Refugjatët kosovarë urdhërohen të largohen nga pushimorja e Kamenovës – Video

January 13, 2011   | Lajmet / Vijesti

Ulqin/Budvë , 13 janar –  Njëzet familjet e refugjatëve nga Kosova, të cilët tash 11 vjet jetojnë në pushimoren e dikurshme Kamenovë në rivierën e Budvës, në bregdetin e Malit të Zi, deri më datën 10 shkurt të këtij viti duhet të largohen nga ky objekt, sipas Gjykatës themelore të Kotorrit.

Gjykatësja, Sanja Cakanoviq mbi bazat e aktvendimit në fuqi ka caktuar këtë ditë për shpërnguljen e 20 familjeve të refugjatëve.

“Refugjatët janë të detyruar që deri më 10 shkurt t’ia dorëzojnë objektin kompanisë së autorizuar ‘Rekreaturs’, sepse në të kundërtën shpërngulja do të bëhet me dhunë,” citon KosovaLive vendimin.

Refugjati, Dragan Knezheviq, në emër të refugjatëve porosit se nuk do të largohen nga objektet e pushimores së dikurshme të Kosovës në Kamenovë, meqë nuk kanë se ku të vendosen edhe askush nuk u ka ofruar zgjidhje adekuate.

Knezheviq pohon se as kompania “Rekreaturs” nuk ka të drejtë të disponojë e menaxhojë me pronën e kësaj pushimoreje.

Burimet e KosovaLive bëjnë të ditur se pas vitit 2000 është shfaqur një kompani, me emrin “Rekreaturs” me seli herë në Podgoricë, herë në Budvë, duke u paraqitur si trashëgimtare e pushimores së Kosovës në Kamenovë, dhe ka tentuar që të përvetësojë edhe ish-pushimoren e sindikatave të Kosovës në Ulqin. Në këtë të fundit duke kërkuar kompensime marramendëse, por autoritetet e Ulqinit janë përgjigjur se Republika e Kosovës ka institucionet e veta edhe vetëm me to zhvillohen bisedime eventuale lidhur me atë ish-pushimore me 618 kampshtëpiza në Plazhin e madh.

Përfaqësuesi i refugjatëve, Dragan Knezheviq ka thënë të enjten se refugjatët do të ankohen në Gjykatë, sepse Gjykata e lartë në Podgoricë në vitin 2004 aktvendimin e Gjykatës themelore të Kotorrit e ka suspenduar edhe e ka kthyer në rishqyrtim.

Pushimorja e Kamenovës ishte pronë e Kosovës, në të cilën kishte investuar, por pas vitit 1981 iu mor pa asnjë kompensim.

KOHA NET
YouTube Preview Image

3