Ulqini vlerësohet me tre yje

July 10, 2010   | Lajmet / Vijesti

Plazh, shërbime hotelerie të nivelit nga 2-4 yje e muzikë “tallava”. Kjo është në përgjithësi oferta turistike e Ulqinit edhe për këtë vit. Risi ka pak, si në shërbime, po ashtu edhe në çmime, por pushuesit nga Kosova priten të jenë edhe këtë verë pjesa më e madhe e klientëve të kësaj oferte. Të paktën kështu shpresojnë ulqinakët.
Ulqini i këtij viti do të dukej shumë i ngjashëm me Ulqinin e viti 2009, apo edhe atë të viteve më herët, sikur të mos e kishte një befasi të pakëndshme. Në Kala, që është edhe simboli i qytetit kanë filluar edhe ndërtime të egra, me blloka të kuq.
Megjithëse nuk ka diçka të veçantë, Ulqini edhe sivjet ka mjaft vende për ata që donë të pushojnë në të, kurse efekti i autostradës së Shqipërisë, tash veç ka filluar të japë rezultate pozitive edhe për Ulqinin, pasi që rruga nëpër të, për në Mal të Zi, kalohet dukshëm më shpejt. Ulqinakët presin që autostrada e Kosovës do të rrisë edhe më vlerën këtij vendi.
Të vizituarit e Malit të Zi mund të kalohet vetëm me dokumente të Republikës së Kosovës, kurse letërnjoftimet dhe pasaportat e kohës së UNMIK-ut janë shpallur të pavlefshme dhe nuk mund të kalohet me to. Për këtë, Qeveria e Kosovës ka kërkuar që Mali i Zi që të mos lejohen ata qytetarë që kanë dokumente të UNMIK-ut të kalojnë tutje.

Plazhet me flamur të kaltër

Isak Dragovoja, menaxher i shitjes në organizatën publike “Riviera e Ulqinit”, që është edhe organizata më e madhe turistike në Ulqin, e që bart në vete tri hotele, thotë se ndërmarrja e tyre ofron mbi 1000 shtretër. Kurse, krejt Ulqini, sektori privat dhe ai publik, llogaritet të kenë në dispozicion mbi 120 mijë shtretër.
“Riviera e Ulqinit” posedon edhe fshatin turistik Ada në Bunë me rreth 600 shtretër. Megjithëkëtë, Dragovoja pranoi që hotelet e tyre janë me dy yje, dhe persin që së shpejti ta rrisin standardin. Kurse, për ofruesit privat të shfrimeve hotelierike, cilësia e shërbimeve shkon prej 2-4 yje.
Isak Dragovoja shpjegon se pasi që janë ndërmarrje publike, e kanë pasur të vështirë të jenë konkurrentë me çmime me ofruesit privat të shërbimeve të turizmit, mirëpo me punë kanë arritur të jenë konkurrentë në rajon me çmime dhe me kualitet. “E kemi krizën ekonomike globale dhe çmimet nuk i kemi ndryshuar për 3 vite me radhë. Çmimet sillen prej 24-31 euro gjatë muajit korrik për gjysmë pansioni, ndërsa për muajin gusht çmimet sillen 27-36 euro. Mëngjesi dhe darka janë tavolinë suedeze”, shprehet ai.
Dragovoja si menaxher i shitjes shpjegon që ata punojnë shumë për ta pasur tregun e Kosovës, ku janë angazhuar 15 agjenci turistike. Ai thotë se synojnë që të kenë së paku 50% të pushuesve nga Kosova, gjë të cilën nëpër disa konferenca për shtyp e thanë edhe kryetari i Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, si dhe Ali Rexha, drejtor i turizmit në Komunën e Ulqinit.
Për dallim nga hotelet, shërbimi në plazh është më në nivel. Derisa Ulqini njihet për dy plazhet, atë të voglin dhe të madhin, pushuesit nga Kosova dukej se kanë zgjedhur të parin. Por, plazhe që menaxhohen nga kompani private, në plazhin e madh, tashmë kanë fituar edhe “flamurin e kaltër”, si standard ndërkombëtar të cilësisë.

Oferta për një javë

Agjencisë Kombëtare e Malit të Zi, ka njoftuar se ofertat turistike të këtij vendi përmbajnë dy paket-aranzhmane, në sektorin privat dhe atë hotelier, i cili do të menaxhohet nga agjencitë e organizatës së turizmit të Malit të Zi. Sipas kësaj agjencie, vitin e kaluar, bregdetin e Malit të Zi, e kanë vizituar mbi 50 mijë turistë nga Kosova. Këtë vit Agjencia pret një numër edhe më të madh të turistëve, duke e shfrytëzuar edhe autostradën e Shqipërisë.
Paketa turistike në sektorin privat jashtë sezonit do të jetë 42 euro, për 7 ditë, ndërsa gjatë sezonit nga 1 korriku deri më 31 gusht, çmimi do të jetë më i lartë nga 70 deri në 77 euro. Ndërsa, akomodimi në hotele jashtë sezonit do të jetë me një çmim prej 72 deri në 154 euro, ndërsa gjatë sezonit nga 155 deri në 280 euro, ofertë kjo e cila përfshin hotelet e kategorisë 2 deri në 4 yje.
HTP Ulcinjska Rivijera


Panair, veç disa orë!

Panairin e Bizneseve Kosovare në UlqinMegjithëse të gjithë në Ulqin e pranojnë se mbi gjysma e veprimtarive të tyre turistike varen nga turistët nga Kosova, për bizneset e Kosovës ata nuk kanë bërë shumë. Sipas pronarëve të bizneseve që ekspozuan produktet e tyre në “Panairin e Bizneseve Kosovare në Ulqin”, të organizuar nga Aleanca Kosovare e Biznesit, në Ulqin është krijuar monopol i bizneseve të atyshme dhe vështirë depërtojnë bizneset nga Kosova. Megjithatë, për kryetarin e Ulqinit, Gëzim Hajdinaga kjo nuk qëndron.
Por, bizneset e Kosovës që morën pjesë në panairin e lartpërmendur, patën vërejtje për gjithçka rreth tij. “Kemi kërkuar që prodhimet tona të ekspozohen në qendër të qytetit, e ata na prunë këtu afër plazhit, që të kemi më shumë hapësirë, e mbetëm me këto pak metra dhe krejt në rrugë. Kam bërë shpenzime, e me sa po e shoh nuk ia paska vlejtur”, tha jozyrtarisht njëri ndër biznesmenët pjesëmarrës në panair.
E çuditërisht, Panairi edhe pse ishte prezantuar si disaditor, ai përfundoi pas pak orësh, pa asnjë shpjegim.

Degradime në Kala

Degradime në Kala te ulqinitNë kalanë e Ulqinit, që është edhe simboli i qytetit, tash kanë filluar edhe ndërtime të egra, me blloka të kuq. Një objekt i tillë tashmë gjendet i papërfunduar ende, vetëm pak metra nga ish-restaurant “Marko Pollo”. Banorët e atyshëm thonë që atë ka filluar ta ndërtojë një biznesmen me prejardhje nga Rusia, por ndërtimet ia ndërpreu UNESCO.
Sikur të mos mjaftonte kjo, kulla e Balshajve, që është një objekt shumë i veçantë brenda kalasë, tash më nuk e ka mbishkrimin shqip. Atë mund ta lexojnë vetëm ata që e dinë gjuhën serbe.

Shqipmedia


YouTube Preview Image