Nimanbegu: Kot zvarritet shkëmbimi i ambasadorëve Prishtinë-Podgoricë

August 28, 2010   | Politika

Ulqin, 28 gusht – Edhe pse po bëhen dy vjet që Podgorica e ka njohur Republikën e Kosovës, e në fillim të këtij viti u vendosën marrëdhëniet diplomatike, as sot e kësaj dite nuk janë emëruar as vendosur ambasadorët në Prishtinë, përkatësisht në Podgoricë.

Deputeti dhe nënkryetari i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu konsideron se Mali I Zi dhe Kosova do të duhej të shkëmbejnë ambasadorët deri në vjeshtë.

Nimanbegu konsideron se koalicioni qeverisës duhet të lë anash mospajtimin e udhëheqjes së Partisë Demokratike të Socialistëve rreth çështjes së Kosovës, dhe t’i ngrejë marrëdhëniet diplomatike me Prishtinën në nivelin më të lartë.

“Sinqerisht, do të doja që para vjeshtës të emërohet ambasadori në Prishtinë, si dhe Kosova të hap përfaqësinë e vet diplomatike në Malin e Zi, duke e ditur se po bëhen dy vjet qëkur Podgorica e ka njohur Kosovën, dhe kjo zvarritje vendimin e Qeverisë së Podgoricës e lë pezull”, u shprehë të shtunën KosovaLive, Nimanbegu.

Secila qeveri, sipas tij, do të duhet të qëndrojë fuqshëm pas vendimit të vet, por dy vjet zvarritje janë shumë për kalkulime. Deputeti i Forcës… shpreson se me rritjen e numrit të shteteve që do ta njohin Kosovën, deri në fund të vitit do të menjanohet kjo dilemë.

Ndërkohë, janë shfaqur dy çështje, të cilat në opinion janë kundruar si “pengesa” për shkëmbimin e ambasadorëve – çështja e vijës së demarkacionit mes dy shteteve dhe njohja me Kushtetutë e pakicës malazeze në Kosovë.

Podgorica dhe Prishtina kanë deklaruar se mes Malit të Zi dhe Kosovës nuk ka asnjë çështje kontestuese kufitare, duke thënë se “kufijtë administrativë të ish-shtetit jugosllav, shndërrohen në kufij shtetëror”.

Por, kryetari malazias, Filip Vujanovic vazhdon të mos e ndërrojë qëndrimin e tij që të mos nënshkruajë vendimin e dërgimit të ambasadorit në Prishtinë, para se të zgjidhet me kushtetutë statusi I malazezve në Kosovë.

Nimanbegu thotë se duhet pasur parasysh se pakica malazeze ka dalë me kërkesat e veta pas miratimit të Kushtetutës së Kosovës. Sipas gjasave, shton ai, kjo është pasojë e politikës së viteve 90-të, kur edhe nacionaliteti malazias është shikuar njësoj sikur ai serb.

“Këto janë, megjithatë çështje të brendshme të Kosovës dhe unë, si deputet në Parlamentin malazias absolutisht do të lobojë te kolegët nga Kosova që kjo çështje të zgjidhet sa më parë”, shprehet deputeti dhe nënkryetari i Forcës së Re Demokratike,Genci Nimanbegu.

KOHA NET