Panairi i Librit në Ulqin tubon katër ministra të rajonit

July 15, 2010   | Kulturë / Kultura

Edicioni i dhjetë i Panairit të librit “Ulqini 2010”, fillon më 28 korrik dhe do të zgjasë si zakonisht deri më 3 gusht. Kjo është ngjarja më e rëndësishme kulturore e vitit në Ulqin,e cila tradicionalisht organizohet nga Komuna e Ulqinit në bashkëpunim me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë nga Shqipëria.
“Karakteristike e panairit të këtij viti është se në hapjen e tij solemne do të jenë të pranishëm katër ministrat e kulturës së katër vendeve të rajonit, Malit të Zi, që është edhe mikpritës i homologëve të tjerë ballkanikë, ministrave të kulturës të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë”, të shtunën për KosovaLive kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga.
Ai shton se Panairi i librit bën që Ulqini të jetë në qendër të vëmendjes së këtyre vendeve të rajonit. Ministrat e kulturës nuk do të jenë vetëm zyrtarë rasti në këtë ngjarje, por do të shfrytëzohen edhe për bisedime për realizimin e ideve të bashkëpunimit ndërkulturor.
Hajdinaga shton se kohë më parë në Ulqin ishte ministri i Kulturës së Kosovës, Lutfi Haziri dhe tashmë është në përfundim e sipër nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit kulturor ndërmjet Malit të Zi e Kosovës, akt i cili do të nënshkruhet në Ulqin.
“Në këtë edicion të festës së librit, tashmë na e ka konfirmuar ardhjen mysafir i Komunës së Ulqinit dhe Panairit, autori i mirënjohur i letrave shqipe, Besnik Mustafaj, ish- kryediplomati shqiptar”, tha kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga. Ai shtoi se shkrimtarit Mustafaj do t’i organizohet një mbrëmje autoriale në të cilën do të flitet mbi veprimtarinë e tij letrare.

KOHA NET