Shota – paralajmëron koncert në Ulqin

October 4, 2010   | Kulturë / Kultura

Prishtinë, 4 tetor – Ansambli i këngëve dhe i valleve “Shota” do të jetë mysafir i qytetit bregdetar të Ulqinit, të mërkurën e 6 tetorit. Një koncert prej 1 orë e 15 minutash, kalim në folklorin e të gjitha trevave shqiptare do të prezantohet para ulqinakëve. Drejtori i “Shotës”, Dilaver Kryeziu, ka premtuar se programi, tashmë i përzgjedhur, do të jetë i larmishëm, për çka nuk ka dyshim që do të kënaqë shijet e ulqinakëve.
“Do të këndojmë në tërësi këngët dhe vallet nga të gjitha trevat shqiptare”, ka thënë Kryeziu, teksa ka numëruar se “Vallja e Malësisë së Madhe”, valle me motive kosovare, valle me motive tiranase, “Vallja  e Karadakut” janë vetëm disa nga pikat e menysë që do të shfaqen mbrëmjen e së mërkurës në Qendrën për Kulturë në Ulqin. Këngët folklorike shqiptare do të këndohen nga zërat e Ismet Bogujevcit, Violetë Kukajt, Riza Bytyçit, Myrvete Bajramit, etj. Drejtor artistik i programit është Fahri Beqiri. Kryeziu nuk ka përjashtuar mundësinë që për këtë koncert të angazhohen edhe emra të shquar të muzikës folklorike shqiptare nga Mali i Zi, si Shaban Gjekaj.
“Do të gjejmë edhe disa rapsodë të shkëlqyeshëm, por gjithmonë në kuadër të profesionalizmit edhe të ansamblit tonë”, ka thënë Kryezi. Ai ka treguar se kjo është hera e parë që ansambli “Shota” udhëton për në Ulqin. Por ai nuk ka as më të voglën dilemë se publiku i atjeshëm do ta mirëpret trupën që ai drejton.
“‘Shota’ është një ansambël të cilin e do i gjithë populli shqiptar. Kemi telefonata që mezi po presin të shkojmë atje”, ka thënë Kryeziu, teksa nuk pret që vetëm shqiptarët të zënë vend në 850 ulëset e Qendrës moderne të Kulturës.
“Kemi informacione se atje ka ende shumë turistë, kështu që do të bëjmë një reklamim të koncertit në mënyrë që aty të vijnë edhe ata, e të shohin folklorin tonë”, ka thënë Kryeziu.
Koncerti i ansamblit “Shota” do të mbahet me ftesë të kryetarit të Komunës në Ulqin, Gëzim Hajdinaga, ndërsa është ndihmuar edhe nga Ministria e Kulturës e Kosovës. Gjatë këtij koncerti Televizioni Publik i Kosovës do të xhirojë një dokumentar për shqiptarët e Ulqinit rreth ruajtjes së folklorit dhe traditave shqiptare në këtë pjesë.

KOHA NET
YouTube Preview Image

1