Koha e nxehtë zgjat sezonin në Ulqin

August 31, 2010   | Shtypi / Mediji

Aleati më i madh i Ulqinit gjatë këtij sezoni turistik ka qenë koha e mirë dhe temperaturat e larta që sigurisht kanë qenë vendimtare për fatin e tij. Që nga fillimi i korrikut e deri tani pothuajse nuk ka qenë asnjë ditë me mot jostabil që të ndikojë në sezonin turistik.
Pas fillimit të dobët të sezonit të sivjetshëm turistik në Ulqin, në të cilin pati ndikim edhe koha jostabile, as optimistët më të mëdhenj nuk kishin parashikuar sezon të mirë turistik. Këto parashikime përforcoheshin nga efektet që mendohej të kishte kriza ekonomike botërore që ka përfshirë tërë botën. Por koha e mirë dhe temperaturat e larta bënë që Ulqini dhe plazhet e tij “të vërshoheshin” nga një lumë turistësh, kryesisht nga Kosova, gjatë muajit korrik. Ky intensitet vazhdoi edhe në pjesën e parë të gushtit. Si duket, koha e nxehtë dhe temperaturat e larta gjatë muajve korrik dhe gusht kanë ndikuar dukshëm në sezonin e sivjetshëm turistik në Ulqin. Edhe tani në ditët e fundit të gushtit, megjithëse ka rënë fluksi i turistëve në krahasim me periudhën e mëparshme, plazhet e tij, vazhdojnë të jenë të mbushura me turistë. As skepticizmi nga fillimi i muajit të Ramazanit nuk u paraqit real ngaqë ai pothuajse nuk pati fare ndikim në rrjedhën e sezonit turistik. Aleati më i madh i Ulqinit gjatë kësaj periudhe ka qenë koha e mirë dhe temperaturat e larta që sigurisht kanë qenë vendimtare për fatin e këtij sezoni. Që nga fillimi i korrikut e deri tani pothuajse nuk ka qenë asnjë ditë me mot jostabil që të ndikojë në sezonin turistik. Sezoni i sivjetshëm mund të vlerësohet me nota pozitive edhe sa i përket sigurisë në plazhe. Këtë vit, të paktën deri tani, janë shënuar një numër më i vogël i problemeve në plazhe, përfshirë edhe mbytjet, në krahasim me vitet e kaluara. Kjo nuk do të thotë kurrsesi që ky sezon turistik nuk ka pasur probleme. Edhe ky sezon ka treguar dobësitë e evidentuara gjatë viteve të mëparshme – problemi me energjinë elektrike, furnizimin me ujë, pastërtinë, parkimin, mungesën e hoteleve etj., që vazhdimisht theksohen si probleme pa gjetur ndonjë zgjidhje adekuate për to. Përveç problemeve të tjera që duhen zgjidhur në të ardhmen jo të largët, është shtuar edhe ai i zgjerimit të rrugës Ulqin – Sukubinë. Ky sezon ka dëshmuar se kjo rrugë nuk është në gjendje të përballojë fluksin e shtuar të automjeteve që qarkullojnë në këtë rrugë si rezultat i ndryshimit të itinerarit të ardhjes së turistëve nga Kosova në Ulqin, pas hapjes së rrugës Prizren – Kukës – Durrës. Por askush nuk mund të thotë me saktësi se cili ka qenë numri i turistëve që këtë sezon turistik kanë vizituar Ulqinin duke qenë se regjistrimi i tyre akoma vazhdon të jetë problem dhe nuk bëhet në mënyrë të saktë. Edhe përfitimet që do të ketë buxheti i Komunës së Ulqinit nga ky sezon turistik nuk dihen.

Rikthimi i polakëve, çekëve…

Ky vit mbase mund të cilësohet edhe si rikthim i turistëve nga disa vende të mëparshme emetuese të turizmit në Ulqin, siç janë Çekia, Sllovakia, Polonia, Hungaria etj. Numri i tyre po rritet nga viti në vit edhe pse askush nuk disponon me statistika të sakta. Siç dihet, në vitet e arta të turizmit të Ulqinit, kur turistët nga këto vende kishin vërshuar Ulqinin, sipas tyre morën emrat edhe disa vendbanime dhe objekte turistike. Kështu autokampi në Ulqin njihej ndryshe si kampi i polakëve dhe çekëve. Për dallim prej turistëve polakë, çekë, hungarezë e sllovakë, kjo nuk mund të thuhet edhe për ata gjermanë, dikur turistët më të preferuar në Ulqin, numri i të cilëve edhe gjatë këtij sezoni ka qenë shumë i vogël.

Verë 2010 vs. verë 2001

Për njohësit e turizmit dhe analistët e kësaj fushe, sezoni i sivjetshëm turistik mund të krahasohet me sezonin e vitit 2001, i cili vlerësohet të jetë më fitimprurësi në dhjetë vitet e fundit në Ulqin. Por ndërsa viti 2001 mund të cilësohet si një verë e pritur gjatë pas shumë sezoneve të dështuara turistike për shkak të krizës politike dhe luftrave që përfshinë ish Jugosllavinë, përfitimet nga sezoni i sivjetshëm do të shërbejnë si një infuzion i mirë për buxhetet e shumë qytetarëve të Ulqinit pas krizës financiare që ka përfshirë Malin e Zi. Ky sezon ka rikthyer po ashtu shpresat e ulqinakëve te turizmi si dega kryesore ekonomike nga e cila varet shumë zhvillimi i këtij qyteti.

I. Kallaba
Koha Javore

YouTube Preview Image