U hap edicioni i 23-të i Festivalit “Skena Verore” – Video

August 15, 2010   | Kulturë / Kultura

Kultura në shërbim të turizmit
Festivali “Skena Verore” organizohet nga Qendra e Kulturës Ulqin dhe do të zgjasë 25 ditë. Sipas drejtorit të Qendrës së Kulturës Ulqin, Shaban Gjeka, gjatë këtyre netëve do të shfaqen rreth 30 programe të llojeve të ndryshme, përfshirë shfaqje teatrore, muzikë klasike dhe popullore, mbrëmje letrare etj. Edicioni i 23-të i Festivalit “Skena Verore” hapi të dielën siparin e tij me programin ku morën pjesë tenori i njohur Kastriot Tusha dhe orkestri i harqeve nga Tirana, mezzo-sopranoja nga Beogradi, Jadranka Jovanoviq, nën përcjelljen e pianistes Merita Subashiq – Shabanoviq, si dhe sopranoja nga Ulqini, Maida Resulbegu. Po këtë natë në galerinë “Kulla e Balshajve” u hap ekspozita e piktorëve Muharem Muratoviq nga Tivari dhe Branimir Sjeklloqa. Festivali i cili organizohet nga Qendra e Kulturës Ulqin do të zgjasë 25 ditë, gjatë të cilave do të shfaqen programe të ndryshme. “Gjatë këtyre netëve do të shfaqen rreth 30 programe të llojeve të ndryshme, përfshirë shfaqje teatrore, muzikë klasike dhe popullore, mbrëmje letrare etj. Do të ketë net kur do të shfaqen edhe nga dy programe”, thotë drejtori i Qendrës së Kulturës Ulqin, Shaban Gjeka. Pjesëmarrës të Festivalit “Skena Verore – Ulqini 2010” do të jenë si zakonisht teatrot e njohura nga Gjakova, Prishtina, Prizreni, Gjilani, pastaj teatrot nga Podgorica dhe Cetina, Akademia e Arteve – Tiranë, Shkolla e Densit – Tiranë etj. Natën e dytë të Festivalit para publikut u prezantua Shkolla e Densit nga Tirana, kurse natën e tretë Akademia e Arteve me komedinë “Vejushët”. Ndërkaq mbrëmë dhe sonte në skenën e këtij festivali do të prezantohet Teatri “Akt” nga Prishtina. Festivali tradicional “Skena Verore” ka për qëllim që turistëve të shumtë që gjatë verës vizitojnë Ulqinin t’u ofrojë përmbajtje kulturore duke begatuar në këtë mënyrë ofertën turistike të Ulqinit.

i.k
Koha javore
YouTube Preview Image