bëhen kufij shtetërorë.
Rexhepi dhe Brajovic deklaruan se kanë gjetur edhe zgjidhjen e përkohshme për barinjtë nga Kosova, të cilët kërkojnë të drejtat e tyre për të shfrytëzuar kullosat e veta në territorin e Malit të Zi.
“Në pajtim me ligjin, do të paralajmërohet edhe do të bëhet e ditur se kur do të arrijnë njerëzit, të cilët shfrytëzojnë kullosat… do të mund të kalojnë kufirin me bagëti të ngarkuara në kamionë, të monitoruara si dhe të përcillen nga policia deri në Lebane. Në të njëjtën mënyrë në fund të verës të përcillen deri në kufi me Kosovën”, tha ai.
Duke e prekur letrën e dërguar nga Rexhepi, Brajoviq tha se aty nuk ka pasur fjalë të rënda dërguar Malit të Zi . “…asgjë që do të mund të shkaktonte ato reagime të cilat janë dëgjuar e lexuar në media.”
Ai tha se duhet intensifikuar negociatat mbi hapjen e kufirit për komunikacion ndërkombëtar, duke theksuar se tash funksionon vetëm një, dhe se do të duhej të rivitalizohet aksi rrugor Murinë-Çakor-Pejë.

KOHA NET