Klubi i karatesë Ulqini – vazhdon të jetë ambasador i qytetit tonë

October 5, 2010   | Sporti / Sport

Një përvojë më e madhe

Më 17,18 dhe 19 shtator 2010 në Stamboll të Turqisë u mbajt turneu i V ndërkombëtar i karatesë “Istanbul Open 2010”, i cili është turne zyrtar i pranuar nga Federata Botërore e Karatesë, ku morën pjesë 40 shtete me mbi 900 garues.

Pasi që Klubi i karatesë “Ulqini” nga vetë organizatori para disa muajsh mori ftesën për këtë turne të nivelit botëror, kryesia e klubit vendosi që kësaj radhe të marrë pjesë.

Ishte e paraparë që në këtë garë te shkohet me dy garues Viktor Curoviq dhe Petar Barlloviq dhe me përgatitje filluam një muaj më heret. Mirëpo, garuesi Viktor Curoviqi, i cili këtë vit do të fillojë studimet,  nuk mundi të marrë pjesë në këtë turne, pasi që regjistrimet në fakultet u përputhën me datën e garës.

Kështu, në këtë Turne u paraqitëm vetëm me një garues. Petar Barlloviqi është garues tashmë i njohur për të gjithë për rezultatet e tija të shkëlqyera, si në gara të nivelit më të lartë në vend , ashtu dhe jashtë vendit. Në Stamboll Petar Barlloviqi punoi në gjeneratën e seniorëve -60kg dhe kjo ishte gara e tij e parë në këtë gjeneratë, sepse këtë vit mbushi 18 vjet dhe kaloi nga juniorët në seniorë. Ndoshta edhe kjo ishte pak pengesë për të arritur rezultat të shkëlqyeshëm siç ka bërë në gara të tjera, por duhet pasë parasysh edhe faktin që në kategorinë e tij morën pjesë 67 garues, të gjithë më të vjetër e më me përvojë se ai e shumë prej tyre edhe bartës të medaljeve të ndryshme të nivelit botëror.

-Edhe pse kësaj here rezultati mungoi, ne jemi shumë të kënaqur që ishim pjesëmarrës të kësaj gare kaq të fuqishme dhe me këtë kemi fituar një përvojë shumë të madhe, si ne trajnerët, ashtu edhe garuesi ynë, nga i cili presim shumë në të ardhmen. Ishte një përfaqësim i mirë si i klubit, po ashtu dhe qytetit tonë, pasi që kemi bërë dhe promovim turistik duke shpërndarë disa broshura të qytetit dhe shtetit.

Duhet të theksojmë se ishim të pranishëm në mesin e shumë klubeve të fuqishme dhe shteteve të ndryshme nga mbarë bota dhe ishte kënaqësi të shihje karateistët më të mirë botërorë, paraqitja e të cilëve, jo vetëm që tregonte mjeshtri të rrallë të karatesë, por ishte edhe art i vërtetë, – shprehen dy trajnerët të cilët ishin prezentë në këtë garë Ruzhdi Rama dhe Naim Duraku. Ata falënderojnë sponzorët të cilët mundësuan pjesëmarrjen e tyre në këtë garë: Cungu & Co, Gragja Comerc, Organizata Turistike e Ulqinit, Komuna e Ulqinit, Sport Bily, Pelivan, Kallaba Company, Piano, Papilon dhe u urojnë punë të mbarë dhe suksese në ndërmarrjet e tyre. Me ndihmën e tyre ata mundësuan edhe që emri i qytetit tonë Ulqini të dëgjohet në mesin e shumë qyteteve të tjera evropiane e botërore.

Klubi i karatesë “Ulqini”



YouTube Preview Image