Rasti Valdanos rishyqyrtohet në Gjykatën Supreme të Malit të Zi

August 25, 2010   | Lajmet / Vijesti

Ulqin, 24 gusht – Gjykata Supreme e Malit të Zi ka kthyer në rishqyrtim njërën ndër aferat më të diskutuara, jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në rajon – çështjen e kthimit pronarëve legjitimë të 20 mijë ullinjve frutorë në gjirin e Valdanosit.

Këtë e konfirmoi të martën për KosovaLive avokati i njohur shqiptar ulqinak, Mustafa Çapuni, përfaqësues juridik i Shoqatës për kthimin e ullinjve.

“Siç dihet, shteti jugosllav, ulqinakëve u ka marrë me dhunë para tri dekadave 20 mijë ullinj frutorë, degë kryesore ekonomike pas turizmit. Pronarët, 105 sish, nuk kanë mundësi as sot e kësaj dite që të marrin pronat e tyre legjitime. Ne si shoqatë, kemi sensibilizuar opinionin e brendshëm dhe të jashtëm”, shprehet avokati Çapuni.

Ai thotë se vendimi i Gjykatës Supreme të Malit të Zi i rikthen shpresat se drejtësia malazeze mund të vendos drejt njëherë ndaj nesh.

“Drejtoria e pasurisë së paluhatshme dhe Gjykata administrative e kanë hedhur poshtë kërkesën tonë për kthimin e ullinjve, me pretekst se nuk ka bazë ligjore. Kjo përgjigje shihet qartë se është tendencioze dhe pas saj qëndron politika”,- konsideron Çapuni.

Ai thotë se kompleksi i ullinjve në Valdanos të Ulqinit është marrë për të ndërtuar, gjoja, herë bazë ushtarake, herë pushimore. Meqë nuk ka ekzistuar plan urbanistik, ish-ushtria jugosllave në Gjirin e Valdanosit nuk ka pasur të drejtë të ndërtojë asnjë objekt, duke e ditur se është pasuria e shenjtë e Ulqinit, është simboli i tij kulturor, historik dhe ekonomik.

“Kemi kërkuar vendimin sekret që ka sjellë para 33 vitesh sekretari i atëhershëm i Mbrojtjes së Ushtrisë jugosllave, por nuk e kemi gjetur në Drejtorinë e urbanizmit të Ulqinit, nuk na e kanë dhënë as në Podgoricë”, sqaron avokati ulqinak, Mustafa Çapuni.

Ai konsideron se fshehja e këtij dokumenti tregon qartë se ekspropriimi i ullinjve të Ulqinit nga Ushtria Jugosllave ka qenë me prapavijë politike edhe ky qëndrim vazhdon edhe sot e kësaj dite, tash nga Mali i Zi.

Avokati Çapuni e quan shumë të rëndësishëm vendimin e Gjykatës Supreme, me shpresë se ndoshta Mali i Zi heq dorë nga një diskriminim ndaj ulqinakëve.

KOHA NET



1