Teuta Kurti: Juliana e Luizi, e meritonin fitoren!

November 24, 2010   | Lajmet / Vijesti

Siç ndodh zakonisht në fundin e një gare, ashtu edhe pas natës finale në “Kënga Magjike”, dolën shumë të pakënaqur e shumë triumfues. Të pakënaqurit ishin ata që nuk u vlerësuan me ndonjë çmim mbrëmjen e së shtunës, ndërsa për ata të cilët u vlerësuan me njërin apo tjetrin nga çmimet e ndara, ishte një spektakël mjaft mirë i organizuar.

Teuta Kurti: Isha personi më i lumtur për këtë mënyrë votimi

Në mesin e atyre që u vlerësuan me çmime, sa u përket pjesëmarrësve nga Kosova ishte edhe Teuta Kurti, e cila e vlerëson lart këtë spektakël dhe mënyrën e organizimit të tij. “Jo vetëm nata finale e festivalit “Kënga Magjike”, por që të tri netët e fundit kanë qenë shumë mirë të organizuara. Si skena, si regjia e si gjithçka tjetër ka qenë në nivel të lartë. Vërtet i ka ngjarë një festivali evropian”, kështu shprehet Teuta, ndërsa flet edhe për çmimin që rrëmbeu e ndjenjën që përjetoi. “Është hera e tretë që marr pjesë në “Këngën Magjike” dhe fatmirësisht në që të tre vjetët shpërblehem. Këtë vit mora çmimin “Best Dance”. Është një çmim shumë i mirë dhe shumë i qëlluar pasi që vërtet ishte këngë ritmike dhe ndryshe nga tjerat”.

Teuta vlerëson lart edhe votimin e hapur për kolegët. “Për dallim nga kolegët e mi, nuk po dua ta teproj, por ndoshta kam qenë personi më i lumtur për këtë vendim, pasi nuk jam tip i kompleksuar. Edhe më herët kur votimet ishin të fshehta jam ndjerë shumë keq sepse nuk isha Teuta. Nuk isha personi që duhet me fsheh vetveten. Pse të mos votojmë haptazi, të votojmë për njerëzit që e meritojnë. Vota është çështje shijeje, çështje e këngëtarit dhe çështje e nivelit të këngës”.

Për më tepër, këngëtarja është ndarë e kënaqur edhe me këngën fituese, madje edhe më të kënaqur e bënë fakti se kësaj kënge ia dha pikët e saj maksimale. “Fatmirësisht këngës që i dhashë 20 pikë, ajo ka fituar. Jam ndarë shumë e kënaqur. Fillimisht me këngëtaren Juliana Pasha, pasi që përveç që e kam dhe mike, është një këngëtare shumë profesionale. Ia ka vlejtur për vendin e parë dhe kënga ka qenë shumë e mirë, me një tekst të bukur, me një mesazh të mirë. Jam e lumtur për këngën fituese! E ka merituar”, shton për fund ajo.

Gresa Behluli: Si gjithmonë spektaklet private janë kështu

Ndonëse nuk u vlerësua me ndonjë çmim, këngëtarja Gresa Behluli ndjehet krenare me këngën dhe paraqitjen e saj në festivalin “Kënga Magjike”. “Jam shumë e kënaqur me paraqitjen time dhe këngën që kam dhe mendoj që shumica e këngëve fituese nuk krahasohen me këngën time. E them me shumë bindje këtë dhe mendoj se adhuruesit e këngës sime do të jenë krenarë me paraqitjen time atje”, kështu thekson Gresa, ndërsa shton edhe vlerësimin e saj për mënyrën e votimin. “Sa i përket votimin, unë s’kam pas qasje në çarqet e votimit atje. Si gjithmonë, spektaklet private kështu janë”, thekson për fund Gresa.

Linda Halimi: S’e ndoqa festivalin, por çmoj këngën fituese

E ajo që nuk arriti fare në natën finale dhe jo për arsye votash, por për shkak se ditë më parë u përjashtua nga gara dhe nata finale për shkak të një vonese 30 minutëshe në prova paraprake, ishte këngëtarja Linda Halimi bashkë me kolegët e saj Nora Istrefi dhe reperi “Big D”. E përveç se ishte mjaft e zhgënjyer për këtë përjashtim, Linda nuk pati pikë dëshire që të përcjellë as spektaklin në të cilin bënte pjesë deri tre ditë para përfundimit të tij. “Nuk e kam përcjell spektaklin “Kënga Magjike”. Thjesht nuk më ka ngjallë ndonjë interesim që ta shikoj. E di që vendin e parë e ka marrë kënga “Sa e shite zemrën” e sjell nga dy zëra brilant siç është ai i Juliana Pashës dhe Luiz Ejllit.”, thekson Linda, ndërsa shton se largimi i saj ishte i padrejtë, ndonëse është e vetëdijshme për kontratën dhe rregullat e parapara në të. “Është zhgënjim i keq madje të humb edhe motivin për të punuar. Të paktën gjatë atyre ditëve”.

Në festivalin “Kënga Magjike” e kemi të ndaluar të marrim pjesë në gjashtë vjetët e ardhshme. Kjo ndodhi për një arsye shumë të pakapshme. Për një vonesë 30-të minutshe. Edhe pse kontrata ka shpjeguar shumë gjëra, në rastin tonë është dashur të bëjnë pak përjashtim. Udhëtuam përgjatë rrugës nga Kosova dhe për fat i shpëtuam një aksidenti ekstrem në rrugë. Por, edhe pse e kemi të ndaluar pjesëmarrjen në gjashtë vjetët e ardhshme, unë nuk do të jem kurrë më pjesë e atij spektakli”, thekson Linda, ndërsa shton për fund se “edhe po t’i merrja 100 çmime nuk do të më kënaqeshin më shumë se sa më kënaq e më jep forcë dashuria dhe përkrahja e publikut tim”.

“Infopress”, provoi të kontaktojë edhe me këngëtarët Ramadan Krasniqi-Dani dhe Vesa Luma, por pasi që ata ende ndodheshin në Tiranë, nuk arriti të marrë prononcimet e tyre për këtë festival.

Këngët që u shpërblyen në “Kënga Magjike 2010”

Çmimi televiziv: Ronela Hajati – “Harroje”

Best Rock: Vedat Ademi – “Yjet s’bien shpesh”

Magjia e Parë: Argjentina Ramosaj – “Engjëjt Qajnë”

Best Hip-Hop: Stresi – “Tik Tak”

Best Performance: Zajmina Vasjari – “Një me Gjashtë”

Best Vocal: Era Rusi – “Gipsy Lover”

Best Dance: Teuta Kurti – “Mos Pi Mo”

Çmimi AMC: Burn – “E Dija”

Çmimi i Produksionit: Vesa Luma – “Vetëm”

Çmimi Diskografik: Çiljeta – “Të Dy Qajnë të Ndarë”

Çmimi i Internetit: Noizy – “My Lady”

Best Balade: Olta Boka – “Mbete një Brengë”

Çmimi Çesk Zadeja: Gerta & Klejdi Mahmutaj – “Në Ditar Një Dashuri”

Best Stil: Adrian Gaxha – “Edhe një Herë”

Çmimi Tendencë: Rrezarta Shkurta – “Budallaçkë e Vogël”

Kantautori më i mirë: Pirro Çako – “Mirëmbrëma”

Çmimi i Kritikës: Rozana Radi & Ramadan Krasniqi – “Valsi i Tradhëtisë”

Çmimi i Interpretimit: Greta Koqi – “Koha s’ndal”

Kënga Hit: Eranda Libohova – “Rroftë Dashuria”

Kënga fituese: Juliana Pasha & Luiz Ejlli – “Sa e shite zemrën”

Panorama Plus
YouTube Preview Image