Ndërtuesit ilegalë “sulmojnë” kompleksin e ullinjve të Ulqinit

September 28, 2010   | Shtypi / Mediji

Ulqin, 28 shtator – Ndërtuesit e jashtëligjshëm kanë depërtuar edhe në kompleksin e madh të mbi 80 mijë trungjeve frutorë ullinjve në Ulqin duke goditur integritetin natyror të kësaj peme mijëvjeçare industriale, jetësore për ulqinakët, njofton KosovaLive.

Kryetari i Shoqatës së kultivuesve të ullinjve, Xhaudet Cakuli në një konferencë të vizituar mirë nga mediat shumë të interesuara kritikoi qeverisjen vendore që nuk ndërmerr masa konkrete për të ndaluar ndërtimet e jashtëligjshme.

“Deri më tash vetëm kompleksi i ullinjve ka qenë i paprekur nga ndërtimet ilegale, por ditëve të fundit ne si shoqatë kemi regjistruar në disa kënde objekte banimi, turizmi, por edhe rrethime të trungjeve të ullinjve. Veprimet e këtilla kanë rrënuar në mënyrë drastike hartën tradicionale të rrugëve të qarkullimit nëpër zonën mijëvjeçare të pemës”, reagon Cakuli.

Sipas tij, këto “ndërhyrje” me ligj janë kodifikuara si vepër penale, por administrata vendore nuk po ndalon hovin e këtyre ndërtimeve kaq të përshpejtuara në mesin e ullinjve.

Individë të caktuar janë duke shfrytëzuar gjendjn kaotike që zotëron në fushatën parazgjedhore të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit dhe nxitojnë për të shitur troje dhe mbyllur rrugët, sidomos në rajonet e njohura edhe në mbarë bregdetin e Adriatikut të kultivimit të ullinjve cilësor, Liman e Bashbylyk.

“Ullinjtë për ulqinakët janë të shenjtë, janë dega kryesore ekonomike pas turizmit, janë ‘përmendore’ mjedisore mijëvjeçare natyrore dhe të ekosistemit, të cilët duhet të kultivohen e mbrohen ashtu siç janë përkujdesur të parët tanë”, shprehet për KosovaLive kryetari i Shoqatës së kultivuesve të ullinjve, Xhaduet Cakuli.

Ai dyshon se lejimi i këtyre ndërtimeve bëhet, mbase, për përftime politike, së paku.

Këshilltari për bujqësi pranë Komunës së Ulqinit, Gani Rexha thotë se të gjitha rastet janë regjistruar dhe se janë njoftuar institucionet komunale dhe të Ministrisë së Bujqësisë.

KOHA NET

PËR MA TEPER FOTO SHIKONI – Ismet Karamanaga Facebook