Tirana e Podgorica diskutojnë për liqenin e Shkodrës dhe Bunën

January 27, 2011   | Rajoni / Region

Podgoricë, 27 janar –  Ministri shqiptar i mjedisit, Fatmir Mediu, në një takim të dy akademive të arteve dhe shkencave malazeze dhe shqiptare në Podgoricë, tha se nuk mund të zgjidhet regjimi i ujit të liqenit të Shkodrës dhe të lumit Buna pa marrë pjesë të gjitha vendet që gravitojnë pranë tyre, njofton KosovaLive.

“Duhet një zgjidhje e përbashkët, afatgjate dhe e qëndrueshme. Në asnjë mënyrë ajo nuk mund të jetë parciale. Pala shqiptare dhe ajo malazeze janë dakorduar që të punohet bashkërisht në këtë projekt”, u shpreh Mediu. Sipas tij, liqeni nuk mund të shikohet pa Bunën, as Buna pa lumin Drin.

Ministri shqiptar i Mjedisit shton se ky është një problem kompleks edhe zgjidhja e tij do të kushtojë, por duhet gjetur zgjidhje për t u shmangur dukurive negative, para së gjithash përmbytjeve.

Ministri malazias i Bujqësisë dhe zhvillimit rural ,Tarzan Milosheviq, thekson se shtrati i lumit Buna shpesh nuk është në gjendje që të absorbojë të gjitha prurjet e ujërave edhe kjo gjendje shkakton përmbytjet, përkatësisht kthimin e ujërave në liqenin e Shkodrës duke e ngritur atë në nivelin më ekstrem.

Dy akademitë dhe përfaqësuesit e qeverive të Podgoricës dhe Tiranës si masë aktuale propozojnë mundësinë e pastrimit të lumit Buna në pikëpjekjen e saj me liqenin e Shkodrës dhe në daljen e tij në det në Komunën e Ulqinit.

KOHA NET