“Art Club” – 20 vjet kulturë shqiptare në Ulqin – Video

December 26, 2010   | Shtypi / Mediji

Ulqin, 25 dhjetor – Shoqata e Artistëve dhe Intelektuale “Art Club” në Ulqin, e cila konsiderohet “sinonim i kulturës shqiptare në Malin e Zi”, sot 20 vjet më parë doli në skenë,duke sjellë një frymë të re të zhvilimit e afirmimit të vlerave të kulturës shqiptare në Ulqin e qendra tjera autoktone shqiptare në Malin e Zi.
“Ka qenë ky një guxim i intelektualëve shqiptarë në Ulqin. Brenda një kohe të shkrurtër Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve ‘Art Club’ u bë një asociacion shumë i respektuar, duke pasur parasysh projektet e realizuara nga fusha e letërsisë, tryeza të rrumbullakëta, të arteve pamore, botime të veprave të autorëve shqiptarë nga Ulqini, por edhe nga mbarë hapësira shqiptare, katër revista, teatrin e parë eksperimental, i prezantuar edhe në Egjipt, pjesëmarrja në ekspozita mbarëkombëtare në Shkodër,Tiranë,Prishtinë etj.”, u shpreh të shtunën njeri ndër nismëtarët e kësaj shoqate të parë të shoqërisë civile shqiptare në Mal të Zi, piktori Rudi Goga, raporton KosovaLive.
Ndërkaq,sekretari i SHAI “Art Club”, shkrimtari Asllan Bisha thotë se veprimtaria 20 vjeçare e kësaj shoqate është thesari i paçmueshëm i kulturës shqiptare në Mal të Zi.
“Ndonëse pa fonde dhe përkrahje të nevojshme financiare, në Ulqin kemi sjellur emrat më të lakuar të shkencës mbarëshqiptare, si akademikët Idriz Ajeti, Rexhep Ismaili, Shaban Demiraj, Jup Kastrati etj. por edhe penat më të shquara të letërsisë sonë bashkëkohore, si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Ali Podrimja, Xhevahir Spahiu, Sabri Hamiti, Zef Skiroi e shumë të tjerë, duke i dhënë Ulqinit epitetin qendër e kulturës shqiptare verore”,- thotë Bisha.
Ai shton se me firmën e SHAI “Art Club” janë botuar mbi 100 tituj librash, e nga ky vit është nisur edhe me kolanën e veprave të përzgjedhura të shtyllave të nismës, rritjes dhe afirmimit të letërsisë shqipe në Mal të Zi, si pjesë e asaj gjithëkombëtare.  “Natyrisht se, krahasuar me hapat fillestare, tash ekzistojnë kushte më të mira. Gjendja duket shqetësuese sepse vërehen pak emra të ri që të japin shpresë se do të vazhdojnë traditën e zhvillimit të kulturës shqiptare, qoftë në SHAI ‘Art Club’ apo në simotra tjera,” vlerëson Bisha.
Ky jubile i SHAI “Art Club” shënohet me përurimin e veprave letrare dhe publicistike të Haxhi Shabanit, Anton Gojçajt dhe të Nail Dragës,por edhe me monografinë e filmin dokumentare mbi historikun e këtij asociacioni të pavarur të kulturës shqiptare në Ulqin.

KOHA NET
http://www.dailymotion.com/video/xgbe6n