Kapllan Resuli: Gradat e mija shkencore dhe titulli akademik

November 16, 2010   | Opinione

GRADAT E MIJA SHKENCORE DHE TITULLI AKADEMIK

E nderuara Redaksi,

Siç shoh nga komentat e botuar në sajtin tuaj, komentatorët janë të interesuar për të ditur nga i kam gradat shkencore profesor e doktor, si dhe titullin akademik. Sa për dijeni këtë interesim e kanë treguar edhe shumë të tjerë. Shkrimtari enverist Naum Prifti edhe ka shkruar për këtë gjë në shtypin e Tiranës, kuptohet – ashtu siç e kanë instruktuar. Siç shihet edhe në sajtin tuaj, për këtë gjë na paska shkruar edhe Kadri Osmani, shkrimtar antienverist, që dikur e ka hyjnizuar Kapllan Resulin, po që kur e ka marrë vesh se nuk jam ai që mendonte ai, u tërbua dhe – lexuesit e këtij sajti tani e dinë se ç’ka trilluar e shkruar kundër meje.

Që të mos e zgjas, ja fotokopia e letrës zyrtare të presidentit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, zotëri prof. dr. Skënder Rizaj, me të cilën më ka vënë në dijeni se si shkrimtar më kanë shpallur ANËTAR NDERI të Asaj Akademie, kurse si filolog më kanë kooptuar për anëtar të zakonshëm. Si të tillë më kanë ngarkuar edhe detyrën e Sekretarit të Seksionit të Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Asaj Akademie. Si sekretar, në bazë të statutit, jam edhe zëvendës i parë i presidentit të Akademisë në fjalë. Në të gjitha detyrat i shoqëruar me gradat profesor dhe doktor.

Këtë gjë mund ta shihni edhe në revistën zyrtare të Asaj Akademike SHKENCAT DHE ARTET SHQIPTARE Viti I, Nr. 1-4, Prishtinë-Istanbul-Tiranë 1993, ku është botuar ORGANIKA E ASAJ AKADEMIKE dhe qart thuhet se, si sekretar i Seksionit të përmendur jam edhe zëvendës-president i Asaj Akademie.

Sa për dijeni: mua më është afruar edhe posti i presidentit të Akademisë së Shkiencave të Shqipërisë (Apo jo o Luan Isufi?!) dhe unë, me një deklaratë që e bëra përmes shtypit, e refuzova atë post.

Ata që ulurijnë kundër meje se nuk qenkam akademik, se nuk i paskam as gradat shkencore të përmendura (Ka të tillë që më mohojnë edhe arsimin e lartë! Apo jo, o Agim Spuzha?!) e dinë shumë mir se gënjejnë. Gënjeshtra ka qenë, është dhe do të mbetet arma e tyre e preferuar kundër meje. E çfarë arme tjetër mund të kenë, kur e vërteta është kundër tyre?!

Po unë u them të gjithëve, edhe atyre që nuk hyjnë në kategorinë e këtyre shqiptarëve mohues të emrit e të personalitetit tim, të veprës e të sakrificës, të vetmohimit tim më të jashtëzakonshëm, por ama që po qëndrojnë më një anë si sehrixhinjë indiferent: Mua nuk më ka bërë akademik, as profesor dhe as doktor, Skënder Rizaj me kolegët e tijë të udhëheqjes së Asaj Akademie. Mua më kanë bërë profesor, doktor dhe akademik veprat e mija, shumë mir të njohura jo vetëm nga shqiptarët, por anë e kënd botës. Si të tillë mua më ka njohur, jo vetëm për akademik, por edhe për famous Albanian dissident and historian, edhe Universiteti i New Yorkut, që edhe m’i ka botuar tezat e mija albanologjike anglisht. Shiheni, se këtë gjë e keni të shpallur edhe në sajtin e Atij Universitetit!

Më ka njohur edhe enciklopedia botërore WIKIPEDIA.

Kohëve të fundit shoh se më paskan futur edhe në WIKIPEDIA-n sërbe, bile edhe në WIKIPEDIA-në shqiptare!

Po është e vërtetë që mua askush nuk më pagon as rrogë dhe as pension. Bile, edhe për shkrimet që po më botohen dita ditës, askush nuk më ka paguar dhe nuk më pagon asnjëfarë honorari, me përjashtim të 500 markave që m’i ka dhënë Ibrahim Kelmendi (për 100.000 kopje të romanit TRADHTIA!) dhe Sali Kabashi 50 franga zviceranë, që m’i ka dhënë për një cikël poezirash të botuara në revinë e tij REPUBLIKA. Për mua rroftë e qoftë populli zviceran, se sikur ai të mos më jepte një kafshatë bukë, për sa u përket „shkieve“ (O Toni!) do të kisha vdekur nga uria.

Këto ditë lexova një artikull, më duket të shkrimtarit Ramiz Kelmeni, ku shkruante për ata që, në Universtetin e Prishtinës e të Tetovës, kanë blerë e blejnë jo vetëm diploma, por edhe grada shkencore, doktor e profesor, bile edhe titullin akademik. Këtyre „shkiet“ (siç shprehet Toni në këtë sajt!) u kanë paguar dhe u pagojnë rroga, honorare të majme dhe pensione. Prandaj mos u habitni që kanë përkrahur klikat social-fashiste në pushtet, duke dalë edhe si jallan shehitër kundër nesh, nëpër sallat e gjyqeve, që na janë kurdisur prej pushtetit me ndihmën e gjithanëshme dhe antiligjore të këtyre akademikëve, profesorave dhe doktorave. Një fjalë e urtë e popullit thotë: qeni leh aty ku hanë!

Ju, që më keni përgojuar e po më përgojoni mar e prapsht, po të ishit me një çik sedër, nder e dinjitet, për këta akademikë, profesora e doktora duhej të interesoheshit nga i kanë gradat e titujt, se edhe „shkiet“ (!) nuk i kanë paguar dhe nuk po i pagojnë me djersën e tyre, por me djersën e popullit, ndoshta edhe me djersën tuaj. Bile – i kanë paguar edhe me gjakun e popullit! Për këta duhej të interesoheshit dhe të pyesnit, e jo për mua, që deri më sot nuk ju kam kushtuar asnjë centim.

Për mua do të ishte e udhës të bëni pyetjen përse këta „shkie“ (që aq shumë e dashkan Kapllan mavrinë! Kadri Osmani thotë për Kapllanin se ishte „mik i Momir Bullatoviqit, që nënkupton se ishte edhe mik i Sllobodan Millosheviqit“!) sot e kësaj dite nuk i japin as një kasolle me kashtë për të futur kokën.

Siç duhet ta dini, akademikëve, profesorave dhe doktorave tuaj (të dashur e të respektuar, të nderuar nga ju, ndoshta pse kanë dalë edhe dëshmitarë nëpër sallat e gjyqeve të kurdisura kundër meje dhe shokëve të mi), jo vetëm që „shkiet“ ua kanë bërë të mundur që me rrogat e honorarët e tyre të ndërtojnë shtëpia, por edhe ua kanë bërë të mundur që edhe të privatizojnë për asgjë banesat shtetërore, kështu që pothuajse të gjithë një shtëpi e kanë në Ulqin dhe një tjetër atje – në Prishtinë. Apo nuk është e vërtetë kjo gjë, o Bahri Brisku?! Në Tiranë Ismail Kadare ka privatizuar dy apartamenta, në një kohë që mua „antienveristët“ në pushtet sot e kësaj dite nuk më japin as banesën që më takon si i persekutuar politik. Apo nuk është kështu, o Sali Berisha?! Ky Sali mavrija edhe kur ishte president i Shqipërisë është marrë me problemin e banesës sime, por – në vend që ta zgjidhte – besoj se u bind që në Shqipëri, edhe si president, ai kishte në duar vetëm çelsat e kashtës. Po, edhe carta bianca-n që të ulurinte se ia ka ngrënë hallvën komunizmit. Ç’është e vërteta, edhe ia ka ngrënë! Bile qysh me kohë dhe me lugën e Enver Hoxhës. Edhe me Enver Hoxhën, ashtu – së bashku, duke rrahur gjoksin për të vetmit marksist-leninista në botë! Në pritje që të ngrihet nga varri mësuesi dhe udhëheqësi i tyre shpirtëror Josif Visarionoviç Stalini, kështu po luhet cic-mici, or BALLIST, në të gjitha vendet ish „socialliste“.

Kaq për gradat e mija shkencore dhe titullin akademik. Kush do të dijë hollësira të tjera, të lexojë veprën time SHPALLJE, botuar në revinë YLBERI Viti VII, Nr. 10, Gjenevë, dhjetor 1999, f. 24-25.

Prof. Dr. Kapllan RESULI – akademik

13