Bizneset nga Mali i Zi kërkojnë më shumë bashkëpunim me bizneset tona

February 12, 2011   | Rajoni / Region

Prishtinë, 11 shkurt – Shkurtimi i rrugës për transportimin e mallrave nga portet detare të Malit të Zi drejt Kosovës pritet të ndikojë në rritjen e bashkëpunimit tregtar ndërmjet dy vendeve. Udhëheqësit e Odës Ekonomike të Malit të Zi gjatë vizitës së bërë të enjten në Odën Ekonomike të Kosovës janë shprehur optimistë për rritjen e shkëmbimeve tregtare nëpërmjet shfrytëzimit të infrastrukturës rrugore nëpër Shqipëri dhe Serbi.
Kryetari i OE të Malit të Zi, Velimir Mijuskoviq ka thënë se raportet ekonomike ndërmjet dy vendeve po zhvillohen, mirëpo jo në nivelin e dëshiruar.
“Afërsia e tregjeve të dy shteteve është sigurisht përparësi sa u përket këmbimeve tregtare dhe bashkëpunimit. Porti i Tivarit më parë është shfrytëzuar shumë më tepër nga biznesmenët nga Kosova. Shpresojmë që duke pasur parasysh të gjitha ato kapacitete që i ka porti i Tivarit në të ardhmen ai do të shfrytëzohet shumë më tepër nga bizneset e Kosovës”, ka thënë Mijuskoviq.
Ai është shprehur kundër barrierave të shfaqura në shkëmbimin tregtar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, ndërsa ka shtuar se vizita në Kosovë e delegacionit të përbërë nga biznesmenë malazias përveç të tjerave ka si qëllim edhe gjetjen e mënyrës për tejkalimit e këtyre barrierave.
“Angazhohemi që qeveritë tona të bëjnë në këtë drejtim shumë më tepër në mënyrë që transporti i mallrave të jetë një prej prioriteteve të punës dhe angazhimit të qeverisë”, ka thënë Mijushkoviq. “Kërkesë ndaj Qeverisë së Malit të Zi është ndërtimi i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore e cila do të lidhte rajonin”.
Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka kërkuar nga udhëheqësi i Odës Ekonomike malaziase që të përdorë autoritetin e tij në funksionalizimin e marrëveshjes së CEFTA-s, e cila, sipas Gërxhaliut, po e dëmton ekonominë e vendit për shkak të bllokadave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.
“Konsiderojmë se duhet bërë një investim më i gjerë dhe më i avancuar në aspektin e infrastrukturës”, ka thënë Gërxhaliu.
Ai ka vlerësuar se shfrytëzimi i portit të Tivarit nga kompanitë e Kosovës është dëshmi që vërteton bashkëpunimin ekonomik e tregtar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
“Bashkëpunimi ekonomik në mes të dy vendeve do të jetë model i cili do ta dëshmojë rajonin si serioz në raport me Evropën ndërsa nëpërmjet zhvillimit ekonomik do të ndikohet në stabilitetin politik dhe në përshpejtimin e integrimeve, në rend të parë atyre ekonomike, por edhe atyre politike”, ka thënë Gërxhaliu.
Delegacioni malazias ka marrë përkrahje për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror edhe nga ministri i Integrimeve Evropiane, Besim Beqaj.

KOHA NET