Nis legalizimi i mbi 600 objekteve në Grykën e Bunës

July 31, 2010   | Ekonomia / Ekonomija

Ulqin: Ka nisur legalizimi i mbi 600 objekteve shumë të përfolura në zonën më ekzotike jo vetëm të bregdetit të Ulqinit, Grykën e lumit Buna, njofton KosovaLive.

Ndërtimet janë të jashtëligjshme dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi (LD në MZ) e shikon këtë si “kolonizim të Ulqinit etnik shqiptar”.

Vendimin për legalizim e kanë marrë Qeveria e Malit të Zi dhe Ndërmarrja Publike “Të mirat e detit”.

Zëdhënësi i kësaj ndërmarrje që menaxhon me bregdetin malazias, Zvonko Vujoviq thotë se këto objekte janë regjistruar si të përkohshme.

“Deri më 31 dhjetor të këtij viti, investuesit duhet të nënshkruajnë kontratë dhe të drejtë legalizimi kanë vetëm ata që ndodhen në evidencë dhe nuk janë të pajisur me leje ndërtimi”, thotë Vujoviq.

Në Parlamentin lokal të Ulqinit me vite të tëra debatohet për dukurinë e ndërtimeve të jashtëligjshme në bregun e lumit Buna. Partitë opozitare shqiptare si LD në MZ dhe Forca e Re Demokratike insistojnë që menaxhimi i bregdetit të kthehet nën ingerencat e Ulqinit dhe ai të vendos mbi ndërtimet në këtë lokalitet pranë kufirit malazez- shqiptar.

“Ky është kolonizim klasik i bregdetit tonë të Ulqinit. Organizatat joqeveritare të Ulqinit, por edhe ato malazeze e ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut dhe të mjedisit, vazhdimisht kemi apeluar te institucionet shtetërore malazeze që të ndalojnë intensitetin e shtuar të ndërtimeve pa leje në Grykën e lumit Buna, në një potencial të pazëvendësueshëm të ardhmërisë turistike,” thotë Xhemal Mustafa- Peroviq, bashkërendues ndërkombëtar i sektorit civil që monitoron lëvizjet ndërtimore në bregdetin e Ulqinit.

Zëdhënësi i Ndërmarrjes Publike “Të mirat detare”, që selinë e ka në Budva thotë se nënshkruesit e kontratës do të jenë vetëm shfrytëzues të sipërfaqes tokësore.

Ndonëse ende nuk është publikuar ndonjë listë e saktë, KosovaLive jozyrtarisht mëson se investuesit janë nga të gjitha vendet e rajonit dhe objektet më shumë u ngjajnë hoteleve shumëkatëshe, se sa shtëpive, gjoja, të pushimit, duke e ditur se pronarët e tyre merren me turizëm edhe inspektorët turistikë të komunës së Ulqinit nuk arrijnë dot në këtë lagje “të pashkelur”.

KOHA NET
YouTube Preview Image

1