Flaka Krelani përgatitet për festivalin Top Fest

January 27, 2011   | Lajmet / Vijesti

Duket se ky vit ka filluar mbarë për këngëtaren Flaka Krelani. Angazhimet rreth muzikës për të nuk kanë të ndalur, ndërsa ofertat rreth botës së artit sa vijnë e shtohen. “Duke filluar nga ditët e para të janarit, gjithçka ka nisur shumë, shumë mirë. Kam pasur shumë oferta spontane e që kanë të bëjnë me karrierën time muzikore dhe unë jam gjithnjë me atë mendimin se gjërat spontane gjithmonë janë të bukura, normalisht ato pozitivet. Dhe, ato thjesht i kam pranuar kështu, duke buzëqeshur. Por, tani jam fokusuar shumë rreth krijimeve të reja”, tregon Flaka për “Infopress”, ndërsa bën me dije se një ndër planet e saj është edhe pjesëmarrja në festivalin “Top Fest”.

Një tekst marrë nga përditshmëria

“Përveç këngës, të cilën e kam realizuar tek Ilir Tolaj, e të cilës pres t’i realizoj edhe klipin, jam duke bashkëpunuar edhe me Leonord Canhasin në një krijim të radhës. Është një këngë shumë potenciale, me të cilën e kam në plan të marr pjesë në festivalin “Top Fest”. Besoj që do të jetë një këngë shumë e mirë, me një tekst shumë të kapshëm për njerëzit”.

Teksa flet për projektet muzikore, Flaka komenton tekstin e këngës së fundit të saj, ndërsa thotë që është bazuar te gjërat aktuale e ndodhitë e viteve të fundit në vend. “Tekstin jam duke e punuar. Ka një temë shumë të komplikuar, që ka të bëjë me gjërat aktuale që po ndodhin te ne dhe trevat mbarëshqiptare dhe arti në përgjithësi. Faktikisht, kjo mund të jetë për të gjithë njerëzit, të cilët pretendojnë të jenë ndokush e realisht nuk mund të jenë. Realisht, jemi mësuar të dëgjojmë shumë njerëz duke thënë “unë jam ky, unë jam ai, unë kam bërë këtë apo atë”, e faktikisht asnjëri nuk merr iniciativën të qes diçka në dritë. Pra, kjo do të jetë pak a shumë përmbajta e tekstit tim në këngën e radhës, e cila do të vijë përmes një ritmi mjaft ‘zhurmues’”.

Ndonëse një kohë bukur të madhe të saj i kanë marrë edhe studimet në fakultet, Flaka thotë se përkundër këtij fakti, do të mundohet të realizojë projektet e saj sa më shpejt të jetë e mundur. “Faktikisht, jam zënë pak ngushtë me provimet në fakultet dhe nuk jam duke ditur se nga cila këngë të anoj më shumë. Por, prapë se prapë po mundohem të vë një balancim tek të dyja këngët. Por, sido që të jetë, klipi i këngës së Ilirit do të bëhet patjetër e për çfarë mendoj ta realizoj edhe klipin e këngës pjesëmarrëse në “Top Fest”. E shpresoj që t’i realizoj dy klipet”.

Me këngë “live” çdo javë

Pohon të ndjehet keq për shkak të mungesave të kohë pas kohe në fushën e artit, por premton se tash e tutje do të jetë më shumë aktive me të reja të shumta. “Gjithashtu dua t’i kërkoj falje publikut për mungesën time në muzikë, por kjo ka ndodhur si pasojë e angazhimeve të mia në fakultet. Pra, këtë viti do të kem një rikthim shumë më të fuqishëm”.

Ndryshe, ajo kurrsesi nuk mund t’i ikë muzikës ‘live’ dhe prezantimeve nëpër lokale të ndryshme. Tash e sa kohë këndon në “Maroon”, vendi që më shumë e josh atë. “Besoj se edhe fansat, por edhe ata që frekuentojnë “Maroon pub”, e dinë që Flaka tash e sa kohë çdo të mërkurë bën muzikë atje. Pra, jam atje çdo javë, pranë fansave dhe mysafirëve”, bën me dije për fund ajo.

Shqipmedia
YouTube Preview Image