Ulqini kësaj vere rikthen shkëlqimin turistik

August 15, 2010   | Lajmet / Vijesti, Turizmi / Turizam

Ulqin: Muaji gusht rikthej shkëlqimin e vizitës së dikurshme turistike në këtë vendverim të njohur të Adriatikut. Sivjet, pushuesit më dominues ishin nga Kosova e Shqipëria, por erdhën edhe ata nga vendet e Evropës Qendrore.
Hotelet e rivierës së Ulqinit gjatë qershorit, korrikut edhe tash në gusht, kanë shënuar 35 për qind më shumë bujtje, krahasuar me vitin e kaluar. Pa dyshim se numri më i madh i pushuesve është i vendosur në sektorin privat. Ndonëse nuk dihet se sa është numri i tyre, supozohet se janë mbi 100 mijë. Organizata komunale turistike nuk arrin dot që të regjistrojë as 30 për qind të pushuesve në Ulqin, ka raportuar BalkanWeb.
Karshi kësaj vizite grandioze, Ulqini nuk shikohet mirë me sytë e medias, thotë për KosovaLive pronari i Plazhit të mirënjohur “Safari”, Zef Deliqi, i cili për të parë se si duket Ulqini, mblodhi në një darkë gazetarë të mediave malazeze, të Kosovës dhe të Kroacisë.
“Qëllimi i firmës sonë është që të përpiqemi të zhduken disa paragjykime që shfaqen në media ndaj Ulqinit, ndaj bukurive të tij natyrore, shërbimeve të nivelit më të lartë dhe të kulturuar të mjediseve tona ballkanike”, thotë Zefi.
Ai shton se Ulqinit i janë kthyer turistët nga Polonia dhe Çekia, të cilët para 20 vjetëve e kanë pasur destinacionin e vetëm në Adriatik.
Pronari i plazhit “Safari” nënvizon se “shteti dhe komuna duhet të na lehtësojnë arritjen e pushuesve. Kjo realizohet me ndërtimin e infrastrukturës rrugore, sepse kur turistët kthehen në qytet nga plazhi, në kolonë presin edhe më shumë se 30 minuta. Kjo, normalisht se shkakton pakënaqësi në radhët e mysafirëve”, thotë Zefi.
Ai është i bindur se lidhja e Ulqinit me Shkodrën me një rrugë bashkëkohore, së paku do të dyfishonte vizitat turistike. Ai këtë konstatim e mbështet në njohuritë që ka për interesimin jashtëzakonisht të madh të pushuesve nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Serbia e Bullgaria për verime në Ulqin.

KOHA NET


YouTube Preview Image