Shkrela: Të tjerët të llogarisin forcën tonë

November 14, 2010   | Intervista / Intervju

Partia Demokratike e Socialistëve e cilëson vendim politik të guximshëm dhe të mençur daljen e saj të vetme në zgjedhjet lokale në Ulqin. Shkrela ka theksuar se në bisedimet e ardhshme për formimin e pushtetit lokal,PDS do të jetë korrekte.
Ulqin – Vendimi i Partisë Demokratike të Socialistëve për të dalë e vetme në zgjedhjet e përsëritura lokale të 17 tetorit në Komunën e Ulqinit është treguar si një vendim politik i guximshëm dhe i mençur, ka thënë të hënën në konferencën për shtyp kryetari i Këshillit Komunal të kësaj partie, Luigj Shkrela. „Ne verifikuam forcën tonë individualisht ashtu që bisedimet mbi koalicionin paszgjedhor të mund të zhvillohen në bazë të këtyre rezultateve. Mendoj se kemi arritur atë që kemi dëshiruar – që të tjerët duhet seriozisht të llogarisin në forcën tonë“, ka thënë ai. Shkrela e ka cilësuar rezultatin e arritur nga kjo parti në Ulqin më të mirin që nga fillimi i parlamentarizmit e deri në ditët e sotme. Por ky rezultat, sipas tij, përbën „ferrë në sy për shumë liderë dhe subjekte politike – sepse ne gjithmonë jemi fajtorë për çarjen e elektoratit shqiptar dhe pamundësinë për bërjen e koalicioneve parazgjedhore të bazuara në ndjenja patriotike dhe eufori nacionale, të cilat sipas mendimit tim janë një e kaluar në jetën politike të Malit të Zi“. Kryetari i KK të PDS-së ka theksuar se kjo parti ka kontribuar në stabilizimin dhe konsolidimin e skenës politike të Ulqinit, si në periudhën parazgjedhore ashtu edhe në atë paszgjedhore. Shkrela pret që PDS të valorizojë rezultatet e zgjedhjeve në përbërjen e ardhshme të pushtetit lokal në Ulqin. „Këtë duhet valorizuar konkretisht në qeverinë e ardhshme në nivelin lokal“, ka thënë ai. Shkrela ka theksuar se në bisedimet e ardhshme për formimin e pushtetit lokal, PDS do të jetë korrekte. „PDS-ja edhe në periudhën e cila është para nesh e që ka të bëjë me fomimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të koalicionit me subjektet politike të respektuara – respektivisht partnerët eventualë të koalicionit, do të vazhdojë me praktikën e principit të korrektësisë – respektimit të ndërsjellë dhe në këtë mënyrë plotësisht dhe konkretisht të valorizojë vullnetin zgjedhor të qytetarëve dhe gjithë këtë në interesin e përgjithshëm të të gjithë qytetarëve pa marrë parasysh kujt ia kanë dhënë besimin e vet“, ka përfunduar ai.

(Kohapress)

1