Kuvendi i Ulqinit më fund pa përplasje të shfrenuara politike

January 19, 2011   | Lajmet / Vijesti

Ulqin, 19 janar – Kryetari i posazgjedhur i Parlamentit të Ulqinit, Luigj Shkreli premtoi një frymë të re pune të legjislativit, jo me përplasje të shfrenuara politike, siç është karakterizuar në mandatin e kaluar.

“Edhe opozita e ka përgjegjësinë e vet për jetën parlamentare, ekonomike, politike, ekonomike dhe turistike të Ulqinit. Është një absurditet i paparë se në foltoren e Kuvendit të Ulqinit opozita përpiqet të “blejë poena politike me çmime shumë të ulëta”. Unë kam inicuar seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit për të bërë ndryshime dhe plotësime të Statutit të Komunës së Ulqinit, opozita kundërshton,”- tha për KosovaLive kryekomunari i Ulqinit ditën e mërkurë.

Ai nënvizoi se urgjentisht duhet formuar Komisionin për ndryshime në Statutin e komunës, harmonizimin e tij me Ligjin e ri mbi qeverisjen vendore. Por, Shkreli thotë se opozita e merr me ngadalë këtë iniciativë, nuk tregon gatishmëri që parlamentin ta bëjmë më efikas. Duhet ta kuptojmë se janë me dhjetëra vendime që duhet të miratohen në Parlament, sidomos legalizimi i mbi 500 objekteve në Grykën e Bunës, 30 për qind do t’i takojnë komunës së Ulqinit, por nga ky burim ende nuk ka pikur asnjë cent në arkën e Komunës së Ulqinit. Normalisht, se vonojnë pagat me muaj të tërë, arsyetohet Shkreli.

Partia kryesore opozitare, Forca e Re Demokratike, kritikon ashpër koalicionin që ushtron qeverisjen vendore edhe e fajëson atë për ngecjen e Ulqinit në fushën ekonomike, kërkon plane urbanistike “për të sjellë investuesit në Ulqin”.

Luigj Shkreli thekson se është i hapur për të kontaktuar edhe shqyrtuar çështje të ndryshme që kontribuojnë zhvillimin e Ulqinit. Ai premton vendin për shoqërinë civile në Kuvend, dhe raporte më të afërta se deri më tash me media.

KOHA NET

1