Dr. Sabina Osmanoviq për veprimatrinë shkencore të Prof. Dr. Ruzhdi Ushakut

September 24, 2010   | Opinione

Mes studimit faktik dhe krijimit artistik
(„Ulqini në përmasa kërkimi dhe frymëzimi” i profesor Ruzhdi Ushakut)

Në këtë libër del në pah shpirti krijues i autorit duke ndarë me lexuesin ndjesitë dhe përjetimet gjatë kërkimeve të mundimshme shumëvjecare shkencore. I ndërtuar mbi baza faktografike, me udhëpershkrime dhe kronika ky libër është konceptuar në formë të një kalendari letrar. Në veprimatrinë shkencore shumëvjecare profesor Ushaku një rëndësi fundamentale i ka kushtuar studimit dhe hulumtimit të qytetit të tij të lindjes Ulqinit, duke dhënë kështu një kontribut kolosal në këtë aspekt. Në kontrast me studimet e mëherëshme lidhur me këtë qytet të cilët kanë patur karakter thelbësisht shkencorë, në librin e tij më të ri Ulqini në përmasa kërkimi dhe frymëzimi autori që nga titulli paralajmëron se kemi të bëjmë me një vepër krejtësisht të veçantë në llojin e vet si dhe në krijimtarinë e tij intelektuale. Mbi të kaluerën e Ulqinit titullohet hyrja shkencore që shërben si prolog për të kaluar më pas tek pjesa eseistike e kësaj vepre.
Në 20 esetë që vijojnë profesor Ushaku fton lexuesin prapa kuintave të botës së rreptë shkencore, shpalos ndjesitë dhe të fshehtat e mekanizmit të shkencëtarit duke kapërcyer kështu në një dimension tjetër dhe duke i lënë vend forcës së imagjinatës apo shprehur ndryshe me fjalët e tij si në vijim: “U ula pakëz në një bllok guri, aty pranë muranës dhe themeleve madhështore, dhe u ndjeva si një mysafir i largët në një kohë të largët… Më kujtohet shumëcka që kisha lexuar, hulumtuar, studjuar lidhur me themelet e këtij qyteti të lashtë, për zhvillimin e jetës dhe qytetërimit në këto anë. Më dukej se përpara meje u hapen shumë fletë të librave të vjetër, sikur parakaluan shumë shënime që kishin mbetur nga antika e që ia lëshuan vendin një rindertimi imagjinativ.” (Ushaku: Ulqini në përmasa kërkimi dhe frymëzimi, f. 90) Në këtë libër del në pah shpirti krijues i autorit duke ndarë me lexuesin ndjesitë dhe përjetimet gjatë kërkimeve të mundimshme shumëvjecare shkencore. I ndërtuar mbi baza faktografike, me udhëpershkrime dhe kronika ky libër është konceptuar në formë të një kalendari letrar. Duke synuar një rreth heterogjen të lexueseve dhe duke shmangur diskursin rigoroz e normativ shkencor, siç dhe është theksuar në parathënie të këtij libri, profesori tenton të krijojë një komunikim më intim me publikun.
Libri i ndarë në dy pjesë Gjuha e monumenteve dhe Reflekse gjuhësore-artistike, është një gërshetim i fiksionit dhe ralitetit historik, mitikës dhe fakteve shkencore. Duke u shërbyer me disciplinën e onomastikës dhe asociacioneve gjuhësore, profesor Ushaku ndërmerr zbërthimin gjenealogjik të emërtimeve duke zgjedhur kështu një mënyrë origjinale për të shuar kureshtjen e tij prej shkencëtari. Me misionin orfeik, ai u jep zë monumenteve, dialogon me Hije (si p.sh. atë të Bindit dhe Ulkut) dhe i gjallëron legjendat. Kjo teknikë narrative e theksuar me fjali retorike, intrigon dhe ndjell lexuesin t`u rikthehet pasazheve që njëherit janë inkarnacione letrare. Stili impozant i profesor Ushakut, me periudha prustiane, ilustron esetë epizodike duke i dhënë kështu kësaj vepre vlerë artisitike. Karakteristikë e këtyre eseve është që autori lavron një formë të re tregimi, ai i „esesë brenda eseje“, që tërhiqet përgjatë gjithë këtij libri duke formuar në tërësi një strukturë kompakte. Duke rrjedhur nga një kulturë me traditë orale, profesor Ushaku jo rastësisht i kushton një kapitull traditës muzikore të Ulqinit ku bën analizë dhe interpretim “Baladës së Shasit”, “Moresë” enigmatike, valles së “Gusharavelit” dhe këngëve të detit. Një pikë tjetër interesante është vëmendja me të cilen trajtohen shprehjet frazologjike ku parimisht mbizotëron simbolika e gurit dhe ujit.
Tek ky autor ndjehet synimi për të ngritur teza të reja, këndvështrime dhe qëndrime objektive kundrejtë teorive egzistuese shkencore që e bën këtë libër të ketë natyrë hulumtuese, në anën tjetër literaturës shkencore autori i jep konfiguracion frymëzues letrar falë formës eseistike që mundëson rindërtim emocional të ngjarjeve dhe të dhënave historike. Siç duket profesor Ushaku e ka gjetur veten mjaft mirë në zhanrin e esesë i cili i jep lirshmëri për të manovruar edhe në detin e pafund të letërsisë.
Në këtë mënyrë ai përçon një pjesë të së kaluarës në ditët tona, ndërsa të tashmen e gravon për të lënë gjurmë dhe për ta bërë të përjetshme dhe të përfytyrueshme për të ardhmen. Si në një tabaka të argjendtë, autori servon për lexuesin një llojë ‚proze shkencore’ ku shkrihet kufiri mes fakticitetit dhe imagjinatës së jashtëzakonshme krijuese. Qëllimin e kësaj përzierje jokonvencionale, e që le përshtypjen e një përjetimi déjà-vu e ilustron më së miri pasazhi në vijim shkëputur nga libri në fjalë, e që në mënyrë përmbledhëse dhe pregnante rrumbullakson këtë vlerësim kritik: “Le të mbeten edhe këto ngjarje një hallkë në zinxhirin e jetës krijuese, por edhe si realitet e simbol që një objekt aq i thjeshtë, një tjegull që mund të preket e jo e imagjinuar, mjafton ndonjëherë për të bindur dike se është gjallë dhe se ngjarja nuk është trill i thjeshtë, legjenda nuk është fiksion absolut. Realiteti dhe qenia e njeriut fshehet në formën e monumenteve te shkruara, por edhe te pashkruara, si vepër që dëshmon se dikush ka ekzistuar dje, se dikush ekziston sot, e dikush do të ekzistojë edhe nesër.” (Ushaku: Ulqini në përmasa kërkimi dhe frymëzimi, f. 200)

Dr. Sabina Osmanoviq
Koha Javore
YouTube Preview Image