E.Mollabeqiri: Në vigjile të verdiktit-Drejt elektoratit

October 3, 2010   | Opinione

Edhe pse kjo për partitë politike është lojë e zakonshme e aktivitetit të tyre, ata nuk duhet neglizhuar frymëmarrjen dhe nevojat e sovranit, pasi që siç thamë ai sovran është populli dhe vetëm ai do të dijë t’i vejë në peshore veprimet e tyre.

Zgjedhjet lokale në Ulqin po afrohen. Protagonistët e skenës sonë politike, në vigjile të këtyre zgjedhjeve mundohen që secili të marrë pozicionin më të favorshëm me qëllim që profiti i tyre politik të jetë sa më i mirë dhe pozitiv për ta. Si aktorët e „mëdhenj”, e po ashtu edhe ata të „vegjëlit” mundohen që këto pozicione të jenë sa më të përshtatshme për ta.Aty nuk ka rregulla. Si i „vogli” ashtu edhe i ,,madhi,, përforcojnë pozitat e veta duke krijuar premisat e pamundësisë së formimit të shumicës së ardhshme kuvendore pa ta. Pra duhen llogaritur të gjithë dhe duhen llogaritur të gjithë me të gjithë, pa marrë parasysh fuqinë potenciale politike në elektorat.Të gjithë janë të vëmendshëm dhe me anë të metodave të veta ,,speciale,, degjojnë pulsin e elektoratit. Këtu nuk duhen anashkaluar as metodat e vjetra të provuara të premtimeve,me punësime,investime, e pse jo edhe me ndonjë ,,surprizë,, materiale, por kjo është ende në fushën e thashethemeve dhe nuk është e konfirmuar nga askush. Të gjithë i drejtohen elektoratit dhe presin nga ai. Por subjektet tona politike nuk duhet të harrojmë që ky elektorat është populli dhe ai në këtë rast është sovrani.E sovrani si secili sovran nganjëherë me vendimet e veta të sjellë gëzim të papërshkrueshëm,por di edhe të jetë i rreptë, i vendosur dhe të ndëshkojë për fajet e bëra.Këto janë të drejtat e sovranit dhe të gjithë aktorët e skenës politike të Ulqinit duhet të i bëjnë llogaritë me këtë mundësi. Deri tash nuk ka koalicione të konfirmuara nga partitë politike shqiptare, edhe pse janë bërë deklarata, bile edhe takime, por asgjë nuk është finalizuar me ndonjë marrëveshje. Të gjithë presin. Mundet edhe të bëhet koalicioni në fjalë nëse palët e interesuara gjejnë pikë të përbashkëta dhe merren vesh me ,, ndarjen,, e mandateve eventuale. Por,e gjithë kjo situatë të bën të rikthehesh në epizodet e mëparshme kur partitë politike shqiptare kanë dalur në zgjedhje të coptuara dhe kanë humbur. Me këto humbje ka humbur edhe elektorati i cili nuk ka votuar ashtu.Pra, nga fragmentarizmi dhe coptimi i subjekteve politike shqiptare, kanë përfituar të tjerët dhe votat e elektoratit shqiptar kanë shkuar në mulli të të tjerëve. Por, nuk duhet harruar se shumica e elektoratit këtë nuk e do dhe këtë duhen ta kenë parasysh subjektet politike në Ulqin. Partitë politike, para se të bëjnë llogaritë dhe pazaret të cilat në fund rregullisht dalin të gabuara, duhen të i sillen popullit dhe kërkesave dhe preferancave të tia. Populli nuk është vetëm ,,elektorat,,. Ai është një organizëm i gjallë i cili jeton me Ulqinin me të mirat dhe të këqiat e tia.Ai merr frymë më këtë qytet dhe e di për cfarë ka nevojë ky qytet.Andaj edhe vota e popullit apo e ,,elektoratit,, me siguri do të jetë në favor të Ulqinit dhe të nevojave të tia. Populli e donë Ulqinin dhe partitë politike duhen ta marrin këtë parasysh kur të bëjnë llogaritë e rezultateve të punës dhe të bëmave apo të ,,bëmave,, thënë ndryshe. Edhe pse kjo për partitë politike është lojë e zakonshme e aktivitetit të tyre, ata nuk duhet neglizhuar frymëmarrjen dhe nevojat e sovranit, pasi që siç thamë ai sovran është populli dhe vetëm ai do të dijë t’i vejë në peshore veprimet e tyre. Shpresojmë në të mirë të të gjithë banorëve të Ulqinit.

Enver Eno Mollabeqiri
Koha Javore