PDS-së vendos që në zgjedhjet të dalin me lista të veçantë

September 8, 2010   | Politika

Ulqin – Partia Demokratike e Socialistëve  ka marrë vendim përfundimtar dje  rreth mënyrës së pjesëmarrjes së saj në zgjedhjet lokale të 17 tetorit në komunën e Ulqinit, sipas kryetarit të Këshillit komunal të kësaj partie në Ulqin, Luigj Shkrela. Sipas tij, vendimi përfundimtar u muar dje ku Këshilli Komunal i PDS-së në zgjedhjet lokale në Ulqin me 17 tetor të dalin me lista të veçanta.
Megjithatë, Shkrela në mënyrë indirekte lë të nënkuptohet se PDS do të marrë pjesë si subjekt më vete në këto zgjedhje. “Mendoj që askush nuk duhet ta ndjejë veten keq apo t’i japë konotacion tjetër nëse Këshilli Komunal i PDS-së vendos që në zgjedhjet e 17 tetorit të sprovojë forcën dhe kapacitetet partiake në komunën e Ulqinit në mënyrë të mëvetësishme”, thotë ai. Shkrela thekson se pavarësisht vendimit mbi pjesëmarrjen në këto zgjedhje lokale “ne gjithmonë vlerësojmë se UDSH ka qenë dhe do të mbetet partner korrekt i UDSH-së në të gjitha nivelet në shtetin e Malit të Zi”. Në zgjedhjet lokale të 23 majit, PDS së bashku me UDSH-në kanë marrë pjesë në koalicionin “Për Ulqinin Evropian” dhe kanë fituar 14 këshilltarë në kuvendin e Komunës së Ulqinit. Por ky koalicion nuk ka arritur të formojë shumicën parlamentare gjë që ka çuar në përsëritjen e zgjedhjeve lokale, për të parën herë në historinë e pluralizmit në komunën e Ulqinit. PDS së bashku me UDSH-në kanë marrë pjesë në koalicion edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2006, si dhe kanë ushtruar pushtetin në përbërjen e kaluar të Kuvendit të Komunës së Ulqinit. Këto dy parti ushtrojnë pushtetin edhe në Komunën Urbane të Tuzit që nga zgjedhjet e 23 majit të këtij viti.
YouTube Preview Image