Hajro Ulqinaku përktheu librin Molla e Artë

August 30, 2010   | Kulturë / Kultura

Në libër përfshihen mite greke për figura të ndryshme si Jasoni, Odiseu, Perseu, Edipi, Sfinksi, etj., legjenda, përralla dhe tregime popullore nga vende të ndryshme të botës.

Shkrimtari Hajro Ulqinaku përveç punës së tij si krijues, që një kohë të gjatë i është përkushtuar përgatitjes, përkthimit dhe ka bërë përzgjedhjen për një sërë librash. Në këtë vazhdë është edhe libri “Molla e artë”, i cili në fakt është ribotim i këtij libri që për herë të parë u botua nga “Flaka” në Shkup në vitin 1993. Në libër përfshihen mite greke për figura të ndryshme si Jasoni, Odiseu, Perseu, Edipi, Sfinksi, etj., legjenda, përralla dhe tregime popullore nga vende të ndryshme të botës. Libri përbëhet nga 135 faqe dhe është botuar me mbështetjen e Drejtoratit për Kulturë, Rini dhe Sporte pranë Kuvendit të Komunës së Ulqinit. Hajro Ulqinaku shkruan kryesisht prozë për fëmijë dhe të rinj. Ai ndër të tjera ka botuar veprat: “Fëmijët e detit”, “Margaritarët e zez”, “Kolovajza e florinjtë e Hënës”, “Ani, Beni, ani”, “Çelësi i artë”, “Mbrëmje pulëbardhash”, “Thesari i piratëve”, “Ligji i detit”, “Fëmijëria në bregdet”, “Gjiri i Shpresës”, “Ishulli i Gjelbër”, “Limani i Qetësisë”, “Bukuria e detit”, “Panorama e detit”, “Pëllumbat në antenë”, “Mos qaj, Kestrina”, “Lulëkuqet mbi banka”, “Pylli i dragoit” etj. Një pjesë e mirë e krijimtarisë së tij është e lidhur me Ulqinin dhe detin. Në këtë kuadër mund të përmenden librat: “Deti, detarët e Ulqinit”, “Detarë, peshkatarë ulqinakë”, Detaria, detarë, dokumente”, “Libri për Ulqinin dhe ulqinakët”, “Glosar” (fjalor i detarisë), “Thesar popullor” dhe “Ulqin, ti det” (Poetët për Ulqinin).

Hajro Ulqinaku (Përktheu/përgatiti), Molla e artë (Mite dhe përralla popullore nga bota), Asociacioni Ulqini, Ulqin, 2010

i.k.
Koha Javore

1