Mc Kresha: S’kam qejf të tërheq vëmendje përmes famës

February 4, 2011   | Lajmet / Vijesti

Krenar dhe i lumtur për ftesën që më bëri Aurela, thotë Kresha

Ju lutem, na flisni pak më shumë për “MC Kreshen” … Më saktësisht, kush “fshihet” pas kësaj nofke…?

Jam Kreshnik Fazliu, i lindur në Mitrovicë. “Kresha” është shkurtesë e emrit tim. Jam djalë i rëndomtë, s’kam ndonjë veçori specifike…mundohem të jem njeriu më i thjeshtë në botë. S’kam qejf të tërheq vëmendje përmes famës.

Si vendosët t’i futeni botës së muzikës?

Po si fëmijë jam rritur më botën e muzikës dhe nuk e kam pasur problem të involvohem në shoqërinë e “hip-hop”-it, sepse jam rritur duke i përcjellë e dashtë reperat me famë botërore.

[b]Tashmë keni lansuar në treg disa krijime të njëpasnjëshme. Disa nga këngët tuaja kanë ardhur në bashkëpunim me këngëtarë tjerë të estradës e disa sosh solo. Tani kur u bë kohë në këtë botë muzikore, mund të na thuash se e keni gjetur atë që keni kërkuar në muzikë?

Shumë thjesht! E kam shprehur mendimin tim dhe botëkuptimin e artit prej meje.

Po tani, si po plotësohen ditët aktuale të MC Kreshes?

Shumica e ditëve të MC Kreshes janë të zëna me koncerte apo përmes angazhimeve të shumta në studio, kështu që zakonisht jam i zënë rreth projekteve muzikore.

Këto ditë ju keni realizuar një këngë, bashkëpunim me Aurela Gaçen. Na thuaj më saktësisht se për çfarë bëhet fjalë?

Çka të flasim më shumë, pos që jam shumë i lumtur dhe krenar që Aurela Gaçe më ka ftuar të bëjmë një këngë bashkë. Shpresoj dhe besoj plotësisht që kënga bashkë me klipin do të jenë diçka që i ka munguar tregut tonë.

Si erdhi deri te bashkëpunimi me Aurelën?

Aurela ka qenë në kontakt me Genc Prelvukajn dhe pasi i ka dëgjuar disa nga këngët e mia dhe i kanë pëlqyer ato, veçanërisht kënga “Lej flleshat”, kemi rënë në kontakt dhe kemi biseduar për realizimin e një bashkëpunimi. Arritëm të realizojmë një këngë me shumë sukses, për të cilën mendoj se ishte vetëm çelësi i miqësisë sonë. Gëzoj shumë respekt për Aurela Gaçen. Është ikonë e muzikës shqiptare.

E përveç bashkëpunimit të fundit, për të cilin diskutuam, si po vazhdon angazhimi yt në botën e muzikës?

Jam duke punuar me një intensitet të madh në realizimin e shumë projekteve, të cilat do të pasojnë të lansohen në vitin 2011. Ma merr mendja që viti 2011 do të jetë edhe më i bujshëm për “hip hop”-in.

Mund të presim edhe ndonjë këngë, krijim të radhës apo edhe album këngësh ditët që vijnë?

Jam duke punuar një ‘Mixtape’ në bashkëpunim me Lyrical Son, të cilin e kam mik të zemrës. Shpresojmë që ta realizojmë një diçka që mund të jetë sfiduese edhe për rajonin, sa i përket kualitetit të punës. E kemi emërtuar “Perinatitnjonitjetritrekords”. Do të jetë shumë interesante. Mund t’u garantoj dashamirëve të muzikës sonë që do të kenë se çfarë të dëgjojnë gjatë vitit 2011.

Çfarë të bën ty të ndryshosh nga reperët tjerë?

Nuk e di!? Në këtë pyetje më shumë do të mund të përgjigjej publiku.

Po ditët, kur ndodheni tërësisht larg muzikës, si plotësohen?

E dua shumë futbollin! Zakonisht shikoj futboll me shoqëri, por më pëlqen të luaj edhe Sony Playstation. Në planet e afërta është edhe peshkimi. E kam në plan të filloj të dal për peshkim me shoqërinë time, pasi kam nevojë për qetësinë e natyrës.

Çfarë s’do të toleronit kurrë?

Poshtërimin!

Ju këndoni rep muzikë, por për të dëgjuar dëgjoni këtë zhanër më me qejf apo ka ndonjë zhanër tjetër që ju fle më shumë për ta dëgjuar?

Gjithmonë dëgjoj rap! Kam dëgjuar këtë zhanër të muzikës prej se kam qenë i vogël. Por, kjo nuk do të thotë që nuk dëgjoj edhe zhanre tjera muzikore. Dëgjoj zhanre të ndryshme dhe i pëlqej ato, por repi më fle më shumë në zemër. Prej momentit kur zgjohem prej gjumi e deri atëherë kur shtrihem të fle, i përkushtohem 100 për qind ‘hip-hop”-it dhe futbollit.

Diçka për fund që ne nuk ju pyetëm e nuk u tha?

Uroj që viti 2011 të jetë viti i sukseseve për të gjithë shqiptarët! Ju përgëzoj, “MC Kresha”.

Çfarë çmoni më shumë te jeta?

Duke u nisur prej frymëmarrjes së parë e deri te vdekja… e dua çdo gjë që ofron jeta, qoftë e ëmbël apo e hidhur ajo. S’kanë vlerë kohërat e mira pa i provuar edhe të këqijat. Mendoj që shumë të këqija kemi përjetuar ne si popull, dhe jam shumë i sigurt që duhet t’ia dimë vlerën jetës.

Pse ka kaq shumë “armiqësi” ndërmjet rep këngëtarëve shqiptarë?

Repi është i bazuar në mospajtimin e diçkaje me rrethin, ambientin, jetën sociale…është muzikë e dalë nga vuajtja e ndoshta kjo është një arsye e madhe që të jetë pak më e vrazhdë. E me siguri edhe më shumë e rrit entuziazmin, përqafimi i fjalëve nga ana e publikut. Ndoshta është edhe faktori tjetër që ka shumë reperë të cilët nuk pajtohen rreth mendimeve…edhe kur i dëgjon dikush fjalët e tyre, mund të tingëllojnë si kundërthënie për tjetrin artist.

Melihate Gashi


YouTube Preview Image