Nail Draga: Shqiptarët dhe zgjedhjet lokale

June 29, 2010   | Opinione

Diskursi politik
Zgjedhjet lokale në Mal të Zi që u mbajten në 14 komuna me 23 maj të këti viti në sajë të rezultatëve të arritura të subjekteve politike të shqiptarëve e dëshmua përfundimisht së disa individ duhet të shkojnë në pension politik, duke iu lëshuar vendin të rinjëve të cilët kanë ide dhe vizion për bashkëpunim për të afruar të tjerët të cilët kanë kapacitet demokratik e profesional për tu ballafaquar më të gjitha sfidat aktuale të shoqërisë

Ishte rastësi që në viset shqiptare në Mal të Zi të mbaheshin njëheresh zgjedhjet lokale moment ky i veçantë pas zgjedhjeve parlamentare të 29 marsit të vitit 2009. Madje ishte kjo një mundësi reale për të bërë një qasje analitike në lidhje më numrin e votuesve por edhe mbeshtetjen e subjektëve përkatëse të cilët do marrin pjesë në këto zgjedhje. Nëse për zgjedhjet parlamentare numri i subjektëve ishte i kufizuar duke marrë parasysh numrin e votave të nevojshme për një deputet, për zgjedhjet lokale ishte pikërisht e kundërta. Më ketë rast përveç subjektëve ekzistuese nacionale të shqiptarëve, atyre të ashtuquajtura qytetare u paraqitën edhe grupime qytetarësh që kishin aspiratat e tyre për qeverisjen lokale. Dhe një mozaik i tillë subjektësh bëri që konkurenca të jetë më e lartë së më parë, duke kriuar mundësi edhe për dekompozime politike.

Nuk u votuan programet por individët

Në vendet me demokraci të konsoliduar ne zgjedhje qofshin ato lokale apo parlamentare qytetarët përkatësisht elektorati votues në konsideratë merr programet e subjekteve konkuruese. Madje ne lidhje me to organizohen takime duke debatuar për të arritur të përfundimi optimal se cilit subjekt duhet dhënë mbeshtetjen në ditën e votimit. Në ketë aspekt përjashtim bëjnë mjediset jo demokratike dhe pa përvojë politikee ku këtu janë kryesisht ata të dala nga ish kampi socialist. Andaj në ketë aspekt edhe Mali i Zi nuk mund të jetë përjashtim e me ketë edhe elektorati shqiptar në ketë mjedis. Por, pasojat indoktrinuese nga sistemi i kaluar janë të pranishme gjithnjë edhe dy dekada pas rënies së sistemit monist sepse këtu ende është i pranishëm kulti i individit.

Dhe nga një vetëdije e tillë e ngulitur dekada me radhë jemi dëshmitar se shumë pak merren parasysh programet e subjektëve politike të cilët marrin pjesë në zgjedhje. Nga një qendrim i tillë del se nuk kemi të bëjmë me qasje parimore por me subjektivizëm ekskluziv duke mbeshtetur individët e ndryshëm pavarësisht se ata nuk ofrojnë asnjë lloj programi. Andaj duke pasur parasysh një konstatim të tillë nuk kemi si ti vlerësojmë ndryshe edhe rezultatet e 23 majit në zgjedhjet lokale. Sepse po të ishte e kundërta rezultatet do të ishin tjetër fare pra në favor të atyre që kanë ofruar programe.

Vetëm një subjekt politik ofroi program zhvillimor

Për dallim nga të gjitha subjektët tjera politike të cilat kanë konkuruar në zgjedhje vetëm Forca ka ofruar programin e vet në këto zgjedhje lokale. Ai program i është prezantuar opinionit të gjerë në konferencën për shtyp dy javë para zgjedhjeve. Teksti i broshurës ka gjithsej 32 faqe, por në fakt paraqet një rezime nga materiali i gjerë mbi 100 faqesh. Një veprim i tillë ka treguar seriozitetin e qasjes ndaj problemeve aktuale të ngecjes së zhvillimit të viseve shqiptare në përgjithësi e në komunën e Ulqinit në veçanti.
Me keqardhje konstatojmë se programi i Forcës ishte i vetmi që paraqet alternativen programore të zhvillimit, për katër vitët e ardhshme. Në lidhje me ketë program stafi drejtues dhe anëtarët e tjerë kanë debatuar në tribuna dhe takime të ndryshme me elektoratin e gjerë duke ofruar shpjegime plotësuese për çdo veprimtari e cila mundëson zhvillim të qendrueshëm të këtij mjedisi. Po ashtu duhet cekur se edhe subjektet e tjera pjesëmarrëse kanë trajtuar çështjet ekonomike por në mënyrë formale sa për të debatuar e ate kryesisht në media, por material të shkruar nuk kanë i kanë ofruar eklektoratit votues.

Ulqini dhe Malësia në qendër të vëmendjes

Ne krahasim me viset tjera shqiptare në Mal të Zi, nuk ka dilemë se Ulqini dhe Malësia ishin në qendër të vemendjës me vet faktin se janë të dominuara me popullsi shqiptare, ndërsa shumica parlamentare ishte e brishtë, vetëm me një mandat të këshilltarit. Dhe një e dhënë e tillë në sajë të përvojës katërvjeçare(2006-2010) mundësonte për kalkulime të ndryshme të koalicionëve për të arritur shumicën parlamentare. Andaj nga gjendja e krijuar ne këto dy komuna kishim një konkurencë të jashtëzakonshme të subjekteve politike që aspironin pushtetin lokal. Një ndjenjë e tillë nuk ishte formale por me aspirata për të ndryshuar gjendjen ekzistuese nga ana e opozitës apo për ta mbajtur gjithnjë nën kontroll ate nga pozita aktuale.

Pikërisht angazhimi i subjektëve gjatë fushatës parazgjedhore dëshmoj një konstatim të tillë, ku koalicioni UDSH-DPS në Ulqin u angazhua më terë kapacitetin e mundshëm për investime infrastrukturore në dhejtëditëshin e fundit para zgjedhjeve. Një veprim i tillë nuk ka dilemë se ishte iritues për qytetarët, por jo edhe befasi sepse një dukuri e tillë pothuaj është bërë normale para zgjedhjeve qofshin ata lokale apo parlamentare.
Ndonse më përmasa më të vogla një dukuri e tillë është paraqitur edhe në Malësi, ndërsa UDSH u paraqit me slloganin parazgjedhor duke pasur në qendër të vemendjes referendumin për Malësi, duke i dhënë për të kuptuar elektoratit votues, së nëse doni të fitoni komunën e plotë, ajo do të arrihet përmes referendumit, por fillimisht duhet të votohet koalicioni UDSH-DPS-PB për të marrë pushtetin në komunën urbane në Tuz. Një veprim i tillë propagandistik parazgjedhor kishte mbeshtetjen edhe nga koalicioni i partnerit pra nga DPS-i, duke premtuar së një referendum i tillë do të mbahet gjatë mandatit katërvjeçar. Është çështje tjetër se kur do të mbahet referendumi dhe cila do të jetë pyetja përkatëse dhe se a do të jetë ai i suksesshëm që nuk ka dilemë së do të varet nga skenaristi dhe regjisori që do të përgatisë një çfaqje të tillë.
Situata nuk ka qenë ndryshe as në komunat tjera ku shqiptarët janë pothuaj pakicë apsolute si në Tivar, Plavë e Rozhajë, por atje kishte përmasa tjera sepse mundësia e elektoratit shqiptar ishte e kufizuar. Andaj dhe si e tillë edhe minimale për të vendosur për qeverisjen lokale të komunave përkatëse.

Mozaiku i skenës politike në Ulqin

Duke përcjellur skenën lokale politike në Ulqin sidomos nga viti 2006 e këndej, çdo kush e kishte të qartë se zgjedhjet e ardhshme lokale do të jenë të veçanta në krahasim më të kaluarat. Dhe ajo çka pritej ndodhi. Fillimisht befasi ishte numri i madh i listave zgjedhore(9) që përbëhej nga tre koalicione(UDSH-DPS, LDMZ-BDSHMZ, Koalicioni “Për Ulqinin më të mirë-Mali i Zi më i mirë”) dhe 6 subjekte të veçanta( Forca, PSD, PPD, Partia Boshnjake, Lëvizja qytetare”Përspektiva” dhe grupi i qytetarëve “E vërteta”.
Ndonse kishte komente të shumta për ketë numër të madh të subjekteve që u paraqitën në zgjedhjet lokale një gjë ishte e sigurt se paraqitja e tyre në mënyrë të veçantë nuk ishte në favor të tyre por të subjektëve apo koalicionëve më të mëdha.Dhe një konstatim i tillë u dëshmua më rezultatin përfundimtar të publikuar nga komisioni komunal zgjedhor.
Kështu u bë e ditur se nga 18274 votues sa ka komuna e Ulqinit në zgjedhje kanë dalur 12255 votues apo 66.5% e nga to vota të vlefshme ishin 12122. Në sajë të rezultatëve definitive subjektët përkatëse fituan këto vota dhe mandate këshilltarësh: Forca fitoi 3642 vota(30%) apo 11 mandate këshilltarësh, PSD 728vota(6.01%), 2 mandate, UDSH-DPS 4816vota(39.73%) 14 mandate, PPD 667 vota(5.50%) 2 mandate, Koalicioni “Për Ulqinin më të mirë-Mali i Zi më i mirë” 907 vota(7.48%) 2 mandate, Lëvizja qytetare”Perspektiva” 661 vota(5.45%) 1 mandat dhe Koalicioni LDMZ-BDSH 485 vota(4.0%) 1 mandat. Ndërsa nuk e kanë arritur pragun e trepërqindeshit Partia Boshnjake 130 vota( 1.07%) dhe Grupimi qytetar “E vërteta për Ulqinin”86 vota( 0.71%).
Nga numri i mandatëve të fituara të këshilltarëve fitues i zgjedhjeve është FORCA sepse nga 8 këshilltar sa kishte në mandatin e kaluar tash ka rritje për tre këshilltar apo për 43% të votave në krahasim më vitin 2006. Ndërsa surpriza e zgjedhjeve pa dilemë është PSD e cila u paraqit vetë në zgjedhje duke fituar 2 mandate të këshilltarëve.
Pasi asnjë subjekt politik apo koalicion nuk ka siguruar numrin e duhur të shumicës parlamentare prej 17 këshilltarësh ekzistojnë varianta të ndryshme të formimit të saj. Nga ky aspekt duket se vendimtar do të jetë qendrimi i socialdemokratëve të cilët me 2 këshilltar që do të vendosin se cili opcion do të ketë shumicën parlamentare.

Dekompozimi politik në Malësi

Në zgjedhjet lokale për komunën urbane të Tuzit që përfshin territorin e Malësisë për 21 këshilltarë sa ka asamblea urbane nga 9611 votues të evidentuar, në zgjedhje kanë marrë pjesë 5573 votues apo 58% e tyre, që është një pjesëmarrje e lartë duke marrë parasysh numrin e lartë të popullsisë në emigracion. Por në sajë të rezultatëve të arritura ne krahasim me zgjedhjet e 10 shtatorit të vitit 2006 këtu kemi një dekompozim politik sepse opozita e 2006, tash u bë pozitë dhe e kundërta.

Koalicioni UDSH-DPS-PB ne zgjedhjet e 23 majit fituan 2722 vota apo 11 mandate, Koalicioni për Malësi 1832 vota apo 700 vota më pak dhe fituan 7 mandate nga 10 që kishin në vitin 2006, PSD fitoi 333 vota me 1 këshilltar, Lista për Tuzin 309 vota 1 këshilltar që lirisht mund të cilësohet si fituesi moral i zgjedhjeve në Malësi, si dhe lista për Malësi më të mirë 371 vota 1 këshilltar. Në sajë të këti rezultati koalicioni fitues UDSH-DPS-PB fitoi të drejten për të zgjedhur strukturat udhëheqëse të komunës urbane të Tuzit.
Mbetet për të analizuar në mënyrë të veçantë ramjen e koalicionit për Malësinë(IQ-ASH-LDMZ) dhe humbjen e qeverisjës lokale pas katër vite të pushtetit të tyre. Një analizë e detajuar dhe e paanshme do të eliminonte edhe dilemat e ndryshme që janë të pranishme ne këtë krahinë.

Në Plavë pjesë e qeverisjes lokale

Nëse në komunën e Tivarit ne zgjedhje lokale nga subjektët nacionale shqiptare si deri më tash ka marrë pjesë vetëm LDMZ e cila fitoj 749 vota dhe një mandat të këshilltarit por pa ndikimin në formimin e qeverisjes lokale, sepse koalicioni ekzitues(DPS-SDP) fitoj bindshëm(20 këshilltar), ndryshe është situata në komunën e Plavës.
Në këto zgjedhje në Plavë përveç subjektëve tjera morën pjesë tre subjekte politike nacionale të shqiptarëve që të fituan nga 1 këshilltar(UDSH 335 vota, LDMZ 299 vota dhe FORCA 220 vota).

Nga rezultatet e zgjedhjeve dual se askush nuk siguroj shumicën parlamentare apo fitorën absolute. Dhe nga një situatë e tillë u imponua formimi i një koalicioni të gjerë, ku në opcion ishin dy varianta të mundshme. Por pasi koalicioni i gjerëtanishëm(PSD-DPS) fitoj 14 mandate u arrit kompromisi me tre subjektet shqiptare(UDSH, LDMZ dhe FORCA) të cilat kanë fituar nga një mandat të këshilltarit dhe gjithsej kanë përbërë numrin prej 17 këshilltarësh, të mjaftueshëm për formimin e qeverisjes lokale.
Duhet thënë me ketë rast së befasia e tyre zgjedhjeve në ketë komunë është FORCA e cila për të parën herë u paraqit në skenën politike duke fituar një mandat të këshilltarit që ishte vendimtar për shumicën parlamentare e me të edhe të qeverisjës lokale.
Nga ana tjetër sipas informacioneve që disponojmë shqiptarët në komunën e Rozhajës pasi janë në numër të vogël edhe pse këtu dy subjektet nacionale shqiptare kanë degët e tyre(LDMZ dhe UDSH) kanë votuar në pjesën më të madhe për Partinë Boshnjake.

Pensionimi politik si akt moral

Në sajë të rezultatëve të arritura të subjekteve politike të shqiptarëve u dëshmua përfundimisht së disa subjekte politike nacionale nuk kanë kapacitete të mjaftueshme të ballafaqohen me rrjedhat e kohës, andaj si të tilla janë minore dhe nuk kanë më peshë në skenën politike. Marrja e një apo dy mandatëve të këshilltarëve dëshmon qartë se ata i takojnë të kaluarës dhe si të tilla nuk paraqesin motivim për elektoratin votues.

Në mungesë të programeve dhe të strukturave profesionale të dëshmuara si të tilla ata nuk kanë ndonjë përspektivë në të ardhmën andaj mbetet në stafet drejtuese që të vendosin më kohë të shkrihen apo t’iu bashkangjitën subjektëve të tjera, ndërsa në të kundërtën do të bien në nivelin e organizatave joqeveritare.
Ndërsa individ të ndryshëm të cilët janë në skenën politike pothuaj tash dy dekada, përfundimisht duhet të shkojnë në pension politik, duke iu lëshuar vendin të rinjëve të cilët kanë ide dhe vizion për bashkëpunim për të afruar të tjerët të cilët kanë kapacitet demokratik e profesional për tu ballafaquar më të gjitha sfidat aktuale të shoqërisë.

Dr. Nail Draga
http://forca.me/images/stories/videos/Promovimi_Ulqin.flv