Nga kënga, te Dolce & Gabbana
Këngëtari Ekrem Jevric, i njohur me këngën “Kuca posao”, duket se është shqiptar nga Plava e Malit të Zi. Gruaja e tij quhet Igballe, ndërsa fëmijët quhen Enis, Nermin, Hajrudin dhe Berat. Më shumë se 3.5 milionë klikime të video spotit të tij kanë shtyrë firmën Dolce & Gabbana që të jetë në foto e koleksionit Dimër 2011.
Dilemat se çfarë nacionaliteti është këngëtari i këngës mjaft të klikuar “Kuca Posao”, Ekrem Jevric, i ka ardhur fundi.
Ai nuk është as malazez, e as boshnjak, por shqiptar nga Plava e Malit të Zi.
Kënga e “Boratit të Ballkanit”, siç është quajtur ky artisti i këngës “Kuca Posao”, që nga fundi i marsit, e deri sot, ka arritur më shumë 3.5 milionë klikime.
Në wikipedia thuhet se Jevric ka lindur në Plavë, ndërsa në vitin 1985 është martuar me gruan e tij, Igballen.
Në vitin 1988, ky këngëtar që nuk ka ndonjë zë të veçantë, por me një pamje mjaft qesharake, ka ikur në SHBA. Jevric ka katër djem, Enisin, Nerminin, Hajrudinin dhe Beratin. Kënga “Kuca posao” është pjesë e albumit të tij të parë. Në një intervistë, ky këngëtar tregon se kënga është kompozuar nga një shqiptar.
Frymëzimi për ta shkruar këtë këngë, sipas Jevricit, vjen pas një jete mjaft dinamike në qytetin e New Yorkyt. Shtëpi – punë apo anasjelltas, punë – shtëpi.
“Shkova ta kërkoj një njeri ndërsa më thanë se është në punë. Të nesërmen shkova ta kërkoj, ndërsa më thanë prapë se është në punë. Unë prapë e pyeta gruan e tij se ku është, ajo më tha në punë”, tha Jevric.
Muzika e kësaj, sipas Jevricit, është kompozuar nga një shqiptar i quajtur Gjini. Klikimet e mëdha që ka pasur kjo këngë absurde për shumëkënd, ndërsa qesharake për të tjerët, ka bërë që Jevric të zërë interesimin e firmës së njohur të modës Dolce& Gabbana. Në këtë seri të fotografive, Ekremi luan rolin e një rrobaqepësi.
Nga Milot Hasimja
Yllpress






