Anamalasit janë njerëz mësimdashës – Foto

September 9, 2010   | Reportazh / Reportaža

Foto nga Arkivi i Haxhi Zenelit

Personalitete të klerit

Foto nga Arkivi i Haxhi Zenelit

Nga kjo trevë në rrjedhë të moteve kanë dalë edhe klerikë të dalluar me emër të mirë si: dom Simon Filipaj, përkthyes i Biblës integrale në shqipen standarde, shkëlqesia e tij imzot Rrok Mirëdita, kryetar i Konferencës Ipeshkëvnore të Kishës Katolike të Shqipërisë, ipeshkëv i Tiranës dhe i Durrësit, Idriz Demiraj, ishkryetar i Bashkësisë islame të Malit të Zi dhe, Rasim Llolla. sheh bektashian. Kryeimami i Bashkësisë Islame të Ulqinit, Rexhep efendi Lika, thotë se në 16 xhamitë e Anës së Malit, që nga shekulli XVII kanë shërbyer një numër i madh imamësh nga kjo trevë. Sipas tij në fillim të shekullit XX në Anë të Malit kanë shërbyer këta imamë:

1.Shaban efendi Shaptafi nga Kravari.
2.Osman efendi Spahia nga Pelinku,
3.Smajl efindi Muça nga Shasi,
4.Fazli efendi Çobi nga Krytha,
5.Jakup efendi Luca nga Sukubina,
6.Mustafë efendi Holli nga Katërkolla,
7.Hafiz Sait efendi Bojku nga Bojku,
8.Sulejman efendi Hoxha nga Rashtisha,
9.Hasan efendi Islami nga Milla. Historiku i arsimit

Foto nga Arkivi i Haxhi Zenelit

Anamalasit janë njerëz mësimdashës. Interesimin për t’u arsimuar e kanë shprehur kaherë. Dëshmi për këtë është hapja e shkollave të para në këtë trevë, para 81 vjetësh, saktësisht në vitin 1929, në fshatin Selitë, për të vijuar më pas në Kosiq, Sukubinë, Katërkollë dhe Krythë. Mësimi në këto shkolla zhvillohej në gjuhën joamtare deri në vitin 1945, kur edhe hapen për herë të parë shkollat me mësim në gjuhën shqipe. Drejtori aktual i SHF “ Bedri Elezaga” në Katërkollë, dr. Nail Draga, na jep këtë kronologji të arsimit në Anë të Malit: Shkolla e parë në Anë të Malit ka filluar punën në vitin 1929, në ndërtesën e mejtepit në Selitë, komuna e Katërkollës. Në të njëjtin vit janë çelur shkollat edhe në Kosiq dhe Sukubinë.

Foto nga Arkivi i Haxhi Zenelit

Foto nga Arkivi i Hajro Ulqinakut

Nuk ka të dhëna për numrin e nxënësve, ndërsa mësuesit e parë kanë qenë: në Selitë Jozica Mariniq, në Kosiq Milenko Guberiniq dhe në Sukubinë Vllado Miniq, të cilët mësimin e kanë mbajtur në gjuhën joamtare- serbe. Nga viti 1932, prej objekteve private kalohet në ato shtetërore, sepse janë ndërtuar objektet e reja shkollore në Katërkollë, Krythë dhe Sukubinë në të cilat është zhvilluar mësimi nga klasa I – IV. Me këto programe mësimore dhe në gjuhën joamtare të nxënësve shkollat kanë punuar deri në vitin 1941, kur ka kapitulluar Mbretëria Jugosllave.
Ndonëse nën okupimin italian, gjatë Luftës së Dytë Botërore nga viti 1941- 1944 në Anë të Malit, Ulqin dhe në viset e tjera shqiptare në Mal të Zi u hapën për të parën herë shkollat me mësim në gjuhën shqipe. Mësuesit e parë kanë qenë nga Shqipëria. Në Katërkollë mësues ishin: Viktor Kiçi, Prenkë Jakova dhe Prelë Shiroka; në Sukubinë Shuk Shllaku dhe Zef Berisha, ndërsa në Krythë Ramadan Milla. Programi mësimor ishte i njëjtë për të gjithë shqiptarët, hartuar nga Ministria e Arsimit të Mbretërisë Shqiptare. Pas Luftës së Dytë Botërore në shkurt të vitit 1945 shkolla në Katërkollë ka vazhduar punën ku mësues dhe drejtor i parë ka qenë Minja Nikollaidis nga Ulqini.
Në klasët e I – IV kanë qenë të regjistruar 45 nxënës. Mësimi është zhvilluar në gjuhën amtare–shqipe. Atë vit u formua Këshilli i parë i shkollës, kryetar i të cilit ka qenë Musa Llolla. Në vitin shkollor 1945/46 u hapën shkollat e përkohshme në të cilat mësuesit punuan pa pagesë. Në Krythë Ramazan Jahja, në Sukubinë Jullka Nikoliqi, në Kllezën Nalt Daut Hoxhiqi dhe Nikolla Nrekiqi, në Kllezën Poshtë Prena Jankoviqi, në Amull Mark Shkreli. Në vitin shkollor 1946/47, pas kryerjes së kursit pedagogjik, për punë në shkollë caktohen mësuesit e përkohshëm nga vendi – rajoni i shkollës: në Katërkollë, 4 klasë, 195 nxënës, mësuesit: Ramazan H.Sella, Shaqir Duraku, Selim Llunja, Daut Hoxha pastaj Llucija Qetkoviq, Mehmed Cuca dhe Vata Elezaj. Në Krythë, 2 klasë, 146 nxënës, mësuesit: Salë Kurmemi, Nikolla
Nrekiqi dhe Elez Alaj. Në Sukubinë, 4 klasë, 165 nxënës, mësuesit: Daut Mehmedi dhe Faik Avdiqi. Në Amull, 86 nxënës, mësues: Manush Kasneci dhe Prena Nikiqi. Në vitin shkollor 1947/48 shkolla në Katërkollë, rritet në Shkollë fillore shtatë klasëshe. Për drejtor nga 12 shtatori i vitit 1947 emërohet Junuz Divanoviqi, mësues nga Tivari. Në këtë vit është hapur shkolla në Kravar: 1 klasë, 76 nxënës, mësuesi Metë Cuca, ndërsa në vitin 1948/49 është çelur shkolla në Kllezën Poshtë. Në vitin shkollor 1949/50 shkolla cakton sekretarin e shkollës e, që nga viti 1951, kryen shkollën fillore e shtatëvjeçare brezi i parë i nxënësve: Elez Mustafaj, Haxhi dhe Fadil Taipi, Sabri dhe Xhevdet Hollaj, Shaban Hoxha dhe Vata Elezaj. Në vitin shkollor 1951/52 shkolla rritet në Shkollë fillore tetëvjeçare. Në vitin shkollor 1953/54 është çelur shkolla fillore në Millë, me 4 klasë,73 nxënës. Në vitin shkollor 1956/57 në shkollë mësohet gjuhë e huaj frengjishtja, e cila mësohet deri në vitin 1961. Ndërsa në vitin shkollor 1961/62 në shkollë vihet gjuhë e huaj rusishtja, e cila mësohet deri në vitin 1992.

Gjekë Gjonaj
Koha Javore

Si posedoni ndonji fotografi të asaj kohe na dergoni dhe ne do i publikom.Faliminderit


YouTube Preview Image

2