Pakicat në Malin e Zi kërkojnë të numërohen në Kushtetutë

January 15, 2011   | Shtypi / Mediji

Podgoricë, 14 janar – Përfaqësuesit politikë gati, të të gjitha pakicave në Malin e Zi, shohin nevojën për ndërrimin e aktit më të lartë juridik shtetëror, Kushtetutën, edhe brenda saj të numërohen të gjitha pakicat kombëtare. Kjo, sipas liderëve partiakë, do t’i kontribuonte realizimit të të drejtave të pakicave.
Nismën për ndërrimin e Kushtetutës edhe nëpërmjet këtij procesi të numërohen pakicat, e ka propozuar njeri ndër zyrtarët më të lartë dhe më të fuqishëm në Partinë Popullore Socialiste opozitare, Predrag Bulatoviq.
Lideri i Lidhjes Demokratike në Malin e Zi, Mehmet Bardhi thotë se partia e tij edhe në kohën e hartimit të Kushtetutës së re ka kërkuar që në aktin më të lartë juridik shtetëror të numërohen të gjitha pakicat që jetojnë në Malin e Zi, njofton KosovaLive.
Sipas Bardhit, nëse pakicat numërohen në Kushtetutë, do të sillte një force më të madhe politike. Nuk ka pasur deri më tash vullnet politik që të bëhet kjo, por Mali i Zi në mënyrë artificiale është definuar si shtet qytetar.
“Definimi se cilat janë pakicat në Malin e Zi do të mund të bëhej pa pasur nevojë të ndërrohet kushtetuta, por kjo do të bëhej nëpërmjet plotësimit të Ligjit mbi liritë dhe të drejtat e pakicave. Pikërisht këtu mungon vullneti politik “,- shprehet Bardhi.
Sipas tij, Ministria mbi të drejtat e njeriut dhe pakicave, së paku deri më tash, nuk ka pasur vullnet politik që të zgjidhet kjo çështje. Ndërrimet e bëra kohë më parë të këtij ligji, nuk janë përkrahur nga asnjë deputet shqiptar.
Mehmet Bardhi pohon se shqiptarët e dinë se në Malin e Zi janë pakicë, por e dinë po ashtu se i kanë kontribuar edhe pavarësimit të Malit të Zi.
Në Partinë Demokratike të Socialistëve në pushtet mendojnë ndryshe. Deputeti dhe njeri ndër njohësit më të eksponuar të kushtetutës, Miodrag Vukoviq mendon se nuk ka nevojë që të ndërrohet kushtetuta, por numërimi eventual i pakicave mund të bëhet në Ligjin mbi të drejtat dhe liritë e pakicave.
Kryetari i Malit të Zi, Filip Vujanoviq shkëmbimin e ambasadorëve me Prishtinën tash një vjet e më shumë nuk e nënshkruan “ pa njohur pakicën malazeze me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.”

KOHA NET

1