Përmbytjet, thellimi i Bunës nuk është zgjidhje

November 1, 2010   | Intervista / Intervju

Lumi Buna, i vetmi lumë i lundrueshëm në Shqipëri, shpesh është përfshirë në diskutime, ndonëse jo të nivelit shkencor, për thellimin e tij. Kjo veçanërisht pas përmbytjeve të këtij fillimviti në zonën e Shkodrës, ku dhe gjeografikisht shtrihet ky lumë.
Një gjë të tillë e theksoi kryeministri Berisha gjatë përmbytjeve të para të këtij viti ku tha se do të bisedohej edhe me palën malazeze, teksa pak ditë më parë u ripërmend edhe nga ministri Olldashi.
Por çfarë sjell thellimi i Bunës dhe a ndikon ai në mospërsëritjen e situatave të përmbytjeve, cilat janë disa nga dobitë e këtij projekti për të cilin vetëm flitet, pasi realizimi kërkon kohë dhe shumë fonde. Këtyre pyetjeve i përgjigjet për gazetën “Shekulli”, specialisti i njohur hidroteknik, inxhinier Ridvan Gjeçaj.
Kohët e fundit po ridel në diskutime apo dhe në deklarime të politikanëve, çështja e nevojës për thellimin e lumit Buna dhe lundrimit në të.
Si paraqitet situata në këtë lumë dhe problematika që ai paraqet?

Mendoj se lundrueshmëria nuk është problemi kryesor pasi Buna është një lumë i lundrueshëm, pavarësisht sa kemi ne kushte për lundrim. Problemi qëndron tek zgjidhja në parim e fenomeneve që ndodhin në tërësinë ujore të Shkodrës, lumin Drin, lumin Buna dhe Liqenin e Shkodrës.
Problemet më të mëdha janë ato të shkarkimeve ose kombinimit më të keq të prurjeve që përcjell lumi Buna në det, pra Buna e bashkuar. Është fakt që ka një depozitim materialesh inerte në shtratin e lumit Buna, që për hir të së vërtetës nuk janë uniforme gjatë gjithë gjatësisë së lumit, pasi ka pasur ndërhyrje në brigje, ndërsa në shtrat nuk ka ndërhyrje të mëdha.
Depozitimet, duke qenë të parregullta, parregullsia ndikohet nga ajo që thashë më sipër, krijohen zona të pakalueshme apo të palundrueshme siç është pjesa e sipërme e lumit në zonën afër Zuesit, kurse pjesa tjetër e Bunës, me pak ndërhyrje sillet në një situatë normale për lundrim.
Duhet theksuar që Buna në një gjatësi shumë të madhe ka një thellësi prej 7 deri 10 metrash, kjo më se e mjaftueshme për lundrimin e mjeteve me tonazh deri 1000 ton. Problemi i lundrimit të Bunës është ndër më të fundit të këtij pellgu ujor.
Kjo pasi më e rëndësishme është sistemimi e mbrojtja e pjesës së banuar që shtrihet gjatë lumit Buna dhe kjo arrihet me një mirëmenaxhim të mirë të prurjeve të kaskadës së Drinit, që është e para dhe më vendimtarja.
Problem tjetër janë ndërtimet e nevojshme mbrojtëse në brigjet e lumit Buna, argjinaturat që do të mbrojnë zonat e banuara tani, dhe jo si dikur fushat. Duke u bërë ndërtime afër këtyre argjinaturave, ka ndryshuar dhe klasifikimi, cilësimi i tyre, dikur ishin për të mbrojtur fushat, tani janë për të mbrojtur jetë njerëzish, duke llogaritur një përqindje sigurie për prurje më të mëdha. Në lumin Buna mbrojtjet janë të limituara, pasi ky është një lumë ndërkufitar që i përket dy shteteve.
Sipas disa të dhënave kërkimore më të hershme, por që nuk kanë ndryshuar në realitetin e sotëm, ka disa kuota mbi të cilat nuk mund të bëhet mbrojtje dhe për këtë ka marrëveshje dypalëshe mes shtetit shqiptar dhe atij jugosllav të dikurshëm e tani me shtetin malazez. Nuk mund të bësh mbrojtje mbi këto kuota pasi dëmton palën tjetër, e përmbyt atë dhe për këtë ka marrëveshje të shkruara që nuk mund të shkelen.


Por, a është i mundur thellimi i lumit Buna dhe ku duhet bërë ai?

Praktikisht duhen ndërtuar argjinatura për të mbrojtur. Buna nuk ka ndryshuar pjerrësi apo humbur sasi uji, ai është i lundrueshëm dhe për sa i përket thellësisë ka nevojë për thellim në pjesën e sipërme, por kjo duhet bërë me zgjidhje racionale, pasi në dy brigjet ka ndërtime.
Problemi është se në rast se thellimi bëhet qëllim në vetvete, ne dëmtojmë pjesën e vetëmbrojtur të lumit, dhe në rast se bëhet thellimi, duhet bërë dhe mbrojtja e brigjeve, betonizimi, krijimi i moleve përgjatë gjatësisë në vende të caktuara.
Duhet pasur parasysh se skela e Obotit, e dikurshmja, është ndër më të vjetrat në Ballkan. Projekt-idetë për thellimin e Bunës dhe kthimin e Bunës dhe në një lumë turistik janë të ndryshme dhe realizimi ka disa forma.
Së pari, duhet siguruar ruajtja e sipërfaqes ujore gjatë gjithë vitit. Në pjesën e lagët nuk ka nevojë, pasi këtu ka ujë madje me tepricë, ndërsa në pjesën e thatë duhet të rritet e të mbahet konstante dhe kjo ndikon në mikroklimën dhe në anën pamore, turistike.
Ka disa metoda, si ndërtimi i vaskave gjigante që fillojnë me një port tek dalja e Bunës në liqen dhe që përsëriten në vende të caktuara duke mos e penguar ujin, por e bëjnë lumin me kate të lundrueshëm.
Mënyrat janë të ndryshme, por kjo e ruan liqenin dhe siguron turizëm të qëndrueshëm. Thellimi i Bunës duhet të ketë parasysh dhe faktin që siguron një sasi të madhe të materialeve, zhavorreve që mund të përdoren për tregun.
Por thellimi i Bunës krijon një problem që është si të thuash një autogol. Duke u thelluar Buna, rritet diferenca negative me nivelin e detit dhe praktikisht bëjmë punën e kundërt, pranojmë ujë të kripur brenda në lumë dhe nuk i rregullojmë problemet e zonës së sipërme, pasi deti ka fuqi invaduese shumë më të fuqishme se Buna dhe e kryen këtë punë praktikisht dhe në situatën e tanishme, siç e ka kryer gjithmonë.
Aty arrihet një akord natyral, ndërtohet një pakt natyral që nuk ka marrëdhënie të tjera, por arrihet në një ekuilibër, derdhja e Bunës me ndërhyrjen e detit, ekuilibrojnë njëra-tjetrën por duke i çuar fundit se nuk mund të rrijë ndryshe. Po të jetë lumi Buna 7 metër i thellë dhe me atë ardhjr po kaq det brenda, fenomeni është jo normal atëherë.
Sa ka mundësi të realizohet praktikisht thellimi i Bunës?

Problemi duhet parë në aspektin teknik dhe ekonomik. Çfarë vlere mund të arrijë dhe çfarë vetëshlyrjeje mund të bëjë, pra sa ia vlen.
Mbrojtja e brigjeve rregullon gjëra të vogla, nuk ka efekte në mbrojtjen e sigurt dhe shkaku është se lumi Buna kalon në një grykë të ngushtë, që është ajo e Belajve dhe që është e maturuar me një sasi të caktuar uji, që është 2000-2500 m3 ujë në sekondë.
Me kalimin e kësaj sasie, pra në qoftë se kalon më shumë ujë se aq, lind nevoja e shfryrjes, dhe kjo ndodh në zonën e Shirqit, që quhet ndryshe kapërdedhja në zonën e ekspansionit të ujit. Në këtë pike, cilado qofshin zgjidhjet, po them unë “artistike”, në lumin Buna, kjo zonë do mbetet gjithmonë zonë e shkarkimit të ujërave të tepërta.
Kjo zonë, këto lloj ujërash kur dalin në këtë fushë shkarkohen në Mërtemzë që ndodhet afër Trushit, kalon në Ças deri Vilun në Velipojë. Buna shkarkon në dy drejtime. Kështu që këto zona nuk mund të jenë të banuara asnjëherë, edhe pse kjo ka ndodhur për shkak të nevojave të njerëzve për të ndërtuar. Kjo zonë nuk mund të jetë asnjëherë e banueshme, pasi është zona e kalimit të ujërave të tepërta të Bunës .
Kjo do të thotë se, në rast se bëhet një projekt për thellimin e lumit Buna, këta banorë duhen zhvendosur?
Problemi i zhvendosjes ose jo të banorëve është krejt tjetër. Po qe se ndërhyhet për thellimin e Bunës në ato brigje të ngurta, nuk mund të bëhet në këtë zonë, se nuk ka ku shkon uji, praktikisht do lihet ashtu siç është dhe do vazhdojnë efektet e përmbytjeve në zona të caktuara që janë të njohura dhe nuk ka pse çuditemi.
Ndërsa dobishmëria e thellimit të Bunës lidhet me lundrimin, pasi krijohet një korridor ujor që shkon deri në brigje të Italisë dhe gjithë bregdeti italian i ka këto korridore. Kjo krijon mundësi të mëdha zhvillimi në rastin e transportit ujor të madh dhe të shpejtë të produkteve të ndryshme.


Sa ndikon thellimi i lumit Buna në evitimin e përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës?
Nuk bëhet fjalë të ndikojë. Evitimi i përmbytjeve lidhet me kaskadën e Drinit, me mirëmenaxhimin e prurjeve në lumin Buna.
Lumi Buna transporton 1500m3 ujë në sekondë, ndërsa shkarkimet nga kaskada e Drinit arrijnë 4000- 4500 m3 ujë në sekondë. Ky ujë nuk ka ku shkon dhe nuk ka fjalë për evitimin e kësaj sasie, por mirëmenaxhim të prurjeve dhe shkarkimeve në kaskadë.
Thellimi i Bunës nuk ndikon në evitimin e përmbytjeve, pasi ai bën një sistemim të fundit. Në qoftë se preket shtrati bëhet sistemim që lundrimi të jetë uniform dhe të mos kenë problem anijet në asnjërin breg, pra mjetet e lundrimit që do të hyjnë këtu.
Thellimi mund ta lehtësojë disi efektin e përmbytjeve por, një ndër kushtet kur diskutohet me këmbë në ujë është komoditeti. Po qe se dikujt i mbushet mendja ta bëjë thellimin e Bunës, faleminderit, por nuk zgjidh asgjë dhe nuk mund të evitojë përmbytjet.
Efektet pozitive që krijon në drejtim të zhvillimit të transportit ujor, janë efekte që nuk kanë intensitet të lartë meqë tek ne ka transport të orientuar drejt rrugëve tokësore dhe po qe se hyn në efektivitet dhe transporti ujor përmes Bunës e më tej, duhen bërë shpenzime të tjera të mëdha plotësuese me kosto kolosale, duke ndërtuar rrugë, marina të vogla dhe kjo duket një ëndërr karshi problemeve që ka kjo zonë me ujërat.
Sa qëndrojnë deklarimet se thellimi i Bunës do të evitojë përmbytjet?
Tokat janë formuar nga depozitimi i këtij uji, nga Buna e Drini, por ka dhe depozitime lymi që kanë rritur cilësitë e tokës dhe shkurtojnë kohën vegjetative të prodhimit. Kjo bën të pranohen kultura me cikël të shkurtër, dhe duke qenë kështu, nuk është çudi që këto zona të përmbyten.
Problemi social lidhet me atë se ka ndërtime pa efekt e pa limit afër së keqes, përmbytjet nuk mund të eliminohen por vetëm të shkurtohet koha e qëndrimit të ujit të tokë, përmes mirëmbajtes së rrjetit të kullimit e bonifikimit, pikërisht në binjaken e Bunës në përmasa më të vogla, gjirin e Mërtemsës, ku dhe aktualisht po punohet. Zgjidhjet që artikulohet për të evituar përmbytjet duke thelluar Bunën janë populiste, pasi nuk zgjidhin asgjë në këtë drejtim.
Procesi i thellimit po filloi duhet çuar deri në fund, pasi në të kundërt e ndryshon rrjedhën e Bunës dhe ka efekte anësore, nuk mund të bëhet pjesë-pjesë. Ka rreth 9 metër thellësi nga Ura e Bunës deri në det, kjo është maksimalja kur fryhet Buna, dhe energjia që mund të përfitohet është e madhe, por vepra hidrike nuk mund të bëhen se ka kosto të larta dhe më shumë shkatërrojnë ekosistemin sesa kanë efekt ekonomik.
Po qe se bëhet thellimi, procesi është i gjatë dhe duhet bërë kur nuk ka reshje, pasi ato pengojnë dhe atëherë vijmë tek shprehja popullore “me mih në Bunë”.
Duhet thënë se nuk ka një rezultat përfundimtar studimi për tërësinë ujore të përbërë lumenjtë Drin e Buna dhe liqeni i Shkodrës, e cila lidhet me një pellg ujor shumë të madh që fillon nga Ohri, përfshin Drinin e bashkuar, Moraçëm etj, rreth 60% e territorit të Shqipërisë.

Rruga Shëngjin-Kune e pakalueshme, “projekti” ende i largët


LEZHË –
Me 7 maj 2010 në ditën e përurimit të përfundimit të punimeve për ndërtimin e rrugës superstradë-Tale, kryeministri Sali Berisha theksoi se qeveria e tij është angazhuar që brenda 2010-s të asfaltojë çdo kilometër rrugë në zonat turistike.
Po nga Talia kryeministri premtoi përurimin e fillimit të punimeve në rrugën Shëngjin-Kune. Kanë kaluar më se 5 muaj nga kjo deklaratë dhe në rrugën e Kunes shfaqet e njëjta situate, madje më e përkeqësuar.
Edhe pse ka disa ditë që reshjet kanë pushuar, i gjithë segmenti Shëngjin-Kune është i pakalueshëm, për shkak se ai tashmë është shndërruar në pellgje ujëmbledhëse duke bërë të pamundur si lëvizjen e këmbësorëve ashtu edhe të automjeteve, të cilët duhet të zgjedhin brezin e rërës për të lëvizur.
Me problemin e amortizimit të kësaj rruge gjatë sezonit turistik janë përballur pushuesit dhe bizneset, ndërsa për banorët e Kunes kjo rrugë është problematike në çdo stinë. Banorët shprehen se ka 20 vite që nuk është vënë dorë dhe që premtohet ndërtimi i kësaj rruge, por që realisht asgjë nuk është bërë, madje as ndërhyrje provizore për të mbushur gropat me çakull. Ata deklarojnë duket se “Kunia është lënë në harresë në mënyrë të qëllimshme”.
Gjatë një vëzhgimi të bërë konstatohet se gjendja është përkeqësuar edhe më tepër, ndërsa në ditët me reshje e gjithë kjo lagje përmbytet. Në korrik të këtij viti u deklarua zyrtarisht nga qeveria shqiptare se shkurtimi i investimeve publike në buxhetin e shtetit për vitin 2010 ka prekur veçanërisht sektorin e investimeve në sistemin rrugor.
Janë plot 37 projekte rrugore që nuk do të bëjnë më pjesë në financimin e mëtejshëm nga buxheti i shtetit, si efekt i shkurtimit të shpenzimeve, ku në këtë listë të rrugëve gjendet edhe ajo Shëngjin- Kune, çfarë nënkupton se edhe për këtë vit nuk do të ketë asnjë investim.
Fier, përfundon projekti për lumin Gjanicë

FIER – Përfundon projekti për lumin Gjanicë, i cili është një ndotës potencial jo vetëm për Bashkinë e Fierit, por edhe për zonat bregdetare të Semanit me një gjatësi prej 25 kilometra.
Kjo për vetë faktin se në këtë lumë si dhe në lumin e Hoxharës dhe Vijën e Ngjalës derdhen tonelata hidrokarbure nga zonat naftëmbajtëse. Ky shqetësim ka bërë që Bashkia e Fierit të punojë për një projekt, i cili ka përfunduar pas disa vitesh punë. Kryetari i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj, në një konferencë për shtyp u shpreh se projekti i prezantuar për lumin Gjanicë ka një vlerë të përcaktuar prej 13 milionë eurosh.
Në këtë fond përfshihet edhe projekti për pastrimin dhe sistemimin e lumit, që do të duhet të financohet nga BE-ja me mbështetjen edhe të qeverisë shqiptare dhe donatorëve të tjerë të fuqishëm. Kryebashkiaku pohoi se kjo vlerë nuk mund të përballohet nga bashkia dhe për këtë arsye kërkohet mbështetje.
Duke marrë në konsideratë kohën që duhet për të përfituar fondet nëse gjithçka shkon mire, Zeqaj thotë se në muajin maj projekti nis nga zbatimi në terren.
Ndërkohë ai shton se “projekti është prezantuar në takime të shumta që bashkia ka organizuar me aktorët lokalë. Tashmë ky projekt ka marrë miratimin nga ministri i Mjedisit. “Ky fond nuk mund të përballohet nga bashkia pasi vlera e tij është tepër e lartë. Projekti ndërkohë është kompleks dhe përfshin rehabilitimin e shtratit të Gjanicës, si dhe instalimin e një impianti në Ballsh aty ku derdhen mbetjet hidrokarbure nga Uzina.
Kjo do të thotë që nga ky projekt nuk përfiton vetëm bashkia dhe qyteti i Fierit, por të gjithë banorët e zonave ku kalon lumi Gjanica, si dhe turizmi bregdetar”, tha Zeqaj. Lumi Gjanica aktualisht është problemi më madhor për bashkinë e Fierit, por ai shihet si një ngërç mjedisor edhe nga Ministria e Mjedisit, e cila ka mbështetur fuqishëm veprimtarinë e aktorëve për hartimin dhe përfundimin e plotë të këtij projekti, i cili është rehabilitimi i plotë lumit Gjanicë.

SHEKULLI
YouTube Preview Image