Ulqini i ka shpresat, te kosovarët

July 6, 2010   | Shtypi / Mediji

Ulqini i ka shpresat, te kosovarëtHoteli “Mediteran”, i cili ndodhet pak metra larg Plazhit të Vogël në Ulqin, dukej pothuajse i boshatisur.
Aty nuk kishte pushues sikurse herëve të tjera, ndonëse ishte java e fundit e qershorit dhe sezoni kishte gati një muaj që kishte filluar. Shqetësimi dukej në fytyrat e të gjithëve, që nga drejtori i hotelit, e deri te punëtorët e thjeshtë.
Sa për të kujtuar kohën e vjetër, kur Ulqini qysh në maj mbushej me turistë, një punëtor i këtij hoteli thoshte se nuk beson se kosovarët do t’ia kthejnë shpinën këtij bregdeti. Sipas tij, plazhet e Ulqinit për kosovarët janë sikur shtëpia e dytë.
“Kosovarët i njohin në thelb këto plazhe dhe hotele. Ata kudo që shkojnë, prapë nuk mund ta ndërrojnë me Ulqinin”, thoshte ky punëtor.
Ky optimizëm vërehej edhe te kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga. Ai ditën e martë të javës se fundit të qershorit, së bashku me disa biznese kosovare, po thërrisnin fuqishëm kosovarët për t’ia mësyrë Ulqinit. Natyrisht, kjo thirrje nuk iu bëhej një grupi të vogël njerëzish. Prapa saj qëndrojnë me mijëra kosovarë që dikur kanë qenë pushues të rregullt atje.
“50 për qind të pushuesve i kemi nga Kosova. Ne shpresojmë që kosovarët do ta zgjedhin Ulqinin edhe sivjet”, pohoi Gezim Hajdinaga, kryetar i Komunës së Ulqinit, duke shtuar se edhe sivjet shpresat e Ulqinit janë te kosovarët.
Numri një i Ulqinit nuk mendon se autostrada shqiptare mund ta dëmtojë turizmin në atë anë. Përkundrazi, ai thotë se është një plus i madh për Ulqinin, pasi qytetarët e Kosovës po e shfrytëzojnë autostradën për të shkuar atje.
Ndryshe në Mal të Zi është duke ndodhur edhe privatizimi i hoteleve. Hajdinaga thotë se shumë shpejt në të gjitha hotelet atje, do të ketë investime nga privatët, me çka pritet edhe të ketë infrastrukturë me cilësore, që sipas pronarëve të hoteleve, është një pikë e dobët e turizmit në Ulqin.
“Ende ka hotele në Ulqin në pronësi të shtetit, që nuk janë me standarde të larta”, tha Hajdinaga.
Megjithëkëtë, Ali Rexha, drejtor i Turizmit në Komunën e Ulqinit, pohoi se krahasuar me sezonin e kaluar, në Ulqin janë rregulluar shumë gjëra.
“Është bërë punë për pastërtinë që është në nivel. Pjesa kryesore e qytetit është rehabilituar”, pohoi Rexha.
Aktualisht hotelet në Ulqin disponojnë me 120 mijë shtretër. Ndërkaq, plazhet e Ulqinit, sipas Rexhës, janë të standardeve evropiane. Shumica prej tyre janë të pajisura me flamuj të katërt, që do të thotë posedojnë standarde të larta.

“Gjithashtu, plazhet e Ulqinit ofrojnë shumë, për pak të holla”, tha ai.
Ali Rexha_Isat Dragovoja
Megjithatë, edhe pse nuk kishin të dhëna konkrete, pasi sezoni ishte në fillim, komunarët dhe pronarët e hoteleve, e pranonin se ka pasur një start të zbehtë të sezonit. Deri në fillim të muajit qershor, plazhin e shijonin vetëm ulqinakët. Diçka më mirë ishte javën e fundit të qershorit, përkatësisht javën e parë të korrikut, kur numri i turistëve edhe filloi të rritej.
“Sivjet nuk është fluksi i njëjtë i turistëve, sikurse viteve të tjera. Por, besoj se Ulqini do të vazhdojë të jetë edhe për një kohë i pëlqyer për kosovarët”, tha Rexha.
Ndërkaq, ofertat dhe çmimet e hoteleve dhe ushqimi në përgjithësi nuk kanë ndryshuar shumë, krahasuar me vitin e kaluar. Pronarët e hoteleve thonë se me çmime janë konkurrentë të denjë me krejt vendet e rajonit.
Isak Dragovoja, drejtues i organizatës “Riviera e Ulqinit”, që bart në vete tri hotele, thotë se ofertat dhe çmimet nuk kanë lëvizur. Përkundër krizës, sipas tij, me punë është arritur që të jenë konkurrentë në rajon me çmime dhe kualitet.
“Çmimet sillen prej 24-31 euro gjatë muajit korrik për gjysmë pansioni, ndërsa për muajin gusht çmimet sillen 27-36 euro”, thotë Dragovoja.
Njëri nga hotelet e kësaj riviere, Hoteli “Olympic”, ka 1000 shtretër, ndërsa “Ada Bojana” posedon 600 shtretër.

“Çmimet tona janë më të mira në rajon sa i përket turizmit”, thotë ai.

Edhe për të, ndërtimi i autostradës Vërmicë – Merdar, nuk ka ndikuar për të keq. Madje, thotë se qytetarët e Kosovës po e shfrytëzojnë autostradën shqiptare për të shkuar në Ulqin.

Ofertat për Mal të Zi

Agjencia Kombëtare e Malit të Zi ka njoftuar se ofertat turistike të këtij vendi përmbajnë dy paket-aranzhmane, në sektorin privat dhe atë hotelier, i cili do të menaxhohet nga agjencitë e organizatës së turizmit të Malit të Zi. Sipas kësaj agjencie, vitin e kaluar, bregdetin e Malit të Zi e kanë vizituar mbi 50 mijë turistë nga Kosova. Këtë vit, Agjencia pret një numër edhe më të madh të turistëve, duke e shfrytëzuar edhe autostradën e Shqipërisë. Paketa turistike në sektorin privat jashtë sezonit do të jetë 42 euro, për 7 ditë, ndërsa gjatë sezonit nga 1 korriku deri më 31 gusht, çmimi do të jetë më i lartë nga 70 deri në 77 euro. Ndërsa, akomodimi në hotele jashtë sezonit do të jetë me një çmim prej 72 deri në 154 euro, ndërsa gjatë sezonit nga 155 deri në 280 euro, ofertë kjo, e cila përfshin hotelet e kategorisë 2 deri në 4 yje.

Dokumentet e Kosovës, të domosdoshme

Kufiri me Malin e Zi mund të kalohet vetëm me dokumente të Republikës së Kosovës. Letërnjoftimet dhe pasaportat e kohës se UNMIK-ut janë shpallur të pavlefshme dhe nuk mund të kalohet me to. Kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, ka porositur kosovarët që të kenë dokumente të Kosovës, kur vendosin për të kaluar pushimet në Mal të Zi. Ai ka shpjeguar se kjo është një marrëveshje e Malit të Zi me Qeverinë e Kosovës.
“Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Mali i Zi që të mos lejohen ata qytetarë që kanë dokumente të UNMIK-ut”, ka thënë Hajdinaga.

Lajmetsot
http://cdn9.fliqz.com/bca2a1bd98324f429cf68c31ef3b2269.flv

1