Zgjedhjet në Ulqin, sjellin befasi

October 18, 2010   | Politika

Sipas rezultateve preliminare, asnjë parti apo koalicion nuk ka siguruar mandate të mjaftueshme për të themeluar vetëm shumicën parlamentare. Befasia më e madhe e zgjedhjeve të përsëritura lokale të dielës në Ulqin është shuarja e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi e Mehmet Bardhit. Partia e parë shqiptare në pluralizëm, gati 15 vjet me shumicë absolute në Kuvendin e Ulqinit, kësaj radhe nuk arriti të marrë asnjë mandat të vetëm.

Forca e Re Demokratike ka marrë 11, Koalicioni Unioni Demokratik i Shqiptarëve-Partia e Prosperitetit Demokratike 10, Partia Demokratike e Socialistëve të Milo Djukanoviqit 7, Socialdemokratët dhe koalicioni i partive serbe nga 2 dhe Lëvizja qytetare “Perspektiva” 1 këshilltar.

Derisa bartësi i listës Unioni Demokratik i Shqiptarëve – Partia Demokratike e Socialistëve, Gëzim Hajdinaga thotë se vazhdojnë bashkëqeverisjen me Partinë Demokratike të Socialistëve, Luigj Shkreli bartës i listës së këtij subjekti, nuk e konfirmon atë, por thotë se janë të hapur për të krijuar qeverisjen vendore.

“Ulqini meriton një qeverisje të qëndrueshme dhe profesionale”, thotë kryesocialisti i Ulqinit, Shkreli. Në zgjedhje kanë dalë rreth 67 për qind të qytetarëve me të drejtë vote.

BOTA SOT

1