Policia heton zyrtarë të Ulqinit për krim ekonomik

January 21, 2011   | Anketë / Anketa

Ulqin : 21 janar – Tash disa ditë inspektorët kundër krimit ekonomik kanë hyrë në ndërtesën e Komunës së Ulqinit dhe janë duke kontrolluar në hollësira Sekretariatin për Buxhet dhe Financa, dikasterin e Urbanizmit dhe Kadastrin, njofton KosovaLive.
Kryetari i Komunës, Gëzim Hajdinaga mbrëmjen e kaluar është kthyer në Ulqin nga një udhëtim jashtë vendit.
“Më kanë informuar bashkëpunëtorët e mi se në komunë ka nisur një kontroll dhe se kërkohen të dhëna nga sekretariati i Financave dhe Buxhetit, Turizmit, atij për çështje komunale dhe Kadastrit. Përherë janë të mirëseardhur kontrollimet nga cilido organ kompetent. Ne do të jemi plotësisht në shërbimin e tyre,“ shprehet Hajdinaga.
Opozita plotësisht ka heshtur për këtë aksion të policisë në ekzekutivin e Ulqinit. Qytetarët nuk janë të disponuar të thonë asnjë fjalë, por “kaherë flitet se në administratën komunale ka korrupsion, keqpërdorim të buxhetit.” Organet shtetërore të bëjnë punën e tyre profesionale.
Në një deklaratë për KosovaLive, dhënë dy ditë më parë, kryeparlamentari i ri i Ulqinit, Luigj Shkreli tha se nuk do të ketë emërim të shefit të ri të Sekretariatit të Financave dhe Buxhetit, pa u konstatuar gjendja e ecurisë së mandatit të kaluar.
Sekretari i deritashëm i këtij resori, Fatmir Gjeka thotë se në Komunën e Ulqinit nuk është duke ndodhur asgjë spektakulare.
“Kemi të bëjmë vetëm me një kontroll të rregullt. Nuk ka asgjë shqetësuese”, është shprehur Gjeka duke i ka quajtur spekulime zërat se gjoja inspektorët po përpushin nëpër Kabinetin e kryetarit të Komunës, si dhe në llogarinë rrjedhëse të komunës.
Gjeka nënvizon se është e vërtetë se nuk kemi para sikur në verë, por kemi për nevojat e momentit.
Kryeprokurorja shtetëror malazeze, Ranka Carapic konfirmon se është e informuar me hetimet që po bëhen në Komunën e Ulqinit, por “hë për hë është heret të thuhet diçka më shumë”, u përgjigj ajo në një konferencë për media të mbajtur mbrëmë.
Pas Budvës e Tivarit, Ulqini është komuna e tretë në bregdetin e Malit të Zi ku policia heton punën e administratës vendore.

KOHA NET