Iliriana Gjoni: Pianistja që kërkon perfeksionizmin me notat muzikore
Prishtinë, 1 korrik – Ajo kërkon perfeksionizmin në piano dhe kjo u ka rënë në vesh edhe pianistëve më në zë. Gati në asnjë garë ku ia ka mësyrë Iliriana Gjoni, pianistja 23-vjeçare nga Ulqini i Malit të Zi, nuk është ndarë pa çmim. Koleksionuesja e mbi 20 çmimeve – ndër të cilët katër Lira të Arta në Garat Kombëtare të Malit të Zi, tri vende të para në konkursin ndërkombëtar EPTA, Çmimi i parë absolut në garat evropiane të mbajtura në Itali dhe së fundi Çmimi i parë në konkursin ndërkombëtar “Guardiagrele” – Gjoni thotë se ka një formulë për qenë një pianiste me nam.
“Kam pasur rastin të luaja në shumë vepra dhe gjëja më e rëndësishme është t’i dashurosh. Sekreti i të qenit pianiste e suksesshme fillimisht ka të bëjë me studimin, arritjen e përsosmërisë teknike”, ka thënë Gjoni. “Pastaj fillojnë të tjera; duhet të kesh energji, përkushtim”, ka shtuar ajo në një bisedë për “Kohën Ditore”, ku ka shpalosur rrugëtimin e saj të shpejtë në botën e muzikës.
Iliriana Gjoni ditë më parë ka mbajtur një koncert në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. Mbi dy orë ajo ka interpretuar veprat e Bethovenit, Brahmsit e Baçit.
“E ndiej veten shumë mirë kur performoj para publikut kosovar. Këtu ndihem si në shtëpinë time”, thotë ajo.
Gjoni ka një mënyrë të veçantë interpretimi që nuk haset shpesh. Në koncertet e saj nuk ka para vetes as edhe një partiturë të vetme. Për këtë, ajo ka një shpjegim.
“Gjatë dy orëve koncert më duket sikur e jetoj një jetë të tërë, lirohem nga të gjitha emocionet dhe u përkushtohem tërësisht pianos, notave, duke vënë në rend të parë veprën dhe atë që transmetoj te publiku pastaj vetveten”, ka thënë ajo.
Gjoni kthen kohën prapa dhe kujton “shkëndijëzat” e para që i kishin ngjallur tingujt e pianos.
“Kujtimet e mia të para me muzikën klasike janë ndjekja e programeve përmes televizioneve italiane, me koncerte madhështore të pianisteve shumë të bukura të cilat duartrokiteshin pa masë nga publiku dhe luanin melodi. Këto melodi te unë ngjallnin shumë emocion megjithëse fëmijët e tjerë i tërhiqnin më shumë lodrat”, kujton Gjoni.
Një vit më vonë ajo do të konkretizonte dëshirën e saj kur u regjistrua në shkollën fillore të muzikës, në qytetin e lindjes, Ulqin.
Pas mbarimit të shkollës fillore, ajo vazhdoi studimet në shkollën e mesme të muzikës “Vasa Paviq” në Podgoricë. Mbaroi studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë, departamenti i pianos. Përderisa në vitin 2006 frekuentoi masterklasë me pedagogen e shquar italiane Lucia Passaglia. Si fituese e një burse studimi të dhënë nga Qeveria italiane është transferuar në Itali ku studion në Konservatorin e Pescaras në klasën e Silvio Felicanit. Por vetë Gjoni, nuk e kishte paraparë një rrugëtim të tillë.
Pas përfundimit të shkollimit fillor, ajo shpesh ishte ndodhur në udhëkryq para se të bënte zgjedhjen.
“Shpesh kam qenë në dilemë mes ndonjë profesioni tjetër dhe pianos, por gjithmonë piano ka fituar në zgjedhjet e mia”, thotë Gjoni, duke siguruar se asnjëherë nuk është bërë pishman për këtë gjë.
Këtë do ta vërtetonte edhe me triumfin në gara kombëtare dhe ndërkombëtare, përderisa mjeshtër të huaj të pianos, do të shihnin tek Iliriana Gjoni, një instrumentiste që kërkon perfeksionizmin në notat muzikore. Ndër vlerësimet e shumta që i janë bërë punës së saj, ndër më të rëndësishmet për të është vlerësimi që i është bërë në Itali.
“Individualiteti që nga dukja e deri te interpretimi është ajo që më së shumti është vlerësuar nga italianët. Megjithëse dikush ka mundur ta shoh me skepticizëm mënyrën time të performuarit, italianët e kanë vlerësuar pikërisht origjinalitetin tim”, ka thënë Gjoni.
Çmimet që ka marrë deri tani, ajo i cilëson si një shtytje dhe shpërblim për punën që bën. “Por ka ende rrugë për të arritur perfeksionin”, përfundon ajo.
KOHA NET





