Dilemat e gabuara nga Xhemal Peroviq

October 19, 2010   | Opinione

Brenda komunitetit mysliman shqiptar shpesh zhvillohet debati rreth qëndrimit që pretendon se pjesëmarrja politike e një myslimani të devotshëm si votues apo si kandidat në zgjedhje shkon ndesh me besimin islam. Ky qëndrim është plotësisht i gabuar dhe nuk ka baza në parimet e islamit. Ky qëndrim më sjell ndër mend thënien e famshme të njërit ndër filozofët më të mëdhenj politik, Edmund Burke, që thot se për të bërë të mundur që e keqja të fitojë, mjafton që të bëhet e mundur që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë. Kjo shprehje e Burke tregon qartë se sa i gabuar është mendimi që besimtarët e mirë të mos angazhohen, të mos votojnë, por ta lënë shoqërinë në dorën e atyre jobesimtarëve që nuk janë të frymëzuar nga parimet e ligjet hyjnore sikurse janë besimtarët e devotshëm. Kurani famëmadh u thotë qartë besimtarëve “… urdhëroni në të mirë dhe ndaloni nga e keqja…”(Ali-’Imrân, 110), dhe të mos mjaftohen vetëm me fjalë e lutje por të ndërmarrin edhe veprime konkrete. Mesazhi i islamit është gjithëpërfshirës dhe shtrihet në të gjitha aspektet e jetës, prandaj është e nevojshme që zëri i besimtarit të dëgjohet edhe në politikë, duke i dhënë asaj sa më shumë nga parimet e islamit, si për shembull një nivel më të lartë të drejtësisë, mbrojtje për të dobëtit dhe të varfrit, apo parimet morale në familje, etj. Është detyrë e besimtarëve të devotshëm që të mbështesin vetëm zyrtarët publikë që dëshmojnë se janë të besueshëm, të ndershëm, të dijshëm dhe të dobishëm për shoqërinë. Gjithashtu është detyrë e besimtarëve të zellshëm që të dalin në zgjedhje për të votuar kundër atyre zyrtarëve që janë të dëmshëm për shoqërinë. Kjo do të thotë që besimtari i mirë e ka për detyrë që të ndihmojë të zgjidhen e të vijnë në pushtet ata që kanë përqafuar vlera si liria, barazia, ndershmëria dhe duhet të angazhohen politikisht për të realizuar ato objektiva që janë të shtrenjta sipas prioritetit; dje – angazhimi kundër urrejtjes, vëllavrasjes, krimeve,..,sotkundër padrejtësisë, korrupsionit, varfërisë …; nesër- për prosperitet ekonomik, arsim, kulturë…! Një besimtar i mirë nuk rri duarkryq kur situata është shumë negative dhe gjendja ekonomike dhe sociale është pranë shkatërrimit sepse Allahu thotë: “Mos prishni rendin në tokë” (El- Bekare 11,12). Prandaj gjithmonë duhet të inkurajojmë idenë e pjesëmarrjes në jetën politike demokratike të besimtarëve, sepse një musliman i vërtetë e ka për detyrë fetare dhe qytetare që të përpiqet të çojë shoqërinë përpara drejt idealeve të drejtësisë, ndershmërisë, barazisë dhe mëshirës. Pra, angazhimi në votime dhe kandidimi në zgjedhje është një ndër format më efikase për të përmbushur këtë detyrë fetare. Ka besimtarë musliman që gabimisht mendojnë se besimtarët duhet të izolohen dhe të mos bashkëpunojnë me njerëz të besimeve tjera. Dihet se Pejgamberi a.s. në shtetin e tij në Medine bashkëjetonte dhe bashkëpunonte me besimtarë të krishterë dhe hebrej. Profeti Jusuf gjithashtu jetonte në një vend jo-musliman dhe vendosi të bëhej, me bekimin e Perëndisë, ministër i financave në Egjipt (Sure Jusuf 12:55,56). Ai pranoi të përfshihej në jetën politike të një vendi ku nuk mbizotëronin ligjet e Allahut vetëm e vetëm për të mirën e përgjithshme. Muslimanët në fakt, siç tregon rasti i pejgamberit Jusuf, janë të mandatuar nga Kurani që të bashkëpunojnë me këdo tjetër për të mirën e përbashkët. Por si u bë përzgjedhja e Jusufit? “ Si: “… besnik i dijshëm…” (Jusuf :55) . Ky është përshkrimi më i saktë i atij që meriton besimin dhe votën. Dhe pikërisht me këtë radhitje, më së pari besnik dhe pastaj i dijshëm. Sepse në politikë merren vendime që kanë rëndësi dhe pasoja për jetën e njeriut dhe komunitetin. Me pjesëmarrjen në politikë, besimtarët e zellshëm musliman jo vetëm që përmirësojnë botën ku jetojnë por mund t’u garantojnë një realitet më të mirë dhe të lumtur vëllezërve e motrave të tjerë musliman. Duke votuar ose duke u kandiduar myslimanët, si çdo komunitet tjetër, mund të fitojnë ndikim ndaj politikanëve dhe pushtetit dhe mund të sigurojnë mirëqenie për komunitetin e vet. Kështu për shembull nëse problemet aktuale të komunitetit mysliman sot janë: kthimi i pronave të uzurpuara nga ish pushteti komunist, pranimi i diplomave të medreses, mbrojtja dhe rindërtimi i xhamive, ndalimi i ndonjë padrejtësie apo imoraliteti etj. zëri i besimtarëve ka për t’u dëgjuar e për t’u marrë në konsideratë më shumë kur politikanët e dinë se muslimanët votojnë e për rrjedhojë mund t’i ndëshkojnë apo shpërblejnë me votën e tyre. Dhe e kundërta, nëse ata e dinë që besimtarët e vërtetë nuk marrin pjesë fare në votime atëherë ata kanë për ti injoruar apo shpërfillur interesat dhe nevojat tyre. Një ndër detyrat kryesore të çdo muslimani, është që të jetë shembull dhe me vepra të mira të paraqesë dhe promovojë një imazh të mirë të fesë islame. Allahu në suren EL ASR betohet: “Pasha kohën, çdo njeri është në humbje të sigurt, përveç atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njeri tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm (tolerant)”. Pra muslimani i mirë duhet të jetë i dobishëm për komunitetin, i gatshëm që publikisht të kritikojnë të keqen dhe të lavdërojë të mirën, të jetë aktiv në çështjet jetike të komunitetit, dmth. të jetë i dukshëm në jetën politike.

(autori është përfaqësues i OJQ-ve në Ulqin)

Xhemal Peroviq
Koha Javore