Joana Smakaj, një mama super-seksi

August 26, 2010   | Lajmet / Vijesti

A ka një recetë magjike bukurie? Nuk ekziston asnjë recetë magjike, nuk bëj asgjë të veçantë për t’u kujdesur për veten; sinqerisht, asgjë!

Kthehet pas një pauze në muzikë dhe pas një eksperience në spektaklet e bukurisë. Por, tani Joana nuk është më ajo bukuroshja që përfaqësonte Miss Lezhën, pasi prioriteti kryesor për momentin është familja e saj si dhe biznesi. Por, ajo pranon se për asnjë arsye nuk do të hiqte dorë nga muzika. Ndryshe nga shumë artiste, Joana e pëlqen tradicionalen, vlerëson tek ajo motive që në fakt e identifikojnë vendin nga të tjerët. Për sa u takon pushimeve, ka kaluar fazën e parë me bashkëshortin dhe djalin, por kjo nuk do të thotë se kjo verë mbari me kaq.

Joana, riktheheni me klipin “S’i kam harruar”. Për pak menduam se e kishit harruan këngën, publikun…?

Në këtë periudhë kam qenë më tepër e impenjuar me jetën private, por në asnjë mënyrë nuk e kam harruar publikun e aq më tepër, këngën. Ajo është dhe do të jetë pjesë e jetës sime, edhe sikur të mos mund të bëj më klipe ose të mos jem e angazhuar aq sa duhet me muzikë.

Me cilët bashkëpunëtorë e ndani suksesin këtë herë’?

Bashkëpunëtorët janë të njëjtë, si gjithmonë. Kënga është një produksion i Florian Mumajesit, të cilin do të doja ta falënderoja, sepse ka punuar shumë me këngën, duke e bërë atë më koherente, pasi kjo këngë ka më shumë se dy vjet që është përfunduar.

Sa argëtuese janë për ju festat me zhurmë, muzikë, kërcim dhe pije alkoolike?

Unë e pëlqej shumë zhurmën e muzikën e lartë dhe shpesh argëtohem me këto lloj festash në lokalin tim, por ka ca kohë që jam lodhur pak dhe do të doja më tepër qetësi.

Mund ta thoni recetën tuaj “magjike” për një look dhe formë kaq të mirë…?

Ndihem shumë mirë kur më thonë se mund të kem një recetë magjike, por të them të vërtetën, nuk ekziston asnjë recetë magjike, nuk bëj asgjë të veçantë për t’u kujdesur për veten; sinqerisht, asgjë.

Një nga ish-pjesëmarrësit e BB3, Klodi, ka treguar se ka qenë organizatori i parë i Miss Lezhës. Ju e keni mbajtur një herë këtë titull. Keni pasur mundësinë të punoni me Klodin?

Klodin e njoh personalisht dhe e vlerësoj shumë si person, por nuk kam pasur mundësi të punoj me të. Ai ka realizuar “Top Model” në Lezhë dhe pas 2 vitesh është zhvilluar Miss Lezha, ku kam marrë pjesë unë. Ajo ka qenë hera e parë që është zhvilluar Miss Lezha.

Jeni një mama më në formë se kurrë, aq sa pak kohë më parë përfaqësuat Shqipërinë në një konkurs bukurie. Nisur nga kjo, keni marrë oferta?

Do t’i merrja në shqyrtim patjetër. Çdo gjë duhet menduar njëherë e për të vendosur më pas, sado e mirë qoftë kjo ofertë.

Cilat janë prioritetet këtë periudhë?

Për momentin, më pëlqen të merrem me lokalin, pasi po ecën shumë mirë dhe meriton vëmendje.

Për çfarë arsyeje do ta duronit qëndrimin larg familjes për një kohë të gjatë?

Do të ishte shumë e vështirë për mua të qëndroja larg familjes, për çfarëdolloj arsyeje në botë. Do të mundohesha të kisha familjen me vete, për çdo lloj arsyeje që do të më duhej të largohesha. Në fakt, nuk e kam menduar ndonjëherë të jem larg tyre, prandaj nuk jap dot një përgjigje konkrete.

Çfarë çmoni më shumë nga tradicionalja dhe çfarë nga e reja?

Më pëlqejnë shumë dasmat tradicionale. Sado të bëhen dasma moderne, me kokteje etj., nuk e kanë kurrë lezetin dhe euforinë e dasmave tradicionale. Në çdo vend të botës ruhen disa tradita dhe unë e vlerësoj shumë këtë gjë. Nga ana tjetër, çmoj çdo gjë modeme që është brenda kufijve, qoftë ajo veshje, muzikë apo gjithçka tjetër.

Cili është imazhi më i bukur që ju vjen nga e kaluara?

Imazhi i dy gjysheve të mia që nuk jetojnë më, të cilat edhe kur i shikoj në ëndërr, më qetësojnë dhe më mbushin me dashuri, siç ndodhte kur ishin gjallë.

Fundjavat i kaloni me familje apo me shoqëri?

Me familjen kaloj pjesën më të madhe të kohës; jo vetëm fundjavën, por të gjitha ditët e javës.

Pushimet i bëni me plan apo të paparashikuara?

Zakonisht, pushimet i bëj të parashikuara, por ndodh që edhe të mos parashikojmë asgjë, por thjesht, vendosim të ikim diku me bashkëshortin e djalin dhe u bë… (Buzëqesh)

Ku dhe si po i kaloni ato këtë verë?

Kam kaluar disa ditë në Turqi, disa ditë isha në Velipojë dhe ia kam kaluar shumë mirë. Pas disa ditësh, do të shkojmë në Mal të Zi, sepse edhe atje ia kalojmë gjithmonë shumë mirë.

Jeni më shumë njeri i natës apo i ditës?

Jam njeri i ditës… Natën preferoj ta bëj gjumë, sepse kështu edhe jam mësuar. Ndodh të rri ndonjëherë vonë, por maksimumi deri në orën 1 dhe ndodh rrallëherë.

Ç’mendim keni për lidhjet me mblesëri?

Lidhjet me mblesëri ndonjëherë rezultojnë të suksesshme. Në qoftë se dy njerëz kuptohen dhe kanë dëshira të njëjta, çdo lidhje shkon mirë. Në qoftë se ndodh e kundërta, një lidhje është e dështuar, edhe sikur të kenë vite që njihen.

Cilat janë provat treguese të një dashurie të vërtetë?

Besoj se dashuria e vërtetë është ajo kur e do një person, jo për virtytet, por për të metat që ka dhe ia pranon ato pa tentuar ta ndryshosh.

Në çift është mirë të bëhesh njësh me partnerin apo të ruash hapësirat e tua?

Çdo çift dhe çdo njeri ka nevojë për privatësi. Kur ka mirëkuptim dhe dashuri mes njëri-tjetrit, nuk është e nevojshme të dihen mendimet apo passwordet e Facebookut.

E keni të lehtë të falni?

Unë jam një tip zemërbutë dhe fal kur bëhet fjalë për të rregulluar një marrëdhënie ose kur është për të mirën e diçkaje. Jeta është shumë e shkurtër dhe nuk ka kohë për inate.

Hakmarrja është ndjesi që karakterizon femrat apo meshkujt?

Mund të them që hakmarrja është ndjesi që karakterizon njerëzit e dobët. Një njeri i dobët ka mendim të hakmerret për çdo gjë, kur nuk është i aftë të sqarojë situatën.

Këngët që keni kënduar, kanë qenë të gjitha të natyrës suaj?

Sigurisht, në të kundërt nuk do t’i kisha kënduar për asnjë arsye në botë.

Sa e shpërblyer ndiheni në planin profesional dhe atë personal?

Jam e shpërblyer nga Zoti në maksimum dhe e falënderoj për çdo gjë që kam.

Gazeta Standard
YouTube Preview Image