Nora Istrefi, e gatshme për krijimet e radhës

January 7, 2011   | Lajmet / Vijesti

Pas një morie angazhimesh në fundvitin që lamë pas, këngëtarja Nora Istrefi ditët e para të këtij fillimviti ia ka dedikuar pushimit. Thotë se aktualisht është duke akumuluar energjinë e humbur, ndërsa të rejat e radhës do pasojnë vetëm pas një pushimi të mirë të saj. “Këto ditë veç kam pushuar, kam fjetur, pasi fundvitin që shkoi më ka rënë të udhëtoj shumë gjatë e të angazhohem shumë në muzikë. Për Krishtlindje isha në Kanada, ndërsa më pas isha në Gjermani e Zvicër. E duke qenë se edhe tri netët festive isha e angazhuar me këngën, më duhej shumë pushimi. Tash po pushoj”, thekson Nora, ndërsa shpalos kohën aktuale e momentet festive të fundvitit paraprak.

E kënaqur me krijimin e fundit

Thotë se ka festuar bashkë me fansat e saj. Nata e ndërrimit të viteve e gjeti në Gjermani, bashkë me Sinan Vllasaliun e fansat e saj atje, ndërsa dy ditët pasuese këndoi në Zvicër e Prishtinë. “Kam kaluar shumë, shumë mirë gjatë tri netëve festive. Ka pasur mjaft shumë publik. Kjo më ka gëzuar më së shumti e gjithashtu edhe atmosfera ka qenë shumë e mirë. Kështu që edhe pse nuk isha në shtëpi dhe gjirin familjar, prapë e kam ndier vetën mirë dhe jam kënaqur”.

Përveç angazhimeve nëpër mbrëmje të ndryshme, Nora në fund të vitit 2010 realizoi këngën dhe klipin e saj më të ri, me të cilin krijim thotë se është ndarë shumë e kënaqur. “Këngën tashmë e kam realizuar. E realizova me ‘Entermedian’, si gjithmonë. Është një klip shumë ‘cool’. Jam ndarë shumë e kënaqur me gjithçka që është realizuar si rreth këngës, ashtu edhe rreth klipit të fundvitit”.

Vizitoj edhe vendet e “zhurmshme”, kur kam mall për to

E ndonëse thotë që tashmë është dashur të fillojë me angazhimet e radhës rreth projekteve të reja, energjia e humbur pas angazhimeve të shumta që pati, i pamundësuan një gjë të tillë. “Është dashur që qysh nga tash të filloj me disa punë e plane që kisha, por s’po mundem për shkak se po më duhet të rifitoj energjinë e humbur. Do të vazhdoj me punë rreth projekteve tjera, të cilat nuk dua t’i publikoj tash. Nuk kam një datë të caktuar se kur do të pasoj diçka e re, pasi nuk mund të jap një datë të saktë. Nuk dua të ngutem, por të punoj që gjithçka të dalë sa më mirë të jetë e mundur”.

Përkundër angazhimeve muzikore, Nora ka edhe jetën e saj që lidhet me argëtimin. I pëlqen të dalë, ndonëse jo shpesh, ndërsa si vende më të preferuara i ka vendet e qeta. Por e merr malli edhe për të zhurmshmet. “Aktualisht nuk kam ndonjë vend të caktuar që do të veçoja e që dal më shpesh. Dua të pushoj aktualisht. Më shumë preferoj vendet e qeta, por që ka raste kur me merr malli edhe për vende të zhurmshme. Dal, por jo shumë shpesh”.

E koha dedikuar më të dashurve të saj, familjes dhe Robertit, është më e dëshiruara për Norën. “Gjithnjë mundohem të gjej kohë për ta. Po mundohem t’i mbërrij të gjitha. Është mirë edhe në këtë drejtim”, thekson për fund ajo, ndërsa premton krijime të reja për muajt pasues.

Shqipmedia
YouTube Preview Image

1